POETI I VETMISË
Elegji
Kurrsesi nuk dua ta besoj. që Fredriku nuk është më!Nuk dua ta pranoj këtë fakt, sepse në shpirtin tim prej idealisti ka bërë fole mirësia e tij kristiane. Askujt nuk ia dua të keqen, ca më tepër vdekjen. Sa për Frederik Rreshpjen, po qe për të ikur, do ta kishte sosur jetën në vitet 70-të, kur demoni Hoxha na përplasi të dyve, si kaq e kaq të tjerë, rrëpirave dhe galerive të Spaçit. Aty ku të ngjante se kishe arritur caqet e fundit të jetës, mes atij ferri të sajuar me tela me gjemba, me karakolle, armë të rënda dhe uniforma të ftohta, diku mes maleve te veriut, thellë një grope me një pëllëmbë qiell përspër,ku në fund të fundit vetë jeta humbte vlerat e saj mes shpërfytyrimit njerëzor.
A mund të buzëqeshte njeriu i ngujuar, përbrenda së keqes më ekstreme? E pra, njeriu që quhej Frederik Rreshpja, një nga talentet më të mëdha poetike të asaj kohe, ndër të rinjtë mbase më i ndjeshmi, qe nga të paktit midis nesh që dinte të buzëqeshte. Në sytë e tij të hirtë kishte shumë dritë. Në ballin e tij të gjerë endej puhiza e shpresës. Në fjalën e tij të butë, si të mëndafshtë, buiste ngrohtësia e kaminave të zjarrit. Befas, fytyra e tij si e Dantes, kthehej në një simbol shprese, shndërrohej në një fytyrë perëndie. Ishte çasti sublim kur edhe poeti, edhe njeriu, edhe i ngujuari i ferrit njësoheshin në qiellin e qenies së tij. Si një meteor që vazhdimisht digjet me flakën e vet.
Frederik Rreshpja ishte një botë me vete. Një botë e tërë. Një shpirt bohemi, buzëplasur dhe i trishtuar, përherë kërkues, novator, krejt i veçantë në fizionominë e tij. Libri i tij i fundit “Në Vetmi” reflektonte botën vetmitare të poetit, ku janë brenda edhe shpresa edhe revolta, rrezatimi i jetës dhe hija e vdekjes. Një libër profetik, që e kishte me vete aty ku e degdisën së fundi, në një azil pleqsh të harruar nga njerëzit e tyre, si edhe nga tërë shoqëria moderne e civilizuar . Kapaku i librit të tij “Në Vetmi” u shndërrua kësisoj në kapak të arkivolit të tij….
Më ke tronditur me atë ikje aq të mjerë, i pështjellur tmerrësisht nga vetmia jote. Ike përgjithmonë, i varfër, i drobitur nga jeta, gati i përçudnuar…Unë nuk do ta kem më atë mundësi të ethshme që ta shoh edhe një herë fytyrën tënde si të brazduar nga kushedi se sa plugime torturash dhe të ndalem një copë herë përpara syve të tu tepër të butë, që dukeshin se ishin si në një lotim të përjetshëm. Unë nuk do ta dëgjoj me zërin tënd të ëmbël, fjalën e shtruar e të mençur. Bukuria jote njerëzore, shpirti poetik, mirësia prej Jezu Krishti që kishe në zemër, për çudi fshihej pas pamjes tënde të sakatosur në shëmti. Por këtë, rrallë njerëz e kuptonin. Të tjerë, të identifikuar me sinonimin e së keqes, të ligësisë e të mbrapshtisë, “ të gremisën”, gjersa të gjetën për strehë burgun e më pas azilin…
Më besoni, o njerëz: do t ‘ju thosha se nuk kam takuar e njohur, në këtë jetë të mundimshme asnjë njeri që, pas tipareve të ashpra e hijes enigmatike, të kishte një shpirt aq të pastër. Kjo ndodhte me ty, Frederik Rreshpja, që rrëfeje së jashtmi prozë të zymtë e fshihje në brendësi poezi aq të brishtë, të njomësht, kristale.
