Afërdita dhe Xhaferri ishin ende fëmijë kur babai i tyre, Fadil Dushku, vuante dënimin në burgun e Spaçit. Afërdita, më e madhja nga të dy, ruan ende kujtime të pashlyeshme nga takimet me të atin.
“Shumë gjëra i mbaj mend me detaje. Kur doja ta puthja babin, duhet të më ngrinin në krahë, nëna ose mami. Dritarja ishte e vogël dhe koka nuk hynte që ta puthnim njëri-tjetrin. Mbaj mend zhurmën e shulave të dyerve prej hekuri… Njëherë gjyshja qau shumë dhe i tha: ‘Je dobësuar’. ‘Kam qenë sëmurë’, i tha babi. Më pas na dërgoi një letër ku shkruante se bëhej nga një vend i vogël. Më vonë e kuptuam që ai vendi i vogël ishte biruca.”
Fadil Dushku lindi në Elbasan në vitin 1943. Pas pjesëmarrjes në Revoltën e Spaçit të majit 1973, ai u ridënua nga regjimi komunist me 25 vite të tjera burgim. Më 28 prill 1975 ai humbi jetën në burg, pa mundur të kthehej më pranë fëmijëve të tij.
Por në burg nuk ishte vetëm Fadili. Pas hekurave ndodheshin mijëra prindër, ndërsa jashtë tyre prisnin mijëra fëmijë. Ata u rritën me mungesën e nënës ose babait, me vizitat në burg, me internimin, stigmën dhe frikën. Shumë prej tyre mësuan që herët fjalë si “qeli”, “roje” dhe “birucë”, kur duhej të mësonin vetëm lojërat e fëmijërisë.
Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, kujtojmë se persekutimi politik nuk dënoi vetëm individët e shpallur armiq. Ai preku edhe fëmijët e tyre, duke lënë gjurmë që vazhdojnë të jetojnë në kujtesë.
Burimi/Facebook/Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991


Leave a Reply