Rreth tre a katër