Doja që të gjerbnim edhe një herë kafe tek “Kafja e Madhe” në Shkodër e të na zinte përsëri mesnata duke biseduar nën magjinë e tingujve të violinës së Mark Kaftallit. Por…do të hynte mizorisht në mesin e këtyre kujtimeve një figurë e tmerrshme:”Tasi i Burgut”, ku ne të dy hanim bashkë aty, në Spaçin e llahtarshëm dhe që, kur ti u lirove, ma dhurove mua, si një relike…Një relike e rrallë, apo jo?!
Mjerimi ynë, shpërfytyrimi njerëzor, tortura, pikëllimi vetiak, proza e poezia, qenë reduktuar në këtë relike banale. Në atë hon vdekjeprurës të diktaturës komuniste, mes maleve shkëmbore, vërtiteshim ngushtësisht, bashkë me Edison Gjergon, Halil Lazen, Zyhdi Moravën, Maks Velon, Fatos Lubonjën, Visar Zhytin, Hasan Bajon, Xhevat Alibalin, Dhimitër Furxhiun, Luan Maluken e më shumë të tjerë, me tase të tillë nëpër duar e lugë alumini në brez, si të ishim njerëz primitivë, për të parë e ndjerë sesa e rëndë dhe e dhimbshme është jeta.
Ne ishim aty personazhe të një tragjedie të pashpresë. Rrezet e diellit aty nuk depërtonin…dhe ëndrrat na dilnin të gjymtuara…Ndërsa njëri-tjetrin e shihnim me frikë…A të kujtohet? Ti, miku im Frederik Rreshpja, m’u afrove me atë pallton e zhubrosur e dalë boje që të arrinte gjer te fundi i këmbëve, duke mos e hequr nga fytyra jote vrarëlije një buzëqeshje të mjerë, por që mua m’u duk si një dritë në errësirën e pafund. Qe viti 1980.
Një vit më pas ti do të liroheshe nga burgu dhe m’u afrove përsëri me tasin tënd prej fibre plastike. Oh, Perëndi! Tasi im ishte prej alumini, plot gropa e vrima te vogla, si të shpuara me gjilpërë, holluar e shtrembëruar nga përdorimi i tepërt prej brezave të shumtë të ngujuarve të “galerës”!…M’u duk sikur më dhurove diçka të madhe, ndaj dhe unë e ruajta, e përdora për të hedhur supën e përditshme me pak presh, e mora me vete edhe pas lirimit tim dhe u thoshja njerëzve te mi: “Mos ma hidhni poshtë Tasin e Rikut!”. Pasi me të kishim ngrëne pirë së toku kupën e helmit dhe kishim shkruar emrat tanë në aktet e një tragjedie…
Po ç’u bëre, o njeri i mirë? Nga humbe kaq kohë? Dhe, përse u desh që të të merrte pikërisht ty, o i vuajturi i Perëndise, vetë Perëndia? Nuk e meritoje këtë ndëshkim fatal, Frederik Rreshpja!
Disa vjet më parë, nga dheu i huaj ku bitisa, më ra në dorë një gazetë shqiptare, ku shruhej se të kishin përplasur në një Azil Pleqsh…Dhe mua më ngjau se të kishin futur rishtazi në burg… U trondita shumë! Një parandjenjë fatale më shtyu para disa muajve që të të kërkoja me ngulm nëpër Tiranë…Miku ynë i vuajtjeve, Zydi Morava, më tha se kishte kohë pa të parë dhe se ishte tepër i brengosur prej rënies tënde morale dhe shpirtërore, si pasojë edhe i një rrënimi ekonomik të thekshëm. Dikush tjetër të kishte vënë re, në një lokal të thjeshtë, me një gotë konjaku përpara, pranë vëllimit poetik “Ne Vetmi”,ku ishte tretur e tërë bota jote e trishtë prej poeti të braktisur nga të gjithë…
Po, po……Nga të gjithë!
Më fal, o mik që nuk të gjeta dot, por jam i bindur se do të të gjej aty ku ke vajtur…Në vuajtjen e përjetshme ose në “parajsën e lumtur”, sido që të jetë ajo…
Mirupafshim pra, miku im i mirë!
(Botuar në “Gazeta e Athinës”…09.03.2006)
***
Rikujtesë zie. Piqeras, një ditë para Ditëlindjes tënde (19 korrik 1942) dhe dy dekada pas ikjes nga jeta. Viti 2026. Shiko më pak
Burimi/Facebook


Leave a Reply