Artisti me origjinë shqiptare, Adem Dalipi, ka tërhequr vëmendjen gjatë ceremonisë së diplomimit në Northern Illinois University, ku u shfaq me një shall me shqiponjën dykrenare, duke shprehur me krenari origjinën e tij.
I lindur dhe rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Dalipi ndau në rrjetet sociale momente nga ceremonia, ku ishte i shoqëruar nga familjarët. Ai i falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme gjatë rrugëtimit të tij akademik dhe artistik.
Prindërit e Ademit janë me origjinë nga Kërçova, ndërsa ai ka treguar më herët se, edhe pse u rrit në SHBA, familja e mbajti gjithmonë të lidhur me kulturën dhe traditat shqiptare.
Në një intervistë për KultPlus, artisti kishte rrëfyer se pasioni për muzikën u zbulua që në klasën e tretë, kur një mësues vuri re talentin e tij. Që prej moshës 11-vjeçare ai nisi të shkruante këngët e para, ndërsa më vonë mori pjesë edhe në audicionet e “American Idol”, ku fitoi “biletën e artë” nga Lionel Richie, Katy Perry dhe Luke Bryan.
Sot, Adem Dalipi vazhdon të ndërtojë karrierën e tij artistike, duke mos harruar asnjëherë rrënjët shqiptare, të cilat i shfaqi me krenari edhe në një nga ditët më të rëndësishme të jetës së tij.
Burimi/Facebook/Revista Ora


Leave a Reply