-Nga konkursi i 27 shkollave të gjuhës shqipe zhvilluar në Rovereto-
Më shumë se konkurs apo quiz do ta quaja Festë e Diturisë. Se në formën e një feste të bukur ishte konceptuar, si festë u zhvillua dhe atmosferë festive krijoi në Rovereto e në rrethinat e tij. Dhe merita e këtij organizimi u takon dy shoqatave që ishin marrë me përgatitjet, shoqatës “Iliria” në Malmoe të Suedisë dhe shoqatës “Besëlidhja” në Rovereto, e cila, duke qenë në rolin e zonjës së shtëpisë dhe mikpritëses, kishte edhe peshën më të madhe. Por ia kishte dalë për bukuri, duke aktivizuar pranë vetes edhe disa të reja e të rinj, që punuan me përkushtim e me dashuri, përkrah stafit. Ambienti mikpritës ishte teatri “Concordia” në lokalitetin Volano. Një sallë e mbushur me mbi 500 vetë, kryesisht fëmijë, shumë prej tyre të veshur me veshje kombëtare apo kuq e zi, tamam si për festë, mësuesit e tyre të palodhur dhe prindër e qytetarë të tjerë. Dhe kryetari i komunës, djaloshi 27 vjeçar Emanuele Volani, i qeshur e disponibël, iua uron mirëseardhjen pjesëmarrësve në gjuhën shqipe, duke e bërë atmosferën edhe më të bukur e dashamirëse. Mirëseardhjen iu uroi edhe presidentja e shoqatës “Besëlidhja”, Luljeta Çereku.
Protagonistët e kësaj feste të diturisë janë nxënësit e 27 shkollave të gjuhës shqipe të ardhur nga Italia, Suedia, Kosova, Anglia, Belgjika e Greqia. Kanë bërë rrugë të gjatë, por më e gjatë ka qenë rruga e përgatitjes, për t’u paraqitur në mënyrë sa më dinjitoze në garën që i jepte kuptim të veçantë kësaj feste të diturisë.
Në këtë veprimtari morën pjesë e përshëndetën edhe Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Milano, Anila Pojani, Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Milano, Diamant Kastrati, si dhe drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën, Mimoza Hysa. Ishin të pranishme edhe konsullja Leziana Beltoja, punonjëset e ministrive të ndryshme nga Kosova, zonjat, Anita Kadriu, Besarta Balaj Burbuqe Matoshi dhe Arieta Ramadani.
Pastaj fillon gara. Grupet përfaqësuese të shkollave të ndryshme përjetojnë ethet e garës, e cila zhvillohet online. Për përgatitjen logjistike ka bërë një punë të palodhur Profesor Murat Koçi, i cili ka përgatitur edhe pyetjet. Ai jeton e punon në Suedi dhe është i njohur për aktivitetet e shumta kulturore që organizon e zhvillon atje. Grupet konkuruese që do të përballen me njëri-tjetrin, zgjidhen me short . Ishte kënaqësi të shikoje se si e përjetonin tensionin e garës jo vetëm ata që ishin në skenë me gishtat gati tek butonat, por edhe shokët e shoqet e tyre, mësuesit e prindërit të ulur në sallë, që shpërthenin në thirrje gëzimi si në stadium për përgjigjet e sakta. Luajnë rol edhe fraksionet e sekondës në shtypjen e butonit. Më të fituar dalin ata që nuk hezitojnë në përgjigje dhe e shkelin përnjëherësh butonin. Natyrisht nuk është e lehtë, sepse mund edhe të gabosh. Shkelja e menjëhershme e butonit kërkon mbi të gjitha siguri në njohjen e përgjigjes dhe reagim të shpejtë. Këtë cilësi e treguan më së shumti fëmijët e shkollave “Artur Lleshi” në Bolzano e Trento dhe shkolla shqipe e shoqatës “Iliria” në Malmoe të Suedisë. Dy grupe të shkollës “Artur Lleshi” në Bolzano zunë vendin e parë e të dytë. Shkolla e Malmoes zuri vendin e tretë. Dy shkolla të tjera të Trentino-Alto Adige zunë vendin e katërt e të shtatë. Por edhe nxënësit e shkollave që kishin ardhur nga Asti, Parma, Ferrara, Padova, Trieste, Novara, Milano, e Rovereto, apo ato nga Selaniku i Greqisë, Anglia e Brukseli, mund të konsiderohen fitues, sepse edhe përgjigjet e tyre në 99 përqind të rasteve ishin të sakta, pavarësisht ndonjë sekonde hezitimi më tepër.
Më bënë përshtypje emrat e grupeve fituese, “Filizat”, “Njomëzat” etj. që mësuesit nuk i kanë zgjedhur thjeshtë në mënyrë poetike e metaforike, por edhe duke iu përshtatur moshës së tyre. Janë këta njomëzakë, sythat e gjuhës shqipe që bulëzojnë tek brezat e lindur në tokë të huaj. Me mënyrën si e flasin dhe e shkruajnë, si dhe me dashurinë që tregojnë, ata garantojnë trashëgiminë dhe vazhdimësinë e gjuhës shqipe nëpër breza e shekuj, siç kanë bërë edhe arbëreshët për gjashtë shekuj me radhë.
