Sot bëhen 36 vite nga dita kur Elfetja, vetëm 16 vjeçare, u vra në Lupç të Poshtëm. Ajo është pasqyra e një brezi që nuk pyeti kurrë se sa kushton liria, por thjesht doli dhe e pagoi atë me gjithçka që kishte. Kushtonte sa kushtonte, dhe çmimi ishte jeta.
Fati deshi që në vend të bankave të shkollës, Elfetes t’i binte hise të përballej me tytat e tankeve.
Në atë ditë të tmerrshme, pranë saj ishte vllau i vogel, Mentori.
Edhe kur po jepte frymën e fundit, Elfetja kishte vetëm një preokupim, një pyetje që i mbeti në gojë : “A shpëtoi Mentori?”. Një motër që në prag të vdekjes harron veten dhe mendon për vëllanë.
Mentori, atëherë vetëm 13 vjeçar, e mbajti atë pyetje të ngulitur në shpirt për nëntë vite me radhë, derisa u rrit dhe ra edhe vetë heroikisht si ushtar i UÇK-së në Koshare.
Shpesh po harrojmë se sa e shtrenjtë ka qenë rruga deri këtu ku jemi. Dhuna e asaj kohe, sakrifica e vërtetë, sot sikur po tretet nëpër postime të rëndomta Facebook-u, duke humbur peshën e saj në zhurmën e përditshmërisë.
Por sakrifica e familjes Humolli është kujtesa e pastër se liria jonë mban emrin e një vajze 16 vjeçare që refuzoi ta ulte kokën. Sot desha të shkruaj për Elfeten, jo thjesht si figurë historike, por si një borxh moral që na bën të reflektojmë çdo ditë që frymojmë lirshëm.
Lavdi Elfetes, Mentorit dhe çdo shpirti që u flijua që ne të kemi pranverën tonë.
Burimi/Facebook


Leave a Reply