Nga Osman BALANI
Profesori me emër të njohur në mbarë Shqipërinë MYFIT BALANI, kushëri i babait tim, ka lindur në fshatin Vërvë më 25 maj 1929. Vetëm pak muaj pas lindjes mbeti jetim nga nëna e tij. Ishte fëmijë, rreth 4 vjeç kur i vdiq edhe i ati, Usni Balani. Fëmijë i vogël mbetur jetim nga dy prindërit, u rrit plot ngrohtësi në shtëpinë e xhexhesë së tij Mexhite Haxhi Brahimi (Balani) nga Konispoli. Nën kujdestarinë e Nënë Mexhites, që u bë për të edhe nënë, edhe baba, mundi të merrte mësimet e para në shkollën 3 klasëshe në Vërvë, në vendlindjen e tij.
Xhelo Aliço, nga Konispoli, tregëtar i njohur në ato vite, me emër për grumbullimin, përpunimin, tregëtimin, eksportin në Korfuz e deri në Egjipt të bulmetrave dhe produkteve bujqësore e blegtorale, me 12 mjete transporti në pronësi, banues në Tiranë, nipi i Mexhites, me kërkesën e saj, e mori Myfitin në Tiranë, e strehoi në pallatin e tij, i dha mundësinë të vijonte mësimet fillore. Gjatë luftës nacional çlirimtare, i ndihmuar nga Mehmeti, vëllai i vogël i Xhelos, bëri mjaft shërbime në dobi të saj.
Pas çlirimit, me porosi të Haki Toskës i cili banoi gjatë në pallatin e Xhelo Aliços në Tiranë, u dërgua më bursë në 7 vjeçaren ”24 Maj” të Shkodrës, në gjimnazin ”29 Nëndori” dhe në pedagogjiken ”Shejnaze Juka” të atij qyteti, ku mori mësimet e mesme.
Më 1952 u dërgua në Bashkimin Sovjetik. Filloi studimet në qytetin e njohur të Leningradit (sot Petërburg). Pasi mbaroi vitin e tretë, transferohet për në qytetin e Odesës, pasi qe shëndetpakët. Mbas 2 vitesh në vitin 1957 në Odesë diplomohet në lëndët politiko – ideologjike. Si diploma universitare, edhe dëftesat shkollore shoqëroheshin me fletë nderi për rezultate të shkëlqyera në mësime dhe sjellje. Fletë nderi iu dhanë edhe në të gjitha aksionet: hekurudha, brigada kulturore.
Gjatë 35 vjetëve, prej vitit 1957, që u diplomua në Odesë, e deri sa doli në pension, Profesori i njohur MYFIT BALANI, punoi si pedagog në Institutin Bujqësor të Kamzës (sot Universiteti Bujqësor), nuk iu nda punës, mësimit, jetës së studentëve, me shumë përkushtim, me dashuri e kujdes prindëror, me zemër të ngrohtë dhe mëndje të kthjellët, të mprehtë, gjithnjë konstruktiv, me komunikim të shkëlqyer.
Edhe në Odesë studentët shqiptarë e kishin zgjedhur president të tyre. I dashur me të gjithë, me durim për zgjidhjen e shqetësimeve, i papërtuar për të ndihmuar e këshilluar seclin, gojëmjaltë e zemërhapur, cilësi që buronin nga vet karakteri, nga intelekti i tij, i kultivuar prej fëmijërisë të vështirë. Këto cilësi ishin futur në gen, për t`u shfaqur gjithnjë e kudo, i njëjtë, i drejtë e parimor.
Ja një episod nga një bisedë me kolegët e tij:
– Po ti, sot, për të diel, këtu në Institut, mos je hidhëruar me Mentaren?
– Jo, ç`është ajo fjalë, grupi në kujdetari më ka provim.
– Në ç`lëndë?
– Në matematikë!
– Po ç`të hyn në pjesë ty matematika?
– Ashtu! Kur më shohin studentët, sikur i japin forca vetes.
I tillë ishte profesori i nderuar, si prind i dytë për gjithë studentët, anë e mbanë Shqipërisë. Ҫdo student në Universitetin Bujqësor të Kamzës, nga Saranda apo nga Tropoja, nga gjithë Shqipëria, i besonte, këshillohej me të, e dinte se nuk do t`i mungonte fjala e tij e mençur. Kam takuar shumë studentë të tij nga e gjithë Shqipëria, kushdo më ka fol me shumë respekt e admirim për të.
