Një ndër gjërat që më bën më shumë përshtypje në shoqërinë shqiptare është polarizimi dhe ndjenja e urrejtjes që vazhdon ta karakterizojë atë.
Ky popull, edhe më shumë se 80 vjet pas Luftës së Dytë Botërore dhe mbi 35 vjet nga tranzicioni drejt demokracisë së brishtë të sotme, vazhdon të shfaqë si arketipe shoqërore partizanin dhe ballistin.
Në fakt, lufta e klasave e ndjekur nga Partia e Punës e ndau këtë popull në të mirë dhe të këqij, në patriotë dhe tradhtarë. Ajo solli një filozofi dhe një retorikë politike krejtësisht të papërshtatshme për kontekstin shqiptar: një luftë kundër kapitalizmit në një vend që ende kishte një ekonomi të mbyllur e kryesisht feudale.
Beteja politike nuk është më një betejë idesh, vlerash apo parimesh. Ajo është një luftë personale, fisnore, e zhvilluar në mbrojtje të trashëgimisë familjare dhe biografisë së secilit.
Gjithsesi, ardhja në politikë e fenomenit të Rilindjes krijoi diçka të re.
Edi Rama, nga viti 2013 e deri më sot, ka përdorur “partizanët” si një kapital politik për t’u shfrytëzuar, duke përdorur simbolet dhe fjalorin e PPSH-së dhe më pas të Partisë Socialiste të Fatos Nanos. Por, nga ana tjetër, ai e shndërroi Partinë Socialiste edhe në një makineri të kapitalizmit më të rrezikshëm, atë që ekonomisti gjerman Wilhelm Röpke e përkufizon si një “kapitalizëm të mbyllur”, ku oligarkia dominon dhe oligopolet sundojnë ekonominë.
Partia Socialiste sot shfrytëzon propagandën dhe retorikën komuniste, por kjo nuk është arsyeja e vetme pse Edi Rama vazhdon ta mbajë pushtetin.
Çfarë ndodhi?
Partia Socialiste është kthyer në një ashensor social për njerëz me një mentalitet egoist dhe nihilist. Pushteti dhe paraja janë bërë tepër tërheqëse për të gjithë ata që nuk kanë besim, vlera dhe një botëkuptim që shkon përtej mirëqenies materiale.
Në këtë situatë dhe në këtë kontekst, lufta e një partie si Partia Demokratike bëhet edhe më e vështirë.
Lufta nuk është më vetëm kundër së majtës së vjetër, kundër përrallave të 28 mijë dëshmorëve apo filmave të Kinostudios. Tani ajo është edhe kundër fenomenit të nihilizmit dhe përdorimit të partive politike si mjete për ambicie personale.
Ka shumë njerëz që ndryshojnë parti sikur të ishin lojtarë futbolli, dhe këtë Partia Demokratike e di shumë mirë.
Për këtë arsye, Partia Demokratike ka nevojë të ndryshojë deri diku retorikën e saj.
Fatkeqësisht, retorika e qëndrestarëve dhe e atyre që e kanë kundërshtuar qeverinë aktuale që nga viti 2013 garanton mbështetjen e militantëve dhe të atyre që kanë votuar gjithmonë për këtë parti.
Por zgjedhjet fitohen edhe duke shtrirë dorën drejt sektorëve të tjerë të shoqërisë.
Partia Demokratike ka detyrën të bëjë atë që Balli Kombëtar kërkoi të bënte në gushtin e vitit 1943 me Konferencën e Mukjes: jo luftë klasash, por bashkëpunim mes klasave.
Edi Rama nuk mundet me retorikën e tij.
Kur ai shfaq autokracinë e tij lindore, ne duhet të shfaqim demokracinë perëndimore.
Kur ai përdor propagandë dhe ironi, ne duhet të përgjigjemi me seriozitet, përgatitje dhe vizion.
Njëkohësisht, edhe Partia Demokratike nuk duhet të mendojë se është e imunizuar nga rreziku i njerëzve narcistë dhe interesaxhinj. Përkundrazi, sa më afër pushtetit të afrohet, aq më shumë do të tërheqë individë që e shohin politikën vetëm si mjet karriere.
Përballë këtij fenomeni ekziston vetëm një ilaç: puna dhe meritocrazia.
Burimi/Facebook


Leave a Reply