Më kishin “mbirë në zemer“ këto dy fjalë nga romani i PETRO MARKOS, kur shkela edhe unë tokën Spanjolle, pas afro 80 vjetësh!Se e pata lexuar dy herë me ëndje të veçantë romanin e tij “HASTALAVISTA!”, nga që parshtrimi me talent e origjinalitet i subjektit, se ç’kishte njëfarë maadhështie në intimitetin e shpirtit të njeriut. Ato ishin vetë NJERIU e SHKRIMTARI qenë zhveshur nga çdo zbukurim, në një natyrësi të pashoqe…
Dhe rasti e solli që të udhëtoja drejt Spanjës, ku ai kishte jetuar e luftuar, si internacionalist në vitin 1936, kundër mercenarëve të Frankos….
Ishte ora pesë e mëngjesit. Zakoni i zgjimit herët dhe pirja e kafesë së parë të ditës,-ende pa aguar mirë,-më ishte kthyer në “një huq të përjetshëm” që më ndiqte edhe këtu, në një fshat të Seviljes së Spanjës, të quajtur Alcala de Guaraira…Më pihej një kafe, dreqi ta marrë dhe po më sëmbonte etja për lëngun e zi. Shoqëruesi im Mikele de Rodriguez, më sistemoi në një hotel fshati, ku dhoma qe jo vetëm e ngushtë dhe e mbushur me relike të stilit të vjetër, po edhe me perde të rënda që pengonin hyrjen e çfardo drite..
Dola jashtë. Për fatin tim, ja tek u dukë tabela e Kafe “La Plauzela”. Hyra brenda, Tre burra të mbështetur në banak më “gozhduan me sy”. Por unë isha një memec e asgjë më tepër, Gjithsesi, kafen dija ta kërkoja. Sa u ula në tryezën e qoshes, u përballa me një tablo të “Lufts me Dema në Arenë”. Pak më tej, ja ku u shfaqë një portet i njohur i një mjekëroshi. E njoha, Ishte Heminguei. Si në një nga ato rasëtësi fatlume, të cilat vijnë vetëm një herë në jetën tënde. Po ja tek isha edhe unë, duke pirë një kafe me Hemingueun e Petro Markon..Sepse, diku në Spanjë qenë takuar edhe ata, si dy miqë të mirë…Ishte kohë lufte…
Po kujtesa më brodhi mbrapsh… Teksa kisha dalur nga burgu i vendit tim e po krryeja edhe stazhin e “hapjes së gropave” të shtyllave të betonit dhe të kanaleve të kablleve nënëtokësore për tri vite plus “riedukuese”. Ndërkohë, isha “ngritur në detyrë” si montator i matësave elektrik të Komunales së Tiranës, kur përditshmëria e kësaj pune më kishte sjellur edhe te dera e “Kokë Kaçurelsit” nga Dhërmiu. Derën ma hapi Safoja, së cilës i ra tabakaja nga dora. Se ai njeri (që isha unë!), qe tjetërsuar me një ”Rob Zoti fantazmë”, me 10 matësa elektrike varur në qafë. Ama më njohu e i thiri Petros. Ai u ngritë menjëharë. Më vështrio një copë herë, uli sytë dhe, pa e hequr cigaren nga buza, mi shkarkoi sahatet e më uli në minder, duke më soditur, si të kisha zbritur nga ndonjë planet tjeter!….As unë e as ai nuk e zumë në gojë burgun,, As Safo që kishte bërë kopertinën e librit tim të parë per Mihal Popin , nuk e zuri n goje atë “brumatriçe të mallkuar” që e kishte kthyer ne brum…Takoheshin në heshtje dy Bregas në kohë të vështira…!
Mirëpo tani isha diku, ku kishte shkelur edhe Bregasi im. Ardhja e shoqëruesit Rodriguez më ngriti prej andejë si të shushatur. Dhe po ecnim, ashtu kot së koti, brigjeve të një lumi të qetë.Të pushtonte menjëherë ndjenja e hapësirës dhe freskia. Çdo gjë e bukur, këtu fillon e këtu mbaron dhe kalimtari soditës duhet të mblidhet në “strofkullën” e vetvetes, për të parë se sa e vogël është “bota e tij” para gjithësisë, fantazisë dhe natyrës.
Lumi rrjedh i qetë, si të ishte derdhur mbi të një masë vajore. Mbështetem te parmakët e urës dhe përhumbem i tëri.
Ç’më kujtonte ky lumë? Përse më tërhoqi kaq shumë, pa më thënë asgjë, pa më folur?! Më mundonte një instinkt i brendshëm, i fshehur diku si dhe një emër i përafërt.
-”Ebro”, – mërmërita unë, – Ebro! Dhe po e vështroja mikun tim spanjoll që më la të magjepsem vetiu, me një shikim zhbirues.
-Edhe Ebro është një lumë, – thashë unë. Po, po, në një libër e kam lexuar… Një lumë edhe më i madh se Rio… Ku ndodhet Ebro, Rodriguez?!
-Në veri të Spanjës, – thotë ai i çuditur nga habia ime. – Buron nga malet Kantabria, kalon rrëzë Pirenejve, përshkon krahinën e Katalonjës dhe derdhet në Detin Mesdhe, diku midis Barcelonës dhe Valencias.
-Oh!, – gati klitha unë. Aty kanë qenë e kanë luftuar disa shqiptarë në ‘36-ën, heronj të vërtetë, bashkë me spanjollët që ngritën krye kundër Frankos dhe me shumë internacionalistë të tjerë, nga e gjithë bota… Po aty ishte edhe një shkrimtar, miku im. E quanin Petro Marko. Që të dy jemi nga brigjet e Jonit. Atëherë ai qe një djalë plot vrull, shumë simpatik, romantik, shtatlartë e i shëndetshëm. Ja, kaq sa ti. Po flokët i kishte kaçurrela. Koka e tij i ngjante kokës së një filozofi grek. E njihja nga afër këtë njeri. Qe disa vjet më i madh se unë. Dhe, siç të thashë, e kisha mik. E doja shumë si njeri dhe e adhuroja si shkrimtar. Dinte të bënte poezi si të Lorkës tuaj, të shkruante romane, po ato i shkruante siç dinte ai, ashtu siç i ndiente, pa i shpikur e pa u shtuar asgjë. Erdhi këtu për të shpëtuar Spanjën. Në front, gjatë luftimeve, plagoset rëndë. Me sa më kujtohet nga romani i tij, atëherë bëheshin luftime te ashpra rreth lumit Ebro, për mbrojtjen e Katalonjës. Dhe këndonin “No pasaran” (“Nuk do të kalojnë”). Dhe thërrisnin “Viva la vida!” (“Rroftë jeta!”), kur duhej të vdisnin në këmbë, para plumbave, me gjoksin zbuluar, siç thoni ju spanjollët: “pecho descubierto!”. Qe i fortë, i paepur, nuk trembej nga plumbat, po plumbat e shtrinë trimin përdhe!… Më pas e mbuloi balta e një predhe në një gropë të thellë…
-Vdiq?
-Jo! E gjeti një bari spanjoll pas afro një jave. Rronte akoma. E strehoi dhe e shëroi. Ai kishte edhe një të dashur, Anitën, që e takoi rastësisht në udhët e luftës dhe që e përqafoi vetëm një herë në fund, kur u nda prej saj.
-U ndanë?!
-I ndau lufta, i ndau tradhëtia, kundërrevolucioni, i ndau lumi i jetës e i politikës dhe secili mbeti në brigjet e veta. Mbeti dhe një fjalë që i thanë njëri-tjetrit në çastet e fundit: “Hasta La Vista! (“Mirupafshim!”).
-Është një roman apo histori e vërtetë?
-Një histori e vërtetë që u bë roman. Mbeti aty ngjarja reale dhe heroi i saj, Petro Marko. Me të qenë edhe shumë shqiptarë të tjerë, njëri nga të cilët, më pas, u bë kryeministër i vendit tim. Ai qe gjithmonë në mëdyshje. Nga njëra anë e donte Petron dhe, nga ana tjetër, e luftonte. Kam qenë vetë në një auditor shkrimtarësh, tek ne, kur ky person foli kundër shokut të tij të luftës, duke e fyer atë, sikur gjoja, Petroja, nuk erdhi në Spanjë për të luftuar frankistët, po për të bredhur me prostitutat! Një marrëzi e tërë! E pashë me sytë e mi se si ky njeri i mirë, i fortë dhe i bukur, uli kokën e mbushur me kaçurrela të bardha, si të kishte rënë aty tërë dëbora e qiejve, i pikëlluar sa ës’ ka dhe nuk foli, që të mos burgosej për së treti!
-Kush e burgosi?
-Herën e parë e burgosën fashistët; herën e dytë e burgosën komunistët, ngaqë idealet për të cilat ai luftoi, nuk i pa tek ata që erdhën në pushtet. Dhe dihej: Nëse ai do të kundërshtonte publikisht kryeministrin e vendit, ai do të burgosej për herë të tretë.
Shikimi im u krodh për disa çaste, nëpër ujërat e lumit Rio, tok me heshtjen e mikut tim Rodriguez. Edhe tani lumi rridhte i qetë, pa asnjë dallgëzim përsipër. Lumi Ebro qenkësh tepër largë, në Veri. Atëherë, ai merrte shpesh ngjyrën e kuqe, të gjakut të derdhur në Albacetë, në Toruel, në Brunete, në Belshitë e në Saragoz.
-Ku ndodhet tani Petro Marko? – pyeti i trishtuar Mikel de Rodriguez.
-S’ka tetë vjet që ka vdekur. E shihja shpesh tek shëtiste i vetmuar nëpër Tiranë, duke pirë vazhdimisht cigare, dukej tepër fisnik e i bukur tek ecte i menduar, me pikëllimin botëror dhe “dëborën” që kishte mbi krye. Kurse atë kryeministrin, që herë e donte, herë e shante, si t’i tekej, e vranë në pabesi. Se, edhe ai, ishte trim, i shpallur dy herë hero! Por heronjtë nuk i duan kur janë të gjallë. Ata respektohen, nderohen, apo mallëkohen, vetëm pas vdekjes së tyre. Por, nëse Petro Marko u vu në kornizën e nderit, si shkrimtar e si hero, ai tjetri më i madhi, u vesh i tëri me një mjegullnajë. Ndodh, shpesh edhe sot, si në tragjeditë e lashta të antikitetit. A nuk e dënoi Zeusi Prometeun, i cili u dha zjarrin njerëzve, duke e lidhur me zinxhirë pas një shkëmbi, gjersa ta shfarosnin korbat? Po Jezu Krishtin, a nuk e kryqëzuan jezuitët para një kryqi të madh, bashkë me mirësitë e tij? Si Prometeu, ashtu edhe Krishti, kishin bërë shumë për njerëzit. Edhe ky shkrimtar shqiptar i kohës sonë nuk qe më pak sesa martirët e njëhershëm. Ky është shkaku edhe i trishtimit tim, o miku im i mirë.
M’u duk, për një çast, se Lumi Rio kishte ngrirë, aty poshtë këmbëve tona…!
(Nga libri publicistik “Dy ditë sa për dy shekuj”. 2014)
Burimi/Facebook


Leave a Reply