Kthehem te fletët e bardha.
Me ndrojtjen nëse gërmat do të më njohin.
Kam ndryshuar. Kam humbur kilogramë të tërë të fjalës “vezullim”. Vezullimi i gjërave që rrotullohej jashtë syve dhe nuk kisha shkuar më tej për t’ua njohur errësirën. Duke i vëzhguar, kisha soditur shkëlqimin e dritave. I kisha parë mbi fytyrat e tyre dhe mbi gjërat që kishin përreth. Derisa një ditë hyra me trupin tim dhe i mblodha. Pastaj i ula mbi një karrige përballë meje. Dhe ndejta e heshtur, duke pritur t’u shuheshin neonet.
Errësira ka stadin e saj dhe prezantohet ngadalë. Si në një letër karboni ku shfaqen grimca të vogla, që pjesë-pjesë krijojnë të tërën. Kur e njeh të plotën e gjërave, jashtë vezullimeve, ke nevojë të ulesh në prapaskenë dhe mbetesh keq me veten.
Pyetem: me kë vete?
Me veten që ndejti me ty?
Me veten që na pa?
Apo me veten që ta njohu mos-transparencën dhe e përcolli me një gllënjkë për ta mbajtur brenda vetvetes?
Pse e vërteta nuk flet me zë të lartë?
Të ulet në krye të tavolinës, të përplasë edhe grushtet për t’u dëgjuar?
Apo në sallën e një procesi, të deklarojë moskoherencën?
Por e di që asgjë nuk ndryshon.
Çfarë mund të ndodhë më shumë se kaq?!
Pastaj, kur e keqja është kudo, ku është kuptimi ta thuash!
Ajo luan pastër me kokën lart, sepse është në zonën e vet ku të gjithë veprojnë njëlloj.
As ta fusësh poshtë ujit të ftohtë dhe ta lash; nuk ndryshon gjë.
Çasti u njoh për atë që ishte.
E njohu njeriun që mbushi momentin. Edhe koha që i rrinte sipër i shqeu sytë për ta parë.
Sa shumë gjëra ka dëgjuar koha dhe ka heshtur.
Koha ime sheh dhe zbret thellë në mua, për të ma komunikuar.
Gjërat ndodhin për ne.
Për t’u hequr perdet vezullimeve dhe për t’i thirrur në emër.
Me emrin që ato janë, jo me emrin që ato kanë.
Për t’i njohur nëpërmjet perceptimeve dhe për të pranuar thelbin.
Pse njeriu mbetet peng i mizerjes së vet?
Dhe kthehet në hije të gjatë mbi vijën e zezë që bie mbi dritat, duke zënë poshtë vezullimet që janë vetëm të aparencës.
Pse nuk zbret, dreqi ta marrë, deri në fund të gropës së vet?
Aty, në nëndije, i ka përgjigjet.
Gjërat ndodhin veç për ne.
Për t’u gajasur më pas me bombastikat e figurave të shpikura nga kjo kohë dhe pastaj të qash.
Duhet të shpik një bismilah për veten. Që të mos më marrin ujërat:
“Më ruaj nga grotesku, Zoti im.
Më kujto limitet e mia që më mbajnë mirë këtu.
Më ruaj nga madhështitë e rreme.
Më kujto akoma çfarë më bën mua dhe çfarë më bën ende njeri.
Më kujto që këtu jam vetëm nxënës.
Dhe që jam i vdekshëm.
I vdekshëm.”
Ndoshta mund të jetë bismilaja jo vetëm e emergjencës.
Kam vënë re që s’mbaj mend. Harroj të jem kur gjërat më ndodhin. E kam kapur shpesh herë në flagrancë veten që nuk rri më me mua. Del dhe më ikën larg. Jashtë trupit tim, jashtë trupit tënd dhe jashtë këtij konsumimi që përtypet si një gotë e hidhur.
I lë gjërat të ndodhin sikur të jenë dakord me mua. Nuk flas. Nuk them as jo. Por pyes: ku po më çon?
Pavarësisht që diçka brenda meje e kishte perceptuar.
Qesh hidhur dhe e justifikoj veten që nuk rri. E justifikoj që nuk kishte kuptuar dhe kishte besuar. E justifikoj që ishte vonë të reagonte në një vend të humbur, të mbushur plot natë.
Pastaj nuk e justifikoj më.
Gjërat duhet të ndodhin në formën e tyre të mirëfilltë vetëm për të njohur tjetrin.
Errësirën e tij kur i fiken dritat. Dhe, nëpërmjet syve të mi, tjetri të njohë vetveten e tij, përpara se të veshi maskat.
Pastaj, me vështrimin që sheh kohën, e fshij trishtimin. E mbyll portën. Duke menduar që të njoh më mirë se ty. Hap dosjen. Fus brenda kohën tënde të zhubrosur dhe qesh.
Nuk duhet të lodhesh: njerëzit zhvishen vetë.
Zhveshja e kallirit të misrit ka për të treguar. Ia shkërmoq kokrrat. Ia pjek. Ndoshta edhe i zien, sipas shijes. Me kallamishtet bën një zjarr të madh për një dimër të gjatë.
Ndërsa me njeriun, ta njohësh është mjerim.
Fryerjet artificiale plasin shpejt dhe mbetet asgjëja.
Kuptoj pse vetja më ikën.
I rri i ngushtë ti.
Nuk mund të shihet në pasqyrën tënde ku e shëmbëllen keq.
I rri ngushtë kjo dhomë dhe pret kohën që ta mbyllë portën tënde. Atëherë, zbret nga qielli dhe hyn në vendin e saj, ngjitur me shpirtin.
~Lauraolld
Maj 2026
Burimi/Facebook


Leave a Reply