
Shkolla Shqipe Zvicër-Lozanë
Disa fjali në shtëpi, disa përgjigje në shqip dhe disa në gjuhë të huaja, detyrat, mësimet, shokët e shoqet, komunikimi në frëngjisht, filmat vizatimorë në anglisht apo frëngjisht… Një fjalë më shumë sot, një tjetër nesër, pa e kuptuar se çdo herë që fëmija përgjigjet në një gjuhë tjetër, një fjalë shqipe mbetet jashtë fjalorit të tij.
Që një gjuhë të quhet vërtet gjuhë amtare, ajo duhet të mësohet, të lexohet, të shkruhet dhe të pasurohet çdo ditë me fjalë të reja. Përndryshe, gjuha e vendit mikpritës, pa e kuptuar, fillon të zërë vendin e gjuhës së nënës.
Dhe çfarë ndodh më vonë?
Fëmijët rriten dhe fillojnë të kenë vështirësi të kuptojnë gjyshërit, kushërinjtë dhe të afërmit, kanë vështirës që tu përgjigjen në shqip. Pak nga pak, kjo vështirësi kthehet në një hendek gjuhësor, pengesë e panevojshme. Pastaj vijnë studimet e larta, puna, angazhimet e jetës… dhe koha për ta mësuar shqipen bëhet gjithnjë e më e vogël, pothuajse e pamundur.
Nuk janë fëmijët fajtorë. Ata thjesht kanë shumë aktivitete, shumë dëshira dhe shumë angazhime dhe mësimi i gjuhës shqipe në shkolle duket i tepërt. Por një stërvitje futbolli, një kurs pianoje, vizatimi, kërcimi apo noti mund të zhvendoset në një ditë tjetër dhe jo pikërisht ditën e mësimit të shqipes, sepse çdo pasion, me dashuri dhe përkushtim, mund të arrihet por mësimi i një gjuhe ka kohën e tij, përdryshe bëhet i vështirë me vitet që kalojnë.
Ne jemi krenarë për fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë kudo që janë dhe për çdo arritje të tyre në cdo fushë, sport, art, kulturë, shkenca. Por le të mos harrojmë diçka të rëndësishme:
Pas çdo arritjeje duhet të mbetet edhe gjuha, kultura dhe tradita shqiptare.
Sepse nesër nuk duam vetëm të themi:
“Ky person ia doli.”
Duam të mund të themi me krenari:
“Ky shqiptar ia doli.
Shkolla Shqipe është afruar pranë jush, në qytete dhe cdo kanton, sepse e dimë sa e vështirë është të gjendet hapësira për shqipen mes të gjitha angazhimeve të fëmijëve dhe familjeve.
Dy fjalë shqip në shtëpi nuk mjaftojnë. Gjuhët mësohen në shkollë.
Le t’u japim fëmijëve tanë sot atë që nesër mund të jetë lidhja më e fortë me rrënjët e tyre.
Ju mirëpresim për një të ardhme më të fortë për fëmijët tanë.
Burimi/Facebook


Leave a Reply