Këtij biri të Ҫamërisë, i rritur jetim, e gjithë jeta iu bë shkollë. Me atë e nisi dhe atje përfundoi, nga të paktit, në mos i vetmi që mund të quhet edhe “Biri i Universitetit”.
Po kapërcej pak në kohë.Jemi në vitet e demokracisë. Kushëriri im Idriz Balani, skulptor i figurave të mëdha historike anë e kënd Shqipërisë, Kosovës, e mbarë trojeve shqiptare, më ka treguar se një ditë kishte vajtur në Kuvendin e Shqipërisë për të takuar një shokun e vet, deputet i PS nga Durrësi. Tek shkallët e kuvendit u takuan me Pjetër Arbnorin, Kryetar i Kuvendit në atë kohë, i njohur si Mandela i Shqipërisë për vuajtjet e gjata në burgje. Deputeti e prezantoi me Idrizin. – Kam njohur Myfit Balanin në shkollën e mesme në Shkodër, njeri i urtë, i mençur, tërë mirësi, – i thotë Pjetër Arbnori. Më bënë shumë përshtypje këto fjalë të thëna prej tij, pas kaq shumë vitesh kaluar në burgje. Jo vetëm se u thanë nga një deputet i PD, por se figura e Myfit Balanit ishte gdhendur në kujtesën e tij, – kujton Idrizi.
Mbaj mend një ditë kur vazhdoja shkollën e lartë në Universitetin Bujqësor në Kamëz. Pas një provimi, i fundit për atë sezon, shkova ta takoja në pallatin e kulturës të institutit. Profesori i nderuar, Myfit Balani ishte i pranishëm në aktivitetet artistike të rinisë. Në sallën e kulturës ishte ulur bashkë me pedagogët Leandro Haxhiun dhe Palok Kolnikaj të fakultetit ekonomik. Ndiqnin një koncert artistik të studentëve. Shkova tek ta, me ndrojen që ndjeja para pedagogëve të mi. Për të më hequr ndrojen, profesori më uli mes tij dhe profesor Leandros.
– Leandro, ju drejtua, – ti mund të dish shumë në teori, por Osmani ta kalon, pasi di shumë mirë praktikën e punës, por edhe teorinë.
Në vite, kam takuar shumë studentë të tij nga e gjithë Shqipëria, kushdo prej tyre, sapo mësonte mbiemrin tim, më ka fol me shumë respekt e admirim për të. Në fund të viteve `90 dhe fillim të viteve 2000, vija herë pas herë në Tiranë për furnizimin e dyqanit tim në tregun industrial të Sarandës. Nuk kisha makinë për furnizimin, kështu që përdorja ndonjë nga shokët e mi si furgonin e Genc Veliut, i cili më linte vend të merrja dhe unë mallra.Ishim në Tiranë, lagjja ”Ali Demi” tek tregu elektrik.Furgoni i Gencit u fërkua me një makinë tjetër në lëvizje. Kishte targa të rrethit të Dibrës. Përnjëherë nga makina e tyre dalin 4 persona të irrituar. Genci thoshte se nuk kam faj unë. Në ushtri kishte shërbyer me forcat speciale.
– Rri në makinë, – më tha.
– Jemi bashkë, – iu përgjigja. Zbrita nga makina. I drejtohem më të madhit në moshë prej tyre.
– Si e ke emrin, – e pyeta. M`u përgjigj.
– Unë quhem Osman Balani, – ju përgjigja. Nëqoftëse bëjmë pak muhabet do të dalim të njohur. Kam dhe unë miq në Dibër.
– Myfit Balanin çfarë e ke, – më pyeti.
– Profesor Myfit Balanin e kam patur kushëri të babait tim, – i thashë.
– Djem, largohuni – ju drejtua shoqëruesve të tij.
– Profesor Myfiti ze një emër të nderuar në kujtimet e mia, – më tha.
Shkuam dhe pimë një kafe në një lokal aty pranë. M`u bë zemra mal nga ky takim, nga që emri i tij ishte i njohur edhe në Dibër, për respektin dhe nderimin e emrit të profesorit në gjithë Shqipërinë.
