Njëzet e gjashtë vite protestash nga më të ndryshmet, si pjesëmarrës, si organizator, si vëzhgues, më kanë mësuar se protestat janë mjete, jo zgjidhje. Mjete të fuqishme kur përdoren drejt, të rrezikshme kur harxhohen gabim.
Që të mos ketë vend për keqkuptim, e përsëris: dilni, protestoni për gjërat në të cilat besoni. Është një element jetësor i zhvillimit demokratik të vendit. Mbasi thashë këtë, çfarë mësimesh kam nxjerrë nga protestat që mund t’u shërbejnë sot protestuesve.
Mësimi i parë: politika dhe pushteti njohin vetëm raportet e forcës.
Ky është mësimi më i vështirë për t’u pranuar, sepse bie ndesh me gjithçka që na mësohet të besojmë mbi drejtësinë morale të kauzës. Por është i vërtetë dhe i pandryshueshëm. Qeveria ndryshon kur është e detyruar, jo kur e sheh si mundësi. Kur e sheh si mundësi, e menaxhon ndryshimin në favor të vet.
Sot pushteti nuk cenohet nga protesta në mënyrën si po zhvillohet. Simboli që ajo përfaqëson është pozitiv dhe i bukur. Ka të rinj, fëmijë, familje në rrugë që tregojnë një shoqëri që nuk ka dorëzuar ndërgjegjen e vet. Por simboli nuk detyron një qeveri.
Numrat parlamentarë janë aty, administrata është aty, mekanizmat e kontrollit janë aty. Dalja e protestuesve, sado e madhe dhe e sinqertë, nuk i cënon këto mekanizma. Në këto kushte, nëse qeveria ndryshon, e bën sepse zgjedh të ndryshojë, çfarëdo qoftë ndryshimi, duke pasur kështu mundësinë e përfitimit politik të momentit. Ndryshimi i zgjedhur është gjithmonë ndryshim i kontrolluar. Dhe ndryshimi i kontrolluar nga Rama është gjithmonë ndryshim në favor të Ramës.
Pyetja e vërtetë strategjike që protestuesit duhet t’i bëjnë vetes nuk është “sa shumë jemi?”, duke rënë në vetëkënaqësi, por “si e rrisim raportin e forcës në atë pikë që t’i imponohemi qeverisë?”
Përgjigja është e thjeshtë dhe të gjithë e dinë, pavarësisht se nuk kanë doemos guximin ta artikulojnë: masa i imponohet pushtetit kur bëhet faktor bllokues për ushtrimin e veprimtarisë së shtetit.
Mësimi i dytë: euforia e momenteve të para nuk zëvendëson organizimin.
Euforia mban njerëzit të karikuar por ajo bie. Dhe kur bie, nëse nuk ka organizim, fillon faza e çmobilizimit, e mërzisë, e lodhjes. Organizimi do të thotë para së gjithash identifikim i qartë i kërkesave të përbashkëta. Nëse kërkesat nuk janë të përbashkëta, kur bie euforia njerëzit nuk gjejnë armikun e jashtëm por armikun e brendshëm: njëri tjetrin. Protesta që nisi si bashkim mbaron si përplasje.
Organizimi do të thotë gjithashtu identifikimi i zëdhënësve, atyre që me besueshmërinë që u jep fjala dhe legjitimitetin që u jep veprimi ballafaqohen me qeverinë dhe përfaqësuesit e saj. Nëse turma nuk gjen mekanizmat për t’i identifikuar, pushteti do ta bëjë në vend të tyre, duke zgjedhur ata që i shkojnë më për mbarë dhe duke e delegjitimuar në mënyrë të tërthortë vetë protestën dhe atë çka përfaqëson.
Mësimi i tretë: faktori kohë është gjithmonë në favor të regjimit.
Njerëzit lodhen më shpejt se regjimi. Protestuesit marrin kohë nga jeta e tyre, nga hallet e tyre, nga familjet dhe punët e tyre. Regjimi ka burime, ka strukturë, ka durim institucional. Strategjia e tij e natyrshme është zgjatja, të presë derisa nevojat e jetës të bëjnë punën e vet.
Koha pra nuk është vetëm armike po aq fizike sa psikologjike. Çdo ditë që kalon pa rezultat të prekshëm gërryen besimin, dobëson bindjen, shtron pyetjen: “a ia vlen?”
Regjimi e di këtë. Një prej skenarëve që studion është ai i menaxhimit të kohës. Mjafton të mos humbasë derisa protesta të humbasë vetë. Lodhja nuk vjen me bujë. Vjen në heshtje, gradualisht, njëri pas tjetrit, derisa sheshi mbetet i zbrazët.
Historia në këtë mënyrë, me cinizmin e vet, do i kujtoj edhe atyre që deri dje tallnin të tjerë që përpiqeshin ndryshe, me po të njëjtat fjalë: “mbaroi edhe për sot xhiroja në Bulevard”.
Burimi/Facebook


Leave a Reply