E përplasa trupin tem të lodhun mbi barin e njomë, si çarçafin e zhubravitun, dhe thitha me gjithë shpirt flladin e pranverës — aty, në arën e babës, ku dikur rritej talla e misrit, me pak kaçela të kuqe si gjaku i tokës.
U shtrina n’lendinë, por s’e mora vesh: isha unë i vdekun, apo toka aq e gjallë sa s’m’i linte eshtnat me pushue si ma parë.
— Për çka të merr malli kaq shumë, që e bart veten si hije nëpër katundin që ka harrue erën tande? Pse s’i mbyll sytë ma n’fund?
Bora rrinte larg, si nji kapuç i bardhë mbi kryet e maleve.
Pemët e egra ishin zbardhë egërsisht, e gumëzhima e bletëve, po aq egërsisht, ua pinte jetën — nektarin e bardhë të luleve që çelin pa pyetë askënd.
Lendina, që dikur ishte arë misri, kishte shpërthye me tufa lulegrremçash të verdha — si me dashtë me mshefë atë që kishte qenë.
E kambët e mia, pa dashje, ua shkelshin kryet.
E m’u duk sikur më folën:
— Pse ecë mbi kokat tona të verdha?
Pse s’shkon atje ku shokët e tu s’marrin frymë ma?
U shtrina poshtë shtëpisë ku kam le — në nji dimën që veç Zoti e mban mend, e ku gurët ende e njohin peshën e hapave të mi.
Kolla m’therte, khy-khy, e s’më linte as me thithë erën e tokës, as me i ndie cicërimat e zogjve që e mbushnin ajrin me jetë — sikur jeta vazhdonte pa më pritë mue.
Dy burra thurnin gardhin e orrnicës.
Dy të tjerë mbjellnin patate në dheun e çprushun.
Fëmijët e tyne mblidhnin lule në livadh — pak hapa larg trupit tem, pa e ditë se mbi çka po rriteshin.
M’u këput shpirti me u çue e me u bashkue me ta,
me i përdridhë edhe njiherë thuprat e shelgut n’hujt e qarrit, si dikur,
me e ndie forcën tue më kthye në duar.
Por duert…
duert e mia nuk ishin të miat ma.
Po — dje e hetova vdekjen teme në tokën ku kam le.
Vdekjën që të hyn ngadalë në trup, si nji ftohtësi që nuk të len me e jetue jetën që e ke dashtë.
Dje ia ktheva tokës trupin e saj — si nji borxh që s’u la kurrë.
— Merre, — i thashë, — se boll e shetita mbi këto kambë të lodhuna.
— Merre, se s’po mundem me mashtrue vetën time ma.
20.06.2026
Burimi/Facebook


Leave a Reply