Në punë të katedrës dhe në këshillin shkencor, në juritë e konkurseve dhe festivaleve dhe në redaksitë e gazetës “Studenti i Bujqësisë”, në brigadat e aksioneve kombëtare të rinisë, në punën prodhuese dhe në stërvitjen ushtarake, kudo ishte i pranishëm, i dobishëm, konkret, krijues dhe mobilizues. Studentët janë ndjerë kudo mirë me pedagogun e tyre pranë. Kurdoherë me mendje të mprehtë dhe gjykim të saktë. Si pedagog e pastaj shef katedre, për aftësitë mësimdhënëse dhe shërbim shembullor më 8.1.1974 u nderua me titullin shkencor “Docent” dhe më 2.6.1984 me Urdhërin ”Për shërbime të shquara shtetërore dhe shoqërore”.
Ja edhe një episod tjetër:
Në vitet `70 të shekullit të kaluar, kur lufta e ftohtë ishte ne veprim, Niksoni – president i SHBA, shkoi në Kinë. Në plazhin e Durrësit një student e pyeti profesorin.
– Ҫ’po bëhët kështu?
– Bota po merr kthesë, – ishtë përgjigjur ai mendueshëm.
– Po halli ynë?
– Ne jemi si një kamardare më ujë të ëmbël në mes të detit. Do t`i rezistojmë sa të mundemi dallgëve, por një ditë ajo do të çahet. Si thua ti, a mund ta ëmbëlsojë detin ajo me ujin e vet?
Profesori e parashikoi saktë fundin e sistemit të asaj kohe, 20 vjet para se të rrëzohej.
Myfit Balani, asnjëherë nuk u nda nga vendlindja e tij. Kishte mall dhe dashuri për Sarandën, Pandalejmonin, Konispolin, Vërvën. Vinte bashkë me Mentaren, bashkëshorten e tij në Pandalejmon, tek hallë Sadetja, motra e tij. I pëlqenin ullinjtë e Ҫamërisë. Motra e tij ia zgjidhte kokërr më kokërr.
Një ditë, fillim i viteve `90, më mori në telefon nga Tirana. Më tha që do vinte në Konispol. Nuk përshkruhet gëzimi im dhe i familjes tonë. Erdhi me makinen e Nexhmi Hoxhës, shokut tim, kryetar i kooperativës së Konispolit. Dolëm dhe e pritëm, Ishte kohë dimri. Njeri i thjeshtë, fisnik, i nderuar. Nakua bëri çmos ta kënaqte me gatimet e shumta të Ҫamërisë. Qëndroi disa ditë, fëmijët e mi nuk dinin si t`i gëzoheshin. Kisha në bibliotekën time një libër ilustrativ me monumente të njohura botërore. Ja tregova. Profesori u kënaq dhe filloi të më spjegonte historikun dhe vlerat e tyre artistike. Shumë prej tyre i kishte parë në muzetë e qytetit të Leningradit në vitet e studimeve. Më fliste dhe për shokët e tij të studimeve në Leningrad në ato vite, për Dritëro Agollin, Marash Hajatin, për kujtimet e përbashkëta me ta. Shprehu dëshirën të shkonte në Vërvë, në fshatin ku kishte lindur. Mora Gëzimin në telefon, vëllanë tim, i cili punonte fillrojtës për këtë lajm të gëzuar. Me makinën e Bejkushit, shoferit të kryetarit, shkoi në Vërvë. Bardhësia e dëborës që zuri atë natë e bëri më të bukur e të paharruar vizitën e tij.
Myfit Balani, njeri fisnik,i ditur, i mirë, i ndjeshëm, i dhimbshëm, u nda nga jeta në moshë relativisht të re, më 7.8.1995, në moshën 66 vjeçare. La pas si pasuri të madhe, një emër të nderuar, një shpirt të vërtet prej shqiptari, një kujtim të pashlyer në ndërgjegjen e studentëve dhe kolegëve të tij.
Me urtësinë karakteristike, me përkushtimin, me ëmbëlsinë e tij të veçantë më komunikim, profesor Myfit Balani do të kujtohet përherë me respekt e përulje, si djalë i Ҫamërisë dhe i mbarë Shqipërisë, që aq shumë i donte.
Për përgatitjen e këtyre kujtimeve për Profesorin e nderuar, Myfit Balani, të njohur në mbarë Shqipërinë, jemi mbështetur :
– Enciklopedia Jugshqiptare, vëllimi i parë, me autor Ibrahim Hoxha.
– Universiteti i Blertë 1951-2001, faqe 169-170, “Biri i Universitetit”, me autor Hulusi Hako, Naim Mehmeti.
Burimi/Facebook/Aranit Balani


Leave a Reply