Në vitin 1986, kur sistemi i vjetër po përpëlitej mes parullave dhe radhëve për qumësht, mua më caktuan roje në ullishten e fshatit tim. Ishte koha kur shteti i quante ullinjtë “të popullit”. Detyra ime: të ecja nëpër ato kodra, si një dëshmitar i besuar, me urdhrin e prerë të kryetarit të pushtetit Sotir Gjoka: “Raporto këdo!”.
Sotiri nuk ishte thjesht një funksionar, por edhe mësues letërsie, një njeri i fjalës dhe i librave. Këtu nuk kam qëllimi të gjykoj punën apo kontributin e tij në fushën e shkronjave, ku padyshim mund të ketë pasur meritat e veta. Veçse në zyrën e pushtetit, ai nuk përdorte vargjet e klasikëve, por një gjuhë tjetër, atë të mbijetesës së sistemit.
Në atë ullishte, unë nuk kapa vetëm vjedhës, por zbulova kodin gjenetik të pushtetit shqiptar që vazhdon të mbijetojë edhe sot.
Kur pashë vjehrrën e kryetarit të vjel fshehurazi në kopshtin e saj, shkova në zyrën e tij me sinqeritetin e atij që kërkon të bëj detyrën.
–A kape ndonjë sot duke vjedhur ullinj, apo fjete gjumë nën hije?— më tha Sotiri.
– Kapa vjehrrën tënde me trastën plot!— ja ktheva me sytë ulur sikur të isha unë hajduti.
Sotiri (pa u prishur fare):
– Hajde, hajde… Po tjetër? Kape ndonjë tjetër?
Unë:
– Po, kapa edhe nënën time!
Ai hapi bllokun, bëri sikur shënoi diçka me një buzëqeshje që shtrihej si vulë në letër.
Për mua ky bllok ishte gropa e parë e drejtësisë që pashë me sytë e mi.
Nga viti 1986 e deri sot, blloku i Sotirit ka ndryshuar vetëm formatin, por jo funksionin.
Kur institucionet e sotme nisin “hetime” kundër figurave si Ilir Meta. Belinda Balluku, apo Erion Veliaj, unë shoh majën e stilolapsit të Sotirit që lëvizte nëpër fletë pa lënë gjurmë.
SPAK−U nis hetimet e drejtësisë sa për t’i thënë botës se “ligji po hyn në Shqipëri”, por në të vërtetë është fiks një manovër e pistë. Arrestimet e tyre janë një “shfaqje me regji” për të fshehur pronat dhe luksin e vërtetë.
Kur emrat e përfshirë janë “vjehrrat”, “djemtë” apo “ortakët” e familjes së madhe politike, blloku i shënimeve mbetet i mbyllur në sirtar.
Për këtë kastë, burgu nuk është dënim, është një lloj “hoteli”, një lloj pushimi strategjik, derisa të harrohet skandali i radhës. Ata nuk bëjnë dënim, bëjnë jetë luksi larg zhurmës, duke u siguruar që “vjehrra” të mbetet e paprekur. Sepse e dinë parimin: “Ligji për popullin, tenderët për miqtë”.
Është një drejtësi kozmetike: lyejnë fasadën e institucionit me bojë “integriteti”, ndërkohë që brenda, muret mbajnë “yndyrën e ullinjve tanë të vjedhur”. Kur drita e kamerave fiket, ata nuk pendohen. E shohin burgun si një proces “shpëlarjeje”. Pasi bëjnë disa muaj apo vite nën një regjim luksoz, dalin me një “vërtetim” sikur e kanë paguar borxhin ndaj shoqërisë, ndërkohë që pronat e fituara me korrupsion i presin jashtë, të paprekura.
Prangat e tyre janë bizhuteri që u tregohen ndërkombëtarëve për të thënë se “Shqipëria po pastrohet”. Por nën dritën e hënës, te “peshorja” e pasurisë, ata mbeten vëllezër të një gjaku—gjakut të korrupsionit që nuk njeh parti, por vetëm përfitim.
Dhe e kanë të qartë që, nëse bie njëri për “ullishten”, do të bien të gjithë.
Një sistem që i hap rrugën vjehrrës së pushtetit për të vjelë të ardhmen, është një sistem që ka vdekur pa u varrosur ende. Kur drejtësia bëhet një lojë për të fshehur pronat dhe luksin e dy të paprekshmëve, atëherë unë roja kam të drejtën të ngre zërin por edhe të vë flakën.
Burimi/Facebook


Leave a Reply