Shkodra është një qytet me një histori të veçantë, ku bashkëjetesa dhe vëllazëria fetare kanë qenë pjesë e identitetit të saj ndër shekuj. Katolikë e myslimanë kanë jetuar pranë njëri-tjetrit, duke ndarë jo vetëm lagjet dhe rrugët e qytetit, por edhe gëzimet, festat, dhimbjet dhe vështirësitë e përbashkëta. Kjo traditë e tolerancës është një nga vlerat më të çmuara që Shkodra i ka dhënë shoqërisë shqiptare.
Edhe pse katolicizmi ka qenë besim i pakicës në raport me popullsinë e përgjithshme të qytetit, besimi katolik dhe komuniteti i tij janë respektuar dhe kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në jetën qytetare, kulturore e shoqërore të Shkodrës. Një dëshmi e kësaj bashkëjetese është edhe fakti se në periudha të ndryshme qyteti është drejtuar nga figura të njohura të besimit katolik.
Mark Kakarriqi ishte drejtor i Bashkisë së Shkodrës gjatë viteve 1939–1942, në një periudhë të vështirë të historisë së Shqipërisë.
Më vonë, në periudhën e pluralizmit politik, Filip Guraziu u bë kryetari i parë i Bashkisë së Shkodrës, duke shërbyer nga viti 1992 deri në vitin 1996.
Ndërsa Lorenc Luka drejtoi Bashkinë e Shkodrës për dy mandate, nga viti 2007 deri në vitin 2015.
Këto figura janë pjesë e historisë së qytetit dhe tregojnë se përkatësia fetare nuk ka qenë pengesë për të shërbyer në krye të institucioneve të Shkodrës.
Por toleranca fetare e Shkodrës nuk matet vetëm me postet publike. Ajo shihet në jetën e përditshme të shkodranëve. Në Shkodër, njerëzit shkojnë te njëri-tjetri për festa, urojnë njëri-tjetrin për Bajram e Pashkë, ndajnë gëzimet familjare dhe respektojnë besimin e tjetrit. Kjo është vëllazëria e vërtetë: të besosh sipas ndërgjegjes tënde dhe njëkohësisht të respektosh të drejtën e tjetrit për të besuar ndryshe.
Në këtë traditë të bashkëjetesës shqiptare qëndron edhe figura e madhe e At Gjergj Fishtës, një nga personalitetet më të rëndësishme të kulturës shqiptare. Fishta mishëronte një ide të fuqishme të shqiptarisë, ku përkatësia kombëtare dhe vëllazëria mes shqiptarëve qëndronin mbi dallimet fetare. Në kujtesën e Shkodrës është ruajtur edhe simbolika e ndriçimit të kishës dhe xhamisë me rastin e festave, si një shenjë e bukur e bashkimit dhe respektit ndërmjet komuniteteve.
Kjo frymë duhet të jetë shembull për mbarë Shqipërinë. Në një kohë kur në shumë vende të botës dallimet fetare mund të kthehen në burim përçarjeje, shqiptarët duhet të ruajnë atë që kanë trashëguar më të bukur: respektin për fenë e tjetrit, dashurinë për vendin dhe ndjenjën se, mbi të gjitha, jemi vëllezër e motra shqiptarë.
Unë ndihem krenar për qytetin tim të lindjes. Ndihem krenar për Shkodrën dhe për traditën e saj të bashkëjetesës. Ndihem krenar për besimet fetare që jetojnë në këtë qytet dhe për mënyrën se si shkodranët dinë të respektojnë njëri-tjetrin.
Shkodra është dëshmi se ndryshimi në besim nuk duhet të na ndajë. Përkundrazi, ai mund të na mësojë të respektojmë më shumë njëri-tjetrin.
Kjo është Shkodra që duam dhe kjo është Shkodra që duhet t’ua përcjellim brezave: një qytet i dijes, kulturës, besimit, respektit dhe mbi të gjitha i vëllazërisë shqiptare


Shkruar nga Luigj Shkodrani


Leave a Reply