Lola Çerku publikon dokumentin e Bashkisë Shkodër dhe ngre akuza për përzgjedhjen e pjesëmarrësve
Një tjetër reagim ka shoqëruar vizitën e kryeministrit Edi Rama në Theth, këtë herë nga banorja e zonës Lola Çerku, e cila ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e organizimit të takimit dhe personat që morën pjesë në të.
Çerku pretendon se në takimin e zhvilluar në Ndërlysaj nuk ishin banorët e Thethit, por një grup i përzgjedhur personash, mes të cilëve sipas saj edhe përfitues të Paketës së Maleve dhe jo ata banorë që kanë pasur problematika pas ndërhyrjeve të vitit të kaluar.
Në reagimin e saj, ajo ka publikuar edhe një dokument zyrtar të Bashkisë Shkodër ku afishohen përfituesit e Paketës së Maleve, duke pretenduar se disa prej emrave të listës ishin të pranishëm në takimin me kryeministrin.
Reagimi i plotë i Lola Çerkut:
Thethi ka rreth 140 bujtina. Dje pamë videon. Ishin 6 rreshta me nga 6 karrige. Bëjeni vetë llogarinë. Pastaj hiqni familjarët, administratën e bashkisë, ata që ishin aty për detyrë dhe ata që nuk mungojnë kurrë kur pushteti organizon një takim. E pastaj na tregoni sa “i gjithë Thethi” kishte dalë për ta pritur.
Edhe vendi nuk u zgjodh kot. U zgjodh Ndërlysaj. Pse? Nuk ka nevojë për teori. Regjistri i lejeve të ndërtimit është publik. Kush ka qejf ta kuptojë, e gjen me dy klikime.
Por ajo që më bën më shumë përshtypje nuk është as numri i njerëzve, as vendi i zgjedhur. Është mënyra si u raportua. Në vend që të numëronin, të verifikonin dhe të tregonin çfarë shihej me sy, disa media na shitën përrallën e “pritjes me lule e buzëqeshje”.
Sot paska ardhur puna që edhe kur e ke videon para syve, duhet të besosh titullin e jo atë që sheh.
Të gjitha këto janë informacione publike. Nuk duhen burime sekrete, nuk duhen dosje. Duhet vetëm pak vullnet për të kërkuar të vërtetën dhe pak ndershmëri për ta treguar ashtu siç është.”
Burimi/Facebook/Portali Veriu Sot


Leave a Reply