10 vite më parë, në korrik 2016, bëra hapin më të madh që kisha bërë deri atëherë, lashë gjithçka kisha ndërtuar për dy dekada në Tiranë dhe u nisa drejt ëndrrës Amerikane për tu bashkuar me familjen. Një karrierë premtuese në bankë, vlerësime, familjarë, miq dhe e rrethuar me dashuri.
Brënda meje ishte ajo lufta që ndodh kur mendja të thotë, duhet siguri, e ndërsa zemra të thotë nëse nuk e provon ndoshta do të vijë një ditë që do të jetosh me një “ndoshta” dhe kjo do mjaftojë që të mos ndjehesh e plotësuar.
Mora leje të përkoshme nga puna dhe i thashë vetes: “Ta provoj. Ka diçka tjetër për ty”. Dhe në të njëjtën kohë, brenda meje kishte një zë tjetër: “E nëse nuk do të funksionojë?
E në emër të të ardhmes, e vendosëm së bashku me Ervinin që më përcolli dhe kur u ndamë në aeroport m’u duk si momenti i fundit. I thamë njëri-tjetrit: “Bëj durim”.
Erdha te familja në NY, por prindërit pas pak kohe u kthyen në Tiranë. E fundja unë isha ajo vajza e fortë, që kishte ikur nga vëndi për atë ëndrrën e Wall street. Duhet ta gjeja mënyrën si të funksiononte.
Dhe sigurisht përplasja brënda ishte shumë e fortë: E di që duhet të shikosh përpara, por mendja kthehet te ajo që është familjare që ke ndërtuar. Mezi prita të kthehem pas pak muajve në Tiranë. E jeta vazhdon, puna po ashtu.
Pastaj vjen bekimi: në pritje të një djali. Nuk besoj ka lumturi më të madhe, por pa e provuar mëmësinë as vetë nuk e kupton çfarë ndjesish mbart. Emocioni dhe shqetësimi i të ardhmes së tij më mbërtheu dhe harrova veten, por fokusi ishte: çfarë mundësie do ti jap? Dhe ndër 1000 pyetjesh në kokën time se çfarë dere që doja ti hapja, zgjodhëm të përgjigjeshim se SHBA do ishte shtëpia e tij dhe e jona, sepse donim që ai të kishte gjithë mundësitë dhe sigurinë që, ne prindërit e tij nuk i patëm.
E kështu erdhi vendimi i madh. Pas lodhjes së punës, problemeve të shëndetit me bajamet e çunit nuk priste më as koha për të mbajtur dokumentat dhe me nga dy valixhe, të tre si familje lamë gjithçka pas dhe u nisëm drejt tokës së premtuar.
Sigurisht që njëri-tjetrit i thoshim: “Ne e ngritëm vetë gjithçka në Shqipëri, e çfarë do të na pengonte ta bënim sërisht”?
Por nuk ishte e lehtë. E kishim ndërtuar gjithçka me shumë mund, por tjetër gjë pa “dritare orari” e pa na kërkuar njeri të jemi në shtëpi. E sigurisht përveç distancës së madhe të New York-ut kishte diçka më e vështirë për ta përtypur, njeriu që ishe dikur të kap fort te këmba dhe nën ndjesinë e mallit e gjen veten me 100 arsye për të qenë afër Shqipërisë.
E kështu çdo verë ishte atje, te shtëpia jonë që sikur na thoshte se e kishim braktisur. Ndjesi të forta, por vështirë ti shpjegosh. E thoshim se, duam që djali të mos shkëputej nga familjarët, të shijonim plazhin, diellin, të kalonim kohë me familjarët e miqtë, e si përfundim as familjarë e as miqtë nuk arrija ti takoja se 100 punë më dilnin duke ndjekur sa djalin në plazh dhe sa punët që sajoheshin në një shtëpi që e hapje një herë në vit. E shumë shpejt vinte dita të kthehesha, ku ajo dëshira e madhe para se të vija ishte zh’ndërruar në një ndjesi që as më kishte mbushur. Ishte një ndjesi e çuditshme, njeriu i vjetër kërkonte me çdokush ti përkiste dhe ai i riu, kërkonte diçka tjetër.
Puna e parë online, liçensa, pastaj vjen oferta e tjetër e punës në Wall Street, Financial district. Për çudi ajo që unë e kisha ëndërruar, nuk mu duk më shkëlqyese. Ato 3 orë udhëtim bënin diferencën në atë jetën që doja ti jepja një fëmije që e kisha hequr nga jeta sociale dhe e kisha mbyllur para ekranit. E ndërrova punën pikërisht për këtë arsye në një distancë më afër. E kështu vijuan vitet, ku kafia e mëparshme dhe daljet me shoqërinë u zëvendësuan me orë pune, seminare, libra, evente për network; ecje në park duke dëgjuar podkaste, rituale të vogla që të mbajnë me këmbë në tokë dhe miq që takoje sa gishtat e dorës. Aty mora forcë dhe zgjerova miqësitë e një formati tjetër, atyre online. Aktivizmi me organizatën e diapsorës “Diaspora Për Shqipërinë e Lirë” dhe komunitetin shqiptar në NY morën vëmendjen time më të madhe. Ndoshta malli më bënte ta gjeja një formë që të më mbushte, për faktin se jepja diçka komunitetit, njerëzve dhe vëndit tim. Jam mirënjohëse se jam mbushur shpirtërisht në këtë angazhim.
10 vite më parë nuk e kisha menduar që do të më duhej kaq shumë të riedukoja mendjen time, të harxhoja aq kohë me veten, të përballoja mendimet e mia në qetësi, dhe të rrisja veten edhe si person që dikur ishte në kërkim të miqve, pasi vetmia nuk ishte opsion, e tani nëse nuk e gjej kohën të qartësoj mendimet e mia, nuk është opsion.
Procesi i sfidave të mëson ta njohësh më shumë veten dhe një ditë ti kupton që, personi që sheh në pasqyrë është transformuar. E njëjta fytyrë, ndonjë rrudhë më shumë, por ama një tjetër forcë. Më shumë emocion. Më shumë përmbajtje.
E ky proçesi i rritjes personale sa ia vlen? Sot do të përgjigjem: Shumë më shumë seç mund të dija dhe e vlerësoja 10 vite më parë.
Ka edhe një anë që s’kam patur dëshirë ta tregoj, sa lotë kam derdhur në këtë rrugëtim. Ndjesi të forta. Por sigurisht transforimi nuk vjen pa larguar njeriun që ishe para emigrimit dhe mbajtja me çdo kusht i perceptimeve që kishe, veç të mbajnë të lidhur me zinxhirë me atë të dikurshmin. Pak flasim se sa herë biem dhe vritemi, pasi bota, e sidomos ajo shqiptare na kërkon të tregojmë se jemi të fortë. E kjo lufta brenda vetes është pagesa që duhet të bësh në momente të tilla.
Por koha është ilaç, thotë populli. E fundja dhe një pemë ta heqësh nga habitati që është përshtatur, në rastin më të mirë do ti duhet shumë kohë të përshtatet me habitatin e ri.
Dhe në këtë reflektim, them, se lashë pas gjithçka që kisha ndërtuar për Endrrën Amerikane dhe tani gjeta një forcë më të madhe për ta parë botën edhe më të madhe. Zgjodha rrugën më të vështirë: të dal nga rehatia dhe të nis nga e para.
Për mua, American Dream nuk është thjesht një histori e dëgjuar. E kam përjetuar në çdo qelizë timen dhe jam mirënjohëse pafund për mundësinë.
Gëzuar 250-vjetorin SHBA



Burimi/Facebook


Leave a Reply