Na ishte njëherë një zonjë e devotshme, që pjesën më të madhe të ditës e kalonte në lutje.
Një ditë, ajo dëgjoi një zë hyjnor që i tha:
“Sot do të vij të të bëj një vizitë.”
E mbushur me gëzim e mallëngjim, zonja nisi përgatitjet. Pastroi shtëpinë, bëri ëmbëlsira, veshi rrobat më të bukura dhe priste me padurim ardhjen e Zotit.
Pak më vonë, trokiti dera.
Ajo vrapoi ta hapte. Ishte fqinji me një lugë në dorë:
“Më jep pak kripë hua,” – i tha.
Por zonja iu kthye me nervozizëm:
“Ik, të lutem! Sot pres Zotin. S’kam kohë për këto absurditete.”
Dhe ia mbylli derën.
Pas pak, trokiti sërish dera. Ishte një djalë i vogël, që shiste qirinj aromatikë për festat.
“Zonjë, do të donit të blinit një qiri?”
Ajo psherëtiu me padurim:
“Sot pres Zotin, s’kam kohë për vogëlsira!”
Dhe e mbylli derën edhe atij.
Më vonë, trokiti një herë e tretë. Ishte një plak i lodhur, që lutej:
“Zonjë e bukur, më jep një copë bukë, edhe nëse është e mbetur. Nëse lejoni, mund të pushoj pak në verandë…”
Por zonja ia preu shkurt:
“Jo! Sot pres Zotin, të lutem, mos më shqetëso!”
Dhe i mbylli derën me nxitim.
Kaluan orët… erdhi mbrëmja. Por Zoti nuk u shfaq.
E zhgënjyer, zonja hëngri ëmbëlsirat dhe shkoi të flinte. Në gjumë, i erdhi Zoti në ëndërr dhe i tha:
“Erdha tre herë te dera jote, dhe asnjëherë nuk më prite…”
Ky është një kujtim i thellë për të gjithë ne:
Zoti nuk vjen gjithmonë në mënyrën që ne presim. Ai vjen përmes njerëzve që na trokasin çdo ditë në derë — fqinjëve, fëmijëve, të moshuarve, atyre në nevojë.
Mënyra më e veçantë për të takuar Zotin, është përmes dashurisë dhe mëshirës për të tjerët.
Burimi/Facebook/Kavaja Lajme


Leave a Reply