Në një ceremoni solemne të zhvilluar në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, studiuesja e njohur italiane, Prof. Lucia Nadin, u nderua me titullin e lartë akademik “Doktor Honoris Causa”, në vlerësim të kontributit të saj të jashtëzakonshëm në fushën e studimeve shqiptare dhe albanologjike. 🎓📚
Ky vlerësim u akordua me propozimin e Departamentit të Historisë dhe Qendrës së Studimeve Albanologjike, pas miratimit nga Senati Akademik i Universitetit dhe pëlqimit të Ministrisë së Arsimit.
Gjatë ceremonisë, rekomandimet për dhënien e titullit u paraqitën nga Prof. Dr. Artan Haxhi, dekan i Fakultetit të Shkencave Shoqërore, dhe Prof. Dr. Nertila Haxhija nga Qendra e Studimeve Albanologjike.
Në fjalën e tij, Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, theksoi rëndësinë e këtij nderimi për institucionin dhe qytetin e Shkodrës:
“Për Universitetin e Shkodrës ‘Luigj Gurakuqi’, nderimi i Prof. Lucia Nadin ka një kuptim të thellë institucional. Universiteti ynë është i vendosur në një qytet ku historia, arsimi, letërsia, feja, kultura qytetare dhe albanologjia janë ndërthurur në mënyrë të pazgjidhshme. Prandaj, çdo kontribut që ndriçon Shkodrën, që i jep asaj më shumë vetëdije për rrënjët e veta dhe që e vendos në dialog me kulturën europiane, prek drejtpërdrejt edhe misionin tonë universitar.”
Ceremonia përbën një moment të rëndësishëm për Universitetin e Shkodrës dhe një vlerësim të merituar për një personalitet që ka kontribuar ndër vite në njohjen dhe promovimin e historisë, kulturës dhe identitetit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Burimi/Facebook/Portali Shkodrës


Leave a Reply