Bisedova me drejtorin e shkollave “Artur Lleshi”, Gentian Shero, të cilin ishte vështirë ta dalloje mes nxënësve që thërrisnin e bënin tifo për shokët e tyre në skenë. Edhe pse i angazhuar me aktivitetet e tij impreditoriale e me ekipin e futbollit të të rinjve, ai është shpesh i pranishëm edhe në shkolla e i ndihmon ato në të gjitha aspektet. Ai u shpreh pas fitores: “Fitorja e mbrëmshme është puna e palodhur e tre muajve të mësuesve Esmeralda Sadiku, Irfan Muslija, Gentjana Dodaj e Hyri Gega. Nxënësit kanë bërë përgatitjet edhe online me mësuesit dy-tre herë në javë. Me këtë fitore ne treguam se cilët jemi. I treguam botës që me punë arrihet çdo gjë. Konkursi ishte një nga aktivitetet më me vlerë që është organizuar ndonjëherë në Trentino Alto Adige. Komplimente shoqatës “Besëlidhja” dhe organizatorëve nga Suedia”.
Ndërsa mësuesja e pasionuar Esmeralda Sadiku flet për punën përgatitore që kanë bërë me kolegët e me nxënësit: “Sapo morëm vesh që ky event do të zhvillohej në Rovereto vendosëm të merrnim pjesë me të paktën një grup. E diskutuam sëbashku me mësues Irfanin. Mbështetja e Gentjanit ishte gjithnjë prezente .Kemi pothuaj 4 muaj që filluam punën me fëmijët. Sëbashku me mësues Irfanin i kemi ndjekur në klasë; një orë e zhvillonte ai në histori e letërsi dhe një orë e zhvilloja unë në gjuhë shqipe e geografi. Në dy muajt e fundit kemi punuar 2 orë në javë edhe online. Në klasë punohej teoria dhe online punohej me quizet. Muaji i fundit ishte veç përsëritje. Patëm një bashkëpunim shumë të mirë me prindërit, por nxënësit e përqafuan idenë menjëherë dhe e morëm me seriozitet si sfidë.
Pastaj Esmeralda na sjell emrat e nxënësve përfaqësues në grupet fituese. Grupi “Filizat”, i cili fitoi vendin e parë, përbëhej nga: Noemi Kajana, Amelia Maksuti, Erion Rameta, Anxhelo Gjoka e Klajdi Krasniqi. Ndërsa grupi “Njomzat” që zuri vendin e dytë, përbëhej nga Lehana Caushi, Emanuela Sadiku, Melisa Ndriu, Enisa Sejfullaj dhe Princesha Çaushi. Ajo përmend edhe grupin “Sythat” që arriti në çerekfinale dhe grupin e shkollës së Trentos që u rendit në vend të shtatë. Mua më ka qëlluar të ndjek punën e tyre edhe atje në Bolzano e Trento dhe kam parë nga afër se me çfarë përkushtimi punon ky kolektiv mësuesish, sa kompaktë janë dhe se sa mirë koordinohen me prindërit, që i ndjekin me interesim punën dhe mbarëvajtjen e shkollave.
Takohem edhe me sipërmarrësin e mirënjohur Bardhul Durmishi, i cili është gjithnjë i gatshëm të ndihmojë kur bëhet fjalë për aktivitete të rëndësishme të kësaj natyre. Ky aktivitet është mbështetur ekonomikisht nga ai dhe sipërmarrës të tjerë bujarë e dashamirës si Fatjon Marku, Bernard e Brajan Kertusha, Edmir Kaloshi, Skënder Lleshi e Myfail Capa. Janë rreth 12 ente shtetërore e shoqërore, që kanë bërë të mundur realizimin me sukses të kësaj feste të bukur e të rëndësishme.
Atmosferën e festës e bënë edhe më të hareshme grupet e valleve, ai i Ferrarës dhe ai i Roveretos, i përgatitur nga koregrafi e mjeshtri i valles Nexhmi Mati, si dhe muzika e përzgjedhur bukur nga mjeshtri Aleksandër Kolshi. Nga ato që shkruajnë kolegu Ndue Shabaku dhe Jonilda Dervishaj mësoj se me fëmijët pjesëmarrës është bërë vizitë në Këmbana e të rënëve dhe se festa, pas konkursit, ka vazhduar deri në orët e vona të mbrëmjes. Një ditë e tërë feste dedikuar gjuhës sonë të bukur shqipe, dedikuar diturisë, që u ndriçon udhën brezave. Një ditë që do të mbetet gjatë në kujtesë.
Ndue Lazri.


















Burimi/Facebook


Leave a Reply