Ma vranë Atdheun… ma vranë! Në ëndërr isha… apo mos vallë u zgjova për pak, për të parë me sytë e mi si digjej Shqipëria në tym, në flakë ?
Ma vranë Atdheun… ma vranë! Ia dogjën shpresat, ia thyen krahët, ia shkulën nga gjoksi dashurinë, e lanë të plagosur në udhëkryq, duke gulçuar nën hirin e shkatërrimit e anarkinë
Oh, si rënkon trupi i Atdheut! Si “gricen” plagët e atij viti të zi, të nëntëdhjetë e shtatë kur Shqipëria u përgjak nga duart e bijve të saj dhe histuri u bë dhimbja e pa matë.
E prapë… Sikur koha të mos ketë kaluar, sikur mësimet të jenë harruar, sikur zjarri të mos ketë shuar asgjë, veçse të jetë fshehur nën hi, për t’u ndezur sërish një ditë tetori
Të vjedhësh, të djegësh, të shkatërrosh, të rrëmbesh ç’të zërë syri e dora, të shembësh me zemër të verbuar atë që një popull e ka ngritur me djersë, me mund, me sakrifica e lot…
Kujt ia bën këtë o njeri? Kujt ja bëni këtë o bij ?Jo politikës! Jo qeverive që që ikin e vijnë ! Por popullit të varfër, që numëron kafshatat, që kursen nga buka e gojës, që ëndërron një jetë më të mirë dhe sheh të digjet gjithçka që ka ndërtuar me duart e veta.
Ndaloni, o bij! Ndaloni duart që shkatërrojnë! Ndaloni zemrat që urrejnë! Mos e ktheni zemërimin në zjarr, as revoltën në rrënojë!
Sepse ajo që digjni nuk është e politikës, nuk është e një partie, nuk është e një pushteti kalimtar…
Është djersa e popullit! Është buka e fëmijëve! Është mundi i prindërve tanë! Është pasuria e një vendi që mezi mbahet në këmbë.
Dhe më e rënda, më e dhimbshmja, më e pafalshmja nga të gjitha, është se ata që i vënë zjarrin Atdheut tim flasin gjuhën e nënës sime.
Po….., gjuhën time flasin! Në atë gjuhë kanë thënë fjalën e parë, në atë gjuhë kanë dëgjuar ninullat, në atë gjuhë kanë thirrur “nënë”… E sot, me të njëjtën gjuhë, thërrasin për Shqipërinë, ndërsa me duart e tyre i vënë zjarrin Shqipërisë.
Çfarë paradoksi i dhimbshëm! Ta plagosësh Atdheun dhe të betohesh se po e shpëton. Ta djegësh atë dhe të bërtasësh se po e mbron. Ta shkatërrosh vendin tënd në emër të dashurisë për të!
Ohhh, çfarë po ndodh me Atdheun tim? Deri ku mund të shkojë marrëzia? Deri ku mund të verbohet njeriu nga urrejtja, nga verbëria, nga etja për pushtet e hakmarrje?
A nuk na mjaftuan plagët? A nuk na mjaftuan lotët? A nuk na mjaftuan vitet kur Shqipëria u bë hi dhe shpresa u largua me dhimbje?
Shqipëria nuk është pronë e askujt! As e atyre që sundojnë, as e atyre që kundërshtojnë, as e atyre që sot bërtasin dhe nesër harrojnë.
Shqipëria është e të gjithëve! E atij që punon me duar të ashpra, e nënës që lutet për fëmijët, e të riut që kërkon një të ardhme, e të moshuarit që ruan kujtimet, e çdo shqiptari që, edhe larg saj, e mban Atdheun të gjallë në zemër.
Prandaj, mos ma vrisni Atdheun! Mos ma ktheni në hi ëndrrën e brezave! Mos ma bëni flamurin mbulesë të urrejtjes, as emrin e Shqipërisë justifikim për shkatërrimin e saj!
Sepse Atdheu nuk është vetëm emër.. Është kujtim. Është gjak. Është gjuhë. Është nënë. Është fëmijëria jonë. Është varri i të parëve dhe ëndrra e atyre që ende nuk kanë lindur.
Dhe kur digjet Atdheu, nuk digjen vetëm muret e godinave e bizneseve… Digjet diçka brenda nesh, diçka që nuk e rindërton dot asnjë qeveri, asnjë premtim, asnjë fjalim politik.
Ma vranë Atdheun… ma vranë! Dhe unë ende pyes veten: Mos jam në ëndërr dhe do të zgjohem një ditë?
Apo kjo është e vërteta që zemra ime nuk pranon ta besojë?
Por jo… Unë nuk dua ta shoh Shqipërinë në flakë. Dua ta shoh të ngrihet nga hiri, të shërojë plagët, të bashkojë bijtë e saj dhe të mos ketë më nevojë të vajtojë për veten.
Sepse Shqipëria nuk ka nevojë për bij që e djegin në emër të saj.
Ka nevojë për bij që e duan, që e ruajnë, që e ndërtojnë dhe që, edhe kur zemërohen me politikën nuk e kthejnë kurrë në hi.
Ma vranë Atdheun… ma vranë! Por unë nuk dua të mësohem me vrasjen e tij.
Dua të besoj se ende merr frymë, se ende rreh një zemër shqiptare nën këtë tym e nën këto plagë…
Dhe se një ditë, kur të pushojnë britmat e të shuhen flakët, Shqipëria do të dëgjojë përsëri zërin e bijve të saj.
Jo duke bërtitur për të, por duke jetuar, punuar e sakrifikuar për të.
Sepse Atdheu nuk vritet vetëm me armë. Ndonjëherë vritet nga duart e bijve të vet, nga heshtja e atyre që shohin, nga harresa e atyre që falin gjithçka dhe nga urrejtja që vishet me petkun e dashurisë për Shqipërinë.
Ehhh më dhemb më shumë se çdo gjë tjetër se ata që e plagosin Atdheun tim flasin gjuhën e nënës sime.
l@pacani
Burimi/Facebook


Leave a Reply