Sot nuk po shkruaj me bojë, por me dhimbjen e një prindi dhe qytetari që po sheh se si në këtë vend, tragjedia e radhës po mbulon atë të djeshmen. Po na bëjnë që të harrojmë vrasjen e djeshme me aksidentin e sotëm, e prishjen e shtëpisë me drogën që po na mbyt djemtë. Kjo shoqëri nuk po përballet thjesht me “aksidente”, por me një dështim total të sigurisë së jetës sonë, ku vdekja na ndjek në çdo hap.
Harta e vdekjes në vendin tonë është shtrirë kudo: na i mbytin fëmijët në trotuar aty ku duhet të ishin të sigurt, na i xen skafi duke u larë në ujin e tyre në breg të detit, na i merr jetën ambulanca në radhët e gjata të doganës aty ku shteti duhet të na mbronte, e deri në shkolla, atje ku duhet të mbillet dije, po mbillet pasiguri, vrasje dhe dhunë. Jeta e fëmijëve po humbet rrugëve sepse parqet e tyre u bënë lokale e beton.
Pse po ndodhin të gjitha këto vdekje? Sepse patentat merren me lekë e pa pikë kontrolli, sepse ushqimet e skaduara dhe droga janë bërë “normaliteti” i një shoqërie ku i pandershmi pasurohet dhe mbrohet, ndërsa i ndershmi sulmohet dhe vidhet çdo ditë. Ne po jetojmë nën një presion psikologjik që nuk mbahet më. Duket sikur pushteti i ndërton këto ngjarje me qëllim, që vdekja e sotme të mbulojë tragjedinë e dritshme e asnjëherë të mos merret vesh e vërteta. Na thonë “ngushëllime”, por ato janë lotë pa vlerë kur nuk merren masa që këto krime të mos përsëriten.
Boll më! Deri kur do të zgjasë ky durim përballë këtyre jetëve të humbura? Si mund të kemi frymëzim e shpresë ku e keqja ka mbuluar krejt të vërtetën e jetës? Sot flas si prind për prindin, si njeri për njeriun. Nëse nuk zgjohemi sot, nesër do të jetë radha e dikujt tjetër prej nesh të qajë humbjen e radhës.
Me dhimbje, revoltë dhe një thirrje për ndërgjegje,
Paulin Macaj
Qytetar dhe prind që kërkon drejtësi për jetën.
Burmi/Facebook


Leave a Reply