Deklarata juaj e fundit se akti i padrejtë normativ, i nxjerrë nga Kryeministria më e korruptuar në Europë, i cili i dha me urgjencë një koncerti private 4,2 milionë euro nga paratë publike të qytetarëve, nuk ua ndryshon jetën pensionistëve, ishte fyese për të madh e për të vogël.
Unë që po ju shkruaj jam një prej 4,5 milionë shtetasve shqiptarë që marrin frymë mbi këtë tokë, një prej 2,4 milionë shqiptarëve që jetojnë brenda vendit, një prej qindra mijëra qytetarëve që kanë dalë në përballje me aktet korruptive të qeverisë suaj, një prej mijëra profesionistëve të lirë që luftohen çdo ditë nga padrejtësitë e pushtetit dhe një prej qindra qytetarëve të angazhuar politikisht që e kanë provuar të garojnë përballë sistemit 36-vjeçar të tranzicionit.
Para disa ditësh, qeveria e drejtuar juaj prodhoi një tjetër akt normativ të padrejtë, dha me urgjencë 4,2 milionë euro dhe ju dolët e justifikuat, edhe me koston e përbaltjes së rinisë suaj. Jo se më vjen ndonjë fije keqardhjeje për ju personalisht, pasi e kam shumë të qartë se si funksionon mekanizmi baltë-shpërblim i ngritur nga Edi Rama. Një mekanizëm djallëzor, që nga njëra anë godet në sytë e popullit shqiptar imazhin e fuqisë së brezit tonë për ta ndryshuar politikën ndërsa, nga ana tjetër, shpërndan dividendin personal në xhepin e secilit prej bashkëpunëtorëve që është gati të përbaltë veten e të tjerë.
Bashkëpunëtorët e brezit të ri të një sistemi të kalbur politik mund të paguhen me çdo post, nga një vend parazit në administratë e deri në deputet, Avokat i Popullit apo ministër. Një haraç i turpit dhe nëpërkëmbjes së një brezi të tërë, që pushteti do ta nxjerrë si të paaftë të drejtojë dhe se të vetmen formë promovimi ka vetëdiskreditimin publik.
E pikërisht këta jeni ju, bashkëpunëtorët, njësoj si ata të mjerët gjatë Luftës së Dytë Botërore, që mendonin se bashkëjetesa me të keqen do t’u siguronte mirëqenie personale. E, fatkeqësisht, me të njëjtën analogji, për hir të mbrojtjes së një padrejtësie të Edi Ramës, edhe ju duhej të mbronit edhe të shpërfytyruarin me famë botërore, Kanye West, duke thënë se deklaratat e tij antisemite nuk i shihnit si problem.

Ju mund të jeni e re, znj. Çakërri, por nuk i përfaqësoni të rinjtë në politikë, sepse, nëse na pyesin ne se çfarë mendimi kemi për njeriun që nisi Luftën e Dytë Botërore dhe shkaktoi mbi 75 milionë viktima, nuk themi se nuk kemi mendim, por se ai është një nga kriminelët më të mëdhenj në histori dhe se çdo ide apo akt që insinuon afërsi politike me të duhet dënuar me të gjithë forcën morale dhe ligjore.
Ju mund të jeni e re, znj. Çakërri, por nuk i përfaqësoni të rinjtë në politikë, sepse ne jemi ata që po mbajmë peshën financiare të mbijetesës së prindërve tanë. Ne jemi ata që kontribuojmë në skemën e sigurimeve shoqërore, të mbajtur qëllimisht në falimentim. Ne jemi ata që përgjigjemi kur pensioni nuk mjafton. Ne jemi ata që përgjigjemi kur ata kanë një urgjencë. E ne jemi ata që ndonjëherë nuk ia dalim t’i ndihmojmë dhe familjarët tanë ndërrojnë jetë para kohe. Një brengë që uroj të mos e provoni vetë, por që unë e kam përjetuar përmes miqve të ngushtë, të cilëve largimi i detyruar jashtë vendit ua la familjarët, pensionistët tuaj, në dorën e një shteti të dobët dhe të një qeverie kriminale.
Ju mund të jeni e re, znj. Çakërri, por nuk i përfaqësoni të rinjtë në politikë, sepse asnjë i ri nuk do ta justifikonte shpërdorimin dhe vjedhjen e parasë publike, ndërkohë që emergjencat civile janë ende jashtë çdo standardi europian dhe shqiptar. Nevoja për shkollim dhe punësim më ka shpërngulur në Tiranë prej më shumë se dy dekadash, ndërsa prindërit e mi, sot pensionistët tuaj, jetojnë në Laç të Kurbinit. Më 26 nëntor 2019, në orën 03:54 të mëngjesit, ra një tërmet i tmerrshëm, që prindërit e mi dhe pensionistët tuaj i gjeti të vetëm në një apartament të ndërtuar në kohën e diktaturës.
Si pasojë e mbingarkesës së rrjetit telefonik, unë nuk arrita të lidhesha në telefon as me prindërit e mi dhe as me policinë. Kilometrat midis dy qyteteve e bënë të pamundur ndihmën time në atë moment, por, falë Zotit, disa familjarë të rrethit të parë jetonin ende atje dhe arritën të shkonin te shtëpia e prindërve të mi. Si pasojë e tërmetit, dera e jashtme ishte bllokuar dhe prindërit e mi ishin të vetmit në pallat që nuk kishin arritur ende të dilnin, edhe pse pasgoditjet vazhdonin dhe pallati mund të shembej nga momenti në moment. Familja ime shpëtoi sepse dera u shkallmua me forcë nga disa familjarë të tjerë të mi. Shteti jo vetëm që mungonte, por askush as nuk e priste.
Edhe unë i ri jam, vetëm dy vjet më i madh se ju. Por, ndërsa ju prisnit ofiqin e radhës nga kjo neveri që formalisht quhet ende qeveri dhe administratë, unë prisja që një ditë dikush të bënte diçka për emergjencat civile në këtë vend. E shikoni dallimin midis meje dhe jush? A mendoni vërtet se janë shumicë njerëzit që mendojnë se shpëtimi i një koncerti privat konsiderohet urgjencë?
A mendoni vërtet se jemi pakicë ne që mendojmë se urgjencë janë investimet në emergjencat civile dhe në shërbimet spitalore? E kur, larg qoftë, të bjerë tërmeti, të shpërthejë zjarri apo të vijë përmbytja e radhës, a do ta gjeni ende guximin të dilni në media për të pastruar imazhin e hajdutëve me pushtet, siç po dilni prej 40 ditësh duke fyer dhe intimiduar qytetarët në protestë?
Ju kanë thënë të thoni se protesta janë ata tre banditë të maskuar që hedhin gurë mbi policët e nënpaguar prej jush.
Ju kanë thënë të thoni se protesta sulmon turizmin e Shqipërisë me vlerësime negative ndaj bizneseve të z. Gjergj Luca.
Ju kanë thënë të thoni se protesta nuk e do anëtarësimin në BE, se kërkon largimin nga NATO-ja dhe nga SHBA-ja, për t’u bashkuar me armiqtë e Shqipërisë. Turp nëse i besoni dhe i thoni, edhe më shumë turp nëse nuk i besoni dhe përsëri i thoni.
Qindra mijëra qytetarët në protestë janë ata djem e vajza, burra e gra, që nuk kanë shkelur kurrë një ligj në jetën e tyre. Janë ata që e duan Shqipërinë si gjithë Europa, njësoj si prindërit e tyre, të cilët sistemi juaj politik i manipuloi në vitin 1990. Janë ata që janë angazhuar publikisht dhe politikisht dhe që, pavarësisht njëqind padrejtësive, kanë arritur të mbledhin një votë masive qytetare. Janë ata punonjës të ndershëm të administratës që, pavarësisht se nuk mund të dalin publikisht në protestë, nxjerrin familjarët e tyre dhe mbështesin çdo lëvizje qytetare dhe politike që po vendoset në krahun e duhur. Janë ata shqiptarë të diasporës që, pasi antishteti i largoi për ta pasur më të lehtë sundimin e vendit, po bëjnë gjithçka që Shqipëria ta pastrojë shtetin e saj nga hajdutët, vemjet dhe parazitët e të ashtuquajturit “bllok” i ri dhe i vjetër.
A e dini ju, znj. Çakërri, se në vitin 2019, kur ra tërmeti që mori 51 jetë shqiptarësh, strukturat e Mbrojtjes Civile i kishin kamerat termike në magazina, por mungonin strategjia, trajnimi dhe organizimi për t’i përdorur?
A e dini, znj. Çakërri, se që prej vitit 2019, kur ra tërmeti që mori 51 jetë shqiptarësh, la mbi 3 mijë të plagosur dhe shkaktoi një dëm ekonomik ende të pallogaritur, qeveria që ju mbani me kartonin tuaj nuk ka hartuar ende një strategji dhe nuk ka bërë një investim serioz në Mbrojtjen Civile?
A e dini ju se, edhe pse vitin e kaluar u dogjën mbi 50 mijë hektarë tokë dhe një person humbi jetën, ende nuk janë ngritur kapacitetet e nevojshme, pavarësisht premtimeve dhe sugjerimeve të autoriteteve europiane? Apo do t’i lutemi edhe këtë vit Greqisë që të na shpëtojë një qytet tjetër, siç bëri me Delvinën vitin e kaluar, ku flakët e tmerrshme u shuan vetëm nëpërmjet flotës së saj ajrore? Edhe te kjo lutja e radhës që bëni ju, pseudopatriotët socialistë, merreni guximin dhe thoni ndonjë fjalë për agjenturat në protestë, apo edhe në këtë rast secili për vete e Zoti për të gjithë?
Jo, znj. Çakërri, Zot për ju nuk ka, por kjo është një çështje me të cilën gjithsecili do të përballet në kohën e duhur.
Jo, znj. Çakërri, shtet që të lë vetëm përballë zjarrit, ujit dhe tërmetit nuk ka, por edhe këtë do ta rregullojmë me mbylljen e tranzicionit politik.
Jo, znj. Çakërri, rininë nuk e përfaqësoni ju, por ata qindra mijëra të rinj të cilët, në shesh dhe në internet, në familje dhe në komunitet, janë ngritur përtej interesave të ngushta personale, sepse kemi kuptuar se shteti do të na duhet i fortë, pasi, në një ditë të keqe, nuk të bën punë as paga e përfituar nga pazari dhe as titulli i marrë nga sistemi i kalbur.
Kjo lëvizje qytetare dhe shoqërore ka në thelb një mesazh: ata që ju i konsideroni “pensionistët tuaj” janë fillimisht familjarët tanë. E ne, të rinjtë e këtij vendi, nuk pranojmë që, kur të plakemi, t’i kemi lënë vetes një shtet si ky i sotmi.
Burimi/Facebook/Erjon Bacaj Shqipëria Bëhet


Leave a Reply