Përsëri sot, në mënyrë arbitrare, të paarsyeshme e joproporcionale dhe mbi bazën e kërkesës së qëllimshme të prokurorit, seanca e gjykimit tim në themel u shty për më 22 tetor 2026, me pretekstin e garantimit të mbrojtjes sime ligjore. Ndërkohë, u pranua kërkesa kryesore e prokurorit për pezullimin e afateve të paraburgimit tim.
Gjatë seancës, kërkova me forcë dhe me argumente ligjore vijimin e gjykimit, duke shprehur vullnetin dhe besimin tim të plotë për t’u mbrojtur vetë përballë çdo akuze të pretenduar.
Gjithashtu, kërkova ndarjen urgjente të çështjes sime nga ajo e të pandehurës tjetër, e cila ndodhet në gjendje të lirë.
Pavarësisht kërkesave të mia të qarta, trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës dhe caktimin e një avokati nga Ministria e Drejtësisë (nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas), pra nga Qeveria Rama 4.
Ky avokat u përzgjodh nga lista e Ulsi Manjës, i cili ka përgjegjësi shumë të rënda ligjore lidhur me manipulimin e qëllimshëm që u ka bërë letërporosive drejtuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Dua ta bëj të qartë edhe publikisht.
Unë nuk kam kërkuar dhe nuk kam nevojë për një “mbrojtës ligjor falas” të caktuar nga Qeveria Rama 4.
Kam qenë dhe jam plotësisht i aftë të mbroj vetë të drejtat dhe interesat e mia ligjore, përballë çdo akuze të pretenduar.
Prokurorët mund të kenë nevojë për ndihmës, asistentë dhe përforcime, por unë jo!
Duke mos pasur asnjë besim te lista e Ulsi Manjës, kam arsye të forta të dyshoj se ky vendim i gjykatës do të përdoret si një tjetër mekanizëm/alibi për të justifikuar pezullimin e mëtejshëm të afateve të paraburgimit tim dhe për të zvarritur qëllimisht gjykimin tim në themel.
Për këtë arsye, u bëj thirrje të gjitha institucioneve kushtetuese, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Avokatit të Popullit, aktorëve të tjerë përgjegjës, por edhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, të intensifikojnë monitorimin e procesit tim gjyqësor.
Zvarritja e qëllimshme e gjykimit dhe vijimi i mbajtjes sime në paraburgim, janë në shkelje flagrante të ligjit procedural, Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për llogari elektorale dhe hakmarrëse të Edi Ramës, që është autori i gjithë kësaj krize të paprecedentë në sistemin e drejtësisë që ka bllokuar nga data 1 shtator 2026 rreth 500 seanca gjykimi në GJKKO Shkallë e Parë.
Në mënyrë të veçantë, i bëj thirrje Kuvendit të Shqipërisë dhe çdo deputeti të përgjegjshëm, të mbështesë nismën konkrete ligjore të depozituar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, z. Tedi Blushi, për zgjidhjen institucionale dhe reacionale të konfliktit ndërmjet GJKKO Shkallë e Parë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë, një konflikt i qëllimshëm dhe me regji të qartë politike, që po prodhon pasoja shumë të rënda për funksionimin e drejtësisë, të drejtën themelore për një proces të rregullt ligjor dhe cënimin e lirive personale.
Gjithçka po ndodh në dritën e diellit, por do të ndriçohet edhe më shumë!
Burimi/Facebook


Leave a Reply