SHKODËR – Ndërsa një ditë më parë u mbushën plot 9 vite nga marrëveshja e bujshme e 17 majit 2017 mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, reagimet nga qytetarët që besuan te ajo revoltë popullore vazhdojnë të mbeten të mprehta. Paulin Maçaj, një qytetar dhe dëshmitar i asaj kohe nga Shkodra, ka përcjellë një analizë të fortë dhe pa doreza, duke skanuar gjendjen se ku ndodhet sot vendi pas asaj nate pazaresh politike.
Më poshtë vijon shkrimi i tij i plotë dhe i pa censuruar:
Jo ma me shpresë të vramë: Koha me godit me të vërtetën dhe me u ringrit!
Çdo sistem që synon kontrollin absolut nuk ndërtohet brenda një dite sepse ai ushqehet nga zhgënjimi ynë, rritet përmes marrëveshjeve të fshehta nëpër errësirë dhe konsolidohet vetëm atëherë kur populli dorëzohet e hesht. Shqipëria e sotme nuk është produkt i një dështimi të rastësishëm por është pasojë direkte e asaj nate të zezë ku interesi personal i dy njerëzve peshoi më rëndë se idealet e një kombi të tërë. Kur qytetarit i vritet besimi te alternativa rruga e vetme që i mbetet duket se është ikja ose dorëzimi, por unë refuzoj të hesht. Kur vritet shpresa lind diktatura sepse një popull pa besim nuk lufton ma, vetëm largohet ose nënshtrohet dhe pikërisht në atë moment pushteti bëhet ma i rrezikshëm se kurrë.
Unë, Paulin Maçaj, isha aty dhe e kam jetu atë çadër me shpirt, me shpresë të pastër dhe me bindjen e patundur se ky vend mund dhe duhej të ndryshonte. Aty kishte njerëz të ndershëm që sakrifikonin kohën, jetën e qetësinë e familjeve të tyre sepse besonin te një kauzë e madhe dhe te forca e vërtetë e qytetarit. Por një marrëveshje nate mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës mjaftoi për me shemb në tokë gjithçka që u ndërtua me mund. Revolta u shua me një shtrëngim duarsh, besimi u thye tradhtisht dhe shumë shqiptarë kuptuan se në këtë vend populli lufton nëpër sheshe ndërsa politika bën pazare mbi kurrizin e tij.
Skaneri i kësaj gjendjeje tregon se ne nuk jemi të pafuqishëm sepse jemi pak, por sepse na kanë vjedhë besimin përmes një sistemi të qepur me porosi. Marrëveshja e 17 majit 2017 mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës nuk rregulloi thjesht një krizë momentale por krijoi një fasadë të ndyrë ku pushteti dhe opozita ndanë të njëjtat rregulla loje për të asgjësuar zërin tonë. Sot Edi Rama ka një pushtet që nuk ka asnjë frikë nga llogaridhënia sepse e di që përballë ka pasur dhe ka një fasadë që vetë e legjitimoi dhe e bleu me poste e premtime mesnate. Kjo opozitë e zhveshur nga çdo besueshmëri morale e ka humbë të drejtën për të thirrur popullin në revoltë sepse çdo aksion i saj sot shihet me dyshimin e drejtë se mund të jetë thjesht pazari i radhës për interesa të ngushta. Kur rrugët e reagimit u bllokuan nga këto pazare, shqiptarët gjetën rrugët e botës duke e kthyer eksodin masiv në një valvul shkarkimi për qeverinë, e cila gëzohet kur ikin njerëzit e ndershëm sepse ashtu i mbeten më pak zëra rebelë për të kontrolluar.
Kjo paqe sociale është blerë me varfëri të qëllimtë dhe me një apati të rrezikshme ku qytetari i thjeshtë lihet vetëm që të zgjedhë mes heshtjes për të mbijetuar Harvard nënshtrimit ndaj një pushteti që bëhet çdo ditë e më arrogant. Ajo që nisi si një marrëveshje politike sot është kthyer në një sistem të egër ekonomik që favorizon një grusht njerëzish dhe shtyp mbarë shoqërinë. Ndërsa qytetarët e thjeshtë përballen med një krizë të pandalshme çmimesh, qeveria e Edi Ramës miraton vendime për kompensime miliona eurosh që shkojnë vetëm në xhepat e një dore oligarkësh si Samir Mane, Bashkim Ulaj, Aleksandër Kastrati e të tjerë si këta. Për ata që kanë miliona dhe që blejnë pushtetin ka gjithmonë një paketë ndihme ose një ligj të qepur sipas masës së tyre, ndërsa për pensionistët dhe familjet e ndershme që jetojnë me djersën e ballit nuk ka asgjë tjetër veçse lëmoshë dhe premtime boshe.
Çmimet e larta të shportës po i çojnë njerëzit drejt kufijve të mbijetesës duke treguar fytyrën e pacipë dhe krejtësisht antinjerëzore të këtij kryeministri që krenohet me fasada ndërsa populli i tij nuk siguron dot bukën e gojës. Raportet e huaja dhe ato kombëtare bërtasin fort se Shqipëria humb mbi një miliard euro në vit nga korrupsioni galopant dhe me këto ritme kjo shifër e tmerrshme pritet të kapë vlerën e katër pikë tetë miliardë eurove. Këto nuk janë thjesht shifra të ftohta por janë kopshte të pandërtuara, spitale pa ilaçe, rrugë të florinjta që prishen pa u nisë, prona të vjedhura me ligje investitorësh strategjikë dhe pensione të mohuara që po i merren me dhunë të ardhmes së fëmijëve tanë.
Por ne nuk mund të rrijmë ma duke parë e duke numëruar se sa na vjedhin sepse pafuqia jonë përfundon aty ku fillon guximi për t’i thënë gjërat me emër. Nëse keni mundësi ndihmoni të tjerët dhe nëse nuk keni mundësi të paktën mos i dëmtoni thotë Dalai Lama, por ky pushtet ka zgjedhë që qëllimisht të dëmtojë, të shtypë dhe të plaçkitë popullin e vet, prandaj ai e ka humbë çdo legjitimitet moral për të qeverisur.
Sot jemi përballë një bilanci të rëndë me humbje të panumërta njerëzore e ekonomike ku largimet dhe dorëzimet duken si rregulli i ditës por njeriu ka një dhanti të jashtëzakonshme hyjnore për t’u ringritë pikërisht atëherë kur preket fundi. Kjo ringritje nuk mund të bëhet kurrë me të njëjtat fytyra dhe me të njëjtat pazare të ndyra bur duhet të nisë ma e fortë se kurrë përmes parimeve të patundura dhe ideve të pastra që na përfaqësojnë me dinjitet e me ballë lart. Koha kur qytetari shitej i pari nga ata që supozohej ta udhëhiqnin ka mbaruar një herë e mirë sepse kur idetë dhe marrëveshjet mbahen të fshehura nga familja dhe nga populli ato nuk janë gjë tjetër veçse ortakëri të liga e tradhti në palcë që shkatërrojnë besimin dhe marrin në qafë breza të tërë. Kush bën ortakëri të mshefta për interesat e veta ka shitë nderin dhe ka vramë të ardhmen e fëmijëve tanë prandaj besimi i vërtetë nuk ndërtohet nëpër errësirë por në dritë të diellit duke pasë si themel të palëkundur familjen, nderin dhe fjalën e burrit.
Unë flas me emër të vërtetë dhe mbiemër sepse jam i pastër me atë që ndjej, me atë që shoh dhe me atë që kërkoj për vendin tim pa pasë frikë nga askush. E kërkoj këtë zgjim dhe këtë revoltë të madhe për shoqërinë tonë dhe për familjen time si hallkat e vetme të pastra dhe të pathyeshme që mund dhe duhet të ndërtojnë një të nesërme me shpresë e ndryshim të vërtetë. Nuk ka forcë politike, nuk ka oligarki të korruptuar dhe nuk ka grusht njerëzish që mund të mbajë nën këmbë një popull kur ai vendos me dalë nga errësira e me ndez dritën e dinjitetit të vet.
Paulin Maçaj Shkodër
Burimi/Derguar nga Autori


Leave a Reply