Këto ditë, një ministre serbe u bë personazhi më i komentuar në hapësirën tonë publike. U analizua çdo fjalë, u interpretua çdo fjali dhe, pa e kuptuar, ia rritëm peshën politike më shumë sesa mund t’ia kishin rritur mediat e debatet në vendin e saj.
Por, për çfarë u habitëm kaq shumë?
Mos vallë ende nuk e kemi kuptuar se pjesa më e madhe e establishmentit politik serb vazhdon ta shohë Kosovën përmes prizmit të së kaluarës dhe jo të realitetit?
Ajo ministre nuk shpiku ndonjë doktrinë të re. Thjesht pati një çast sinqeriteti politik. E tha me zë atë që shumë të tjerë e mendojnë në heshtje dhe e fshehin pas petkut të diplomacisë.
Për këtë arsye, ndoshta nuk duhet ta kritikojmë pse foli. Përkundrazi, mund ta falënderojmë që, për disa minuta, e zëvendësoi hipokrizinë me sinqeritetin. Për ne kjo nuk është kurfar risie ndersa politika nderkombëtare le ta sheh mendësine e politikës fashiste serbe!
Por problemi nuk është ajo.
Problemi jemi ne.
Ndërsa merremi me deklaratat e Beogradit, Prishtina vazhdon të mbetet peng i matematikës politike. Kemi kaluar tri palë zgjedhje, ndërsa hija e një të katërte endet mbi skenën politike si një serial që nuk gjen kurrë episodin e fundit. Qytetarët presin institucione, politika u ofron kalkulime. Populli kërkon stabilitet, ndërsa liderët vazhdojnë të numërojnë mandate.
Paradoksi është se disa prej nesh shqetësohen më shumë për deklaratat e ministrave serbë sesa për mungesën e funksionalitetit të institucioneve tona dhe shtetit tonë!
Nëse vazhdojmë kështu, rrezikojmë ta shndërrojmë debatin publik në një teatër absurd: Serbia prodhon deklarata, ne prodhojmë reagime, ndërsa institucionet tona prodhojnë… pritje.
E, në këtë mes, shteti mbetet në korridor.
Institucionet e Kosovës nuk janë dhuratë e askujt. Ato janë rezultat i sakrificës së një populli që pagoi çmimin më të lartë për lirinë dhe shtetësinë. Pikërisht për këtë arsye, është paradoksale që sot pengesa më e madhe për funksionalizimin e tyre nuk vjen nga jashtë, por nga paaftësia jonë për të ndërtuar konsensus brenda shtëpisë sonë.
Patriotizmi nuk matet me numrin e reagimeve ndaj Serbisë.
Patriotizmi matet me aftësinë për të ndërtuar institucione që funksionojnë, me respektimin e Kushtetutës, me kulturën e kompromisit dhe me përgjegjësinë ndaj qytetarëve.
Prandaj, kjo nuk është një thirrje kunder një ministre serbe. Ajo do të vazhdojë të mendojë siç mendon.
Por…
Kjo është një thirrje për deputetët, liderët politikë dhe çdo të zgjedhur të popullit.
Mandati që mbani nuk është dekoratë. Është obligim kushtetues, etik dhe historik.
Sovrani ua ka besuar shtetin për ta forcuar, jo për ta bllokuar. Ta udhëheqësh një republikë është privilegji më i madh që mund t’i jepet një politikani, por njëkohësisht është edhe përgjegjësia më e rëndë.
Uluni. Dialogoni.
Arrini marrëveshje.
Sepse historia nuk do t’ju gjykojë për fjalët që keni thënë kundër ministres që në asnjë mënyrë nuk dua të ja permendi emrin!,
, por për veprat që keni bërë për Kosovën.
Në fund të fundit, mbi partitë, mbi interesat elektorale dhe mbi egot politike, ekziston një e vërtetë që nuk duhet harruar kurrë:
Shteti është më i madh se secili prej nesh. Ndërsa ne, pavarësisht dallimeve politike, mbetemi bij të të njëjtit komb dhe bartës të së njëjtës përgjegjësi historike!
Burimi/Facebook


Leave a Reply