Arrestohet Prel Gjoni, pronari i rrjetit të marketeve “Xhedis”, pasi akuzohet për dhunimin e gazetarit shkodran Ervin Dushi.
Sipas Policisë së Shkodrës, 51-vjeçari u vu në pranga për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”, pas incidentit të ndodhur mbrëmjen e 18 majit në lagjen “Skënderbeg”.
Policia bën me dije se gazetari është goditur me grushte pranë supermarketit “Xhedis”, ndërsa ngjarja dyshohet të ketë lidhje me denoncimet e tij publike.
Vetë Dushi ka deklaruar se është sulmuar nga Prel Gjoni së bashku me persona të tjerë, duke pretenduar se konflikti lidhet me një denoncim të bërë në rrjetet sociale nga gazetari Dushi lidhur me produkte të skaduara në një rrjet marketesh.
Edhe pse nuk kishte përmendu emër marketi që tregton produktet e skaduara, gazetari Dushi dyshohet se u godit për shkak të këtij denoncimi.
Dushi më herët doli në mbështetje të një punonjëseje të marketit Xhedis që kishte pasur përplasje me pronarin e kompanisë.
Pas ngjarjes ku i dhunua, gazetari bëri kallëzim në polici dhe u paraqit për kontrolle mjekësore.
Sipas dëshmisë së gazetarit, pak minuta para sulmit një automjet tentoi ta përplaste, ndërsa më pas ai kishte marrë një telefonatë nga Prel Gjoni.
Dushi pretendon se sapo ka mbërritur në vendin e takimit është goditur nga tre persona. Ai ka deklaruar se kamerat e sigurisë pritet të zbardhin të gjithë dinamikën e ngjarjes.
Policia konfirmoi se materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt.
Burimi/Facebook/Shkodra Live


Leave a Reply