Mbrëmë, në një atmosferë dinjitoze dhe me peshën që meriton ky jubile historik, shënuam 25-vjetorin e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit, marrëveshjes që ndërpreu luftën, vendosi themelet e një rendi të ri të bazuar mbi barazinë dhe hapi një kapitull të ri për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen euroatlantike të vendit.
Me këtë rast, patëm kënaqësinë të dëgjojmë pikëpamjet dhe reflektimet e personaliteteve të shquara që morën pjesë bashkë me mua në panelin kushtuar trashëgimisë, sfidave dhe të ardhmes së Marrëveshjes së Ohrit: ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Prof. Dr. Vlado Buçkovski, ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Prof. Dr. Paskal Milo, ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Prof. Dr. Enver Hoxhaj, si dhe ish-ambasadorit tonë në Kroaci, Prof. Dr. Milaim Fetai. Kontributet e tyre i dhanë debatit dimension të rëndësishëm historik, politik dhe rajonal.
Kënaqësi e veçantë ishte të dëgjonim përsëri edhe porositë e Lord George Robertson, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s në vitin 2001 dhe një nga personalitetet ndërkombëtare që luajtën rol të rëndësishëm në atë periudhë vendimtare. Mbrëmjen e plotësoi edhe shfaqja e filmit dokumentar, i cili përmes momenteve dhe dëshmive historike riktheu ngjarjet që i paraprinë vitit 2001, zhvillimet e atij viti dhe rrugëtimin e vendit gjatë 25 viteve që pasuan.
Një çerek shekulli më vonë, mesazhi ynë mbetet i qartë: Marrëveshja Paqësore e Ohrit nuk është vetëm një dokument i së kaluarës. Ajo mbetet themel i paqes, sigurisë, stabilitetit, barazisë dhe kohezionit të brendshëm të Maqedonisë së Veriut. Mbi frymën e saj u ndërtua edhe perspektiva euroatlantike e vendit dhe u bë i mundur anëtarësimi në NATO.
Prandaj, ruajtja e frymës dhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit janë po aq të rëndësishme sot sa ishin 25 vjet më parë. Europianizimi i Maqedonisë së Veriut nuk mund të ndahet nga barazia, respekti i ndërsjellë dhe funksionimi i një demokracie të vërtetë shumëetnike. Rruga jonë drejt Europës kalon përmes respektimit të këtyre vlerave dhe të marrëveshjeve mbi të cilat u ndërtua paqja dhe stabiliteti i vendit.


Burimi/Facebook


Leave a Reply