Figura e papërsëritshme dhe e jashtëzakonshme e Pjetër Bogdanit përbën një nga stacionet më të mëdha dritëdhënëse të kulturës shqiptare në të gjithë shekujt.
Pjetër Bogdani nuk është vetëm një kryemjeshtër mrekullibërës i gjuhës shqipe, por me sa duket ai është dhe ka mbetur teologu më i madh i krishterë në gjuhën shqipe që reflekton një humanizëm të pashoq në letrat evropiane, si dhe një nga poetët më të përndritur të poezisë së stilit barok në Shqipëri dhe në Evropë në shekullin XVII.
Kam vite që e studioj Pjetër Bogdanin, librin e tij epokal “Çeta e Profetëve”. Kam vite që shfletoj relacionet e tij të botuara në vëllime të mëdha të nxjerra nga arkivat e Vatikanit dhe të Kongregacionit të Shenjtë. Janë mijëra e mijëra faqe që përbëjnë eposin bogdanian. Aty ka të dhëna për historinë, kozmologjinë, teologjinë, poezinë e stilistikën, teorinë e metaforave dhe të interpretimeve tekstologjike, gjeografinë dhe antropologjinë.
Rëndësia e Pjetër Bogdanit si poet është pa një të dytë në letrat shqipe. Ai është krijuesi i ciklit unikal të quajtur “Cikli i Sibilave”, që përmban profecitë e vajzave pagane të njohura si parathënëse të ardhjes dhe triumfit të Mesisë, d.m.th. Krishtit.
Vetëm me “Ciklin e Sibilave”, Pjetër Bogdani ka hyrë përfundimisht në panteonin e poezisë shqipe. Ky cikël i mrekullueshëm është ndërtuar mbi strukturën e alegorisë dhe poezisë transcendentale. Ai është një unitet më vete dhe, për nga moderniteti dhe plotfuqishmëria e të shprehurit, mund të hyjë ndër ciklet më të mëdha poetike të krejt poezisë evropiane baroke të shekullit XVII.
Shekuj më vonë, vetëm Fan Noli krijoi një cikël gjithashtu unik me motive engjëllore të Testamentit të Ri. Por në letrat dhe relacionet e Bogdanit ka të dhëna të paçmuara për poetët më të mëdhenj të Antikitetit, sidomos për Homerin dhe Virgjilin, pa harruar këtu ndikimin e frytshëm të vetë Dantes në strukturat konceptuale të shkrimit të Bogdanit.
Bogdani është një poet poliglot. Ai shkruan mrekullisht në disa gjuhë të mëdha, si p.sh. në latinisht, hebraisht, arabisht, italisht, si dhe në gjuhën shqipe.
Dua të kumtoj një kryevepër poetike që ndodhet në një nga letrat e tij të vitit 1681.
Është fjala për një krijim të fuqishëm, të shkruar nga Bogdani në latinisht, prej 28 vargjesh, që mund të konsiderohet me plot gojën një çudi poetike e vërtetë. Kjo kryevepër e poezisë konceptuale të Bogdanit është shkruar katër vjet përpara se ai të botonte kryelibrin e tij “Çeta e Profetëve”, në botim dygjuhësh, shqip dhe italisht.
Duke lexuar tekstin e letrës së Bogdanit, mësohet se ai kishte shqetësime nga njerëz të afërt të tij, të cilët madje shpifnin dhe spiunonin tek eprorët e Vatikanit. Bogdani shprehet se do të qëndrojë fort në parimet e tij morale dhe nuk do të përkulet as nga cmira, as nga opinionet negative.
Ai thotë se, i frymëzuar nga meditimet e tij gjatë qëndrimit në qytetin Riolo, ka shkruar poezinë në latinisht të quajtur “Mundus Eversus”, d.m.th. “Bota Ndryshe”, ose “Bota e Kthyer Mbrapsht”.
Poezia është në një latinishte humanistike mesjetare dhe paraqet vështirësi në përkthim. Po jap për herë të parë për lexuesin shqiptar të përkthyer në shqip këtë poemë në latinisht të Bogdanit.
𝗠𝗨𝗡𝗗𝗨𝗦 𝗘𝗩𝗘𝗥𝗦𝗨𝗦 – 𝗕𝗢𝗧𝗔 𝗡𝗗𝗥𝗬𝗦𝗛𝗘
𝐾𝑗𝑜 𝑒̈𝑠ℎ𝑡𝑒̈ 𝑏𝑜𝑡𝑎 𝑒 𝑘𝑡ℎ𝑦𝑒𝑟 𝑚𝑏𝑟𝑎𝑝𝑠ℎ𝑡. (- 𝑒 𝑘𝑢𝑛𝑑𝑒̈𝑟𝑡𝑎).
Poezia e mësipërme është e ngritur mbi simetrinë dhe njëkohësisht asimetrinë e ironisë dhe të kundërvënieve. Kjo poezi, në shqip dhe latinisht, meriton të përfshihet në çdo lloj antologjie serioze me kërkesa të larta estetike.
Mund të thuhet që një poezi të tillë nuk e ka deri më sot asnjë krijues shqiptar. Kjo poezi është një klithmë humaniste kundër dhunës dhe hipokrizisë.
“Bota Ndryshe” është një substancë mesianike për të gjithë ne.

Burimi/Facebook/Hasi Info


Leave a Reply