Një burrë nga Durban, Afrika e Jugut, është bërë viral në rrjetet sociale pasi ka ndërtuar një strehë të improvizuar pranë majës së një pishe të lartë, përballë shtëpisë së tij.
Emmanuel Dube, i njohur nga banorët e zonës me nofkën “Marumpa”, ka ndërtuar strukturën me dërrasa, degë, mbetje druri dhe copa pëlhure e mushamaje. Ai kalon pjesën më të madhe të kohës aty dhe, herë pas here, edhe qëndron gjatë natës.
Dube jeton në zonën Ntuzuma B, pranë KwaMashu, në veri të Durbanit. Sipas familjarëve dhe fqinjëve, pas humbjes së prindërve dhe vëllezërve, ai nuk arriti të gjente punë, u përfshi në përdorimin e drogës dhe ra në depresion.
Megjithatë, vetë Dube thotë se arsyeja pse ngjitet në pemë është kërkimi i qetësisë.
“Ulem këtu për të gjetur paqen. Është e vetmja mënyrë për të lënë gjithçka poshtë dhe për të gjetur qetësi.”
Fqinjët janë të shqetësuar për sigurinë e tij, pasi struktura duket e rrezikshme dhe mund të mos i rezistojë erërave të forta apo rrufeve.
Sipas mediave lokale, policia e metrosë së Durbanit kishte planifikuar ndërhyrjen për të hequr pemën, por operacioni u pezullua pasi Dube refuzoi të zbriste prej saj.
Autoritetet lokale kanë premtuar se do të përpiqen ta ndihmojnë burrin, ndërsa familjarët shpresojnë që ai të marrë mbështetjen e nevojshme për të përballuar vështirësitë me të cilat po përballet.
Burimi/Istagram/joqalbania


Leave a Reply