Dukagjin, dashnia jeme s’asht veç mall për nji vend, por nji betim i heshtun që më rreh në gjak si lahuta n’dorë t’plakut. Je tokë që s’përkulet, je nji frymë që s’shitet, je kujtesë që s’shuhet. N’çdo gur t’and ndiej hapin e burrave që s’e kanë njoft frikën, e n’çdo erë mali më vjen zani i nanave që kanë rritë djelm për nderë e jo për jetë t’gjatë. Këtu dashnia s’thuhet me fjalë t’mëdha, por jetohet me besë. Fjala asht gur, e kur jepet nuk thehet. Tradita s’asht barrë, por shtyllë që na mban drejt n’kohë t’liga. N’sofër t’varfën buka ndahet përgjysë, por nderi kurrë. Kjo asht pasunia jote, Dukagjin, pasuni që s’blihet e s’shitet, por trashigohet si gjaku. Ti je plagë e bukur e shqiptarisë. Ke pa dimna t’egër e vera me gjak, ke durue sulme, djegie e shpërngulje, por kurrë s’je përkulë. Qëndresa jote s’asht britmë, por heshtje krenare ,ajo heshtje që flet ma fort se çdo pushkë. E unë, sa herë largohem, të mbaj me vedi si amanet. Se ti s’je veç vendlindje, je mënyrë me jetue, je rrënjë që s’këputen. Je dashnia jeme ma e thellë, ma e paster, ma e pavdekshme. Dukagjin, ti je vetë shqiptaria. Dukagjinin rrahe me topa, përmbyse me ortiqe, rrafshoje me termete, digje me vullkane ai në çdo profil që ta shikosh , me rrâjë e me themel, asht tharm i thuktë shqiptar Ka edhe gjak t’prishun që hedhin gur e mshehin dorën, që pështyjnë fshehtas n’terr si hije pa emën. Janë maçoke që vinë prej errsinës s’shekullit, t’verbër prej xhelozisë për forcën e fisnikninë e luanit. Po ç’janë ata para teje? Veç një zhurmë e ligë që shuhet pa lânë gjurmë. Ti je Lisi i moçëm, rrâjët i ke n’gjak e në besë, degët n’qiell e në dritë. Nuk tundesh pse ndonji sorrë vajton n’degët tueja, me gaugavet e saj t’neveritshme; se era jote i shpërndan si pluhur t’zi. N’kurriz t’kohës ke mbajtë barrën e historisë, e prap ke çelë pranverë mbi plagë. E kur të shkrepet rrufeja, ti nuk përkulesh përkundrazi, rritesh ma i fortë. Gurët e tu nuk janë veç gurë, por dëshmi. Uji yt nuk asht veç ujë, por pagëzim. Fjala jote nuk asht veç fjalë, por besë e gdhendun në shpirt. Se Dukagjini nuk rron veç mbi hartë ai rron n’zemer t’atyne që s’harrojnë. E për sa kohë që do ketë një burrë që mban fjalën, një nanë që rrit me nder, e një djalë që nuk e shet gjakun ti, Dukagjin, ke me qenë i pavdekshëm.
Burimi/Facebook/Kopliku News


Leave a Reply