Nga: Paulin Maçaj
Kjo deklaratë e paturp dhe ky justifikim mizerabël i kryeministrit është thika e finalizuar që na ngulet pas shpine, një pështymë e nxehtë mbi plagët e hapura të një populli që po lëngon e po jep shpirt! Të thuash pa fije turpi se “na erdhi turp ta anulonim koncertin” përpara një artisti të huaj, ndërsa nuk të vjen asnjë pikë turpi apo pendese për prindërit që lypin ndihmë nëpër rrjete sociale për të blerë ilaçet e fëmijëve, është dëshmia më rrëqethëse e një sekti pushtetarësh të zhveshur nga çdo ndjenjë njerëzore. Kjo nuk është thjesht një ndarje prioritetesh, ky është një krim i përbindshëm dhe një ekzekutim publik i dinjitetit tonë ku dritat e një spektakli dhe egoja e një tirani vlejnë më shumë se jeta, gjaku dhe fryma e qytetarëve tanë. Nuk duhet dhe nuk mundet kurrsesi të bjerë ritmi i protestës sonë, sepse ky koncert nuk është argëtim, por duhet lexuar drejt si një tallje skandaloze, një shuplakë e pafytyrë dhe një përpjekje e ndyrë për të shpërndarë vëmendjen nga mjerimi dhe rrënimi ku na kanë zhytur.
Shqiptarët sot po protestojnë me të drejtë sepse na vidhen hapur katër pikë dy milionë euro nga fondi i emergjencave për një shfaqje luksi ndërsa spitalet tona vijnë erë kalbëzim e janë pa shiringa, pa fasha dhe pa ilaçe kimioterapie për fëmijët tanë. Ne protestojmë për ato pensione mizerie që nuk u dalin të moshuarve as për bukën e gojës dhe që i detyrojnë të ndajnë kokrrën e ilaçit përgjysmë për të shtyrë edhe një ditë jetë. Ne protestojmë sepse po na grabiten pronat dhe trojet e të parëve me vendime korruptive për t’ia dhuruar oligarkëve, sepse po na zbrazet Shqipëria e po na ikën rinia nga sytë këmbët prej papunësisë, dhe sepse nuk mund të durojmë më këtë sistem të kalbur që me taksa të dyfishta e arrogancë mbron hajdutin dhe dënon të ndershmin.
Shiheni mirë se si pasqyrohet dhe si sulmohet revolta jonë nga kreu i qeverisë dhe nga kllounët e tij si Taulant Balla, Beqiri e Luca, të cilët na fyejnë e na quajnë mjeranë duke përdorur administratën dhe patronazhistët si presion për t’i lënë njerëzit pa bukën e gojës. Por këtë pasqyrim dhe këtë gjuhë të tyren mos e shihni si dobësi tonën, përkundrazi, duhet ta shihni si një arsye më shumë, si një kushtrim të madh për të ndezur edhe më fort uraganin e zemërimit tonë, sepse ata bëjnë zhurmë vetëm nga tmerri që kanë prej bashkimit të qytetarëve të lirë. Prandaj ky është momenti i madh historik ku duhet t’i lëmë anash të gjitha hatërmbetjet tona, të gjitha ndasitë politike, krahinore apo personale, sepse sot nuk ka rëndësi asgjë tjetër përveç kombit, dinjitetit dhe mbijetesës sonë. Duhet të jemi të gjithë bashkë për një kryengritje dhe bashkim kombëtar ashtu si në kohën e të madhit Gjergj Kastrioti Skënderbeu, sepse vetëm të bërë një trup i vetëm mund t’ia thyejmë dhëmbët këtij sekti mjeranësh që na qeveris.
Ngrihu o popull dhe mos qëndro duarkryq përpara kësaj zhvatjeje në dritë të diellit, por hidhu në një sulm frontal e në një ofensivë të pandalshme për ta rrafshuar këtë fasadë të kalbur. Dilni në çdo shesh, bllokoni çdo rrugë, sulmojeni këtë skenë mashtrimi dhe bëni diçka aq të madhe sa që lajmet e mbarë botës të tunden nga zëri ynë, që askujt mos t’i shkojë më ndërmend të tallet me ne. Koha e durimit ka vdekur nëpër spitale, koha e talljes mori fund dhe tani është koha e përballjes, ku ky uragan tërbimi do t’i ndjekë këta hajdutë hap pas hapi dhe llogaria përpara këtij populli të tradhtuar në palcë do të jetë e pashmangshme, e tmerrshme dhe e pamëshirshme!
Burimi/Facebook


Leave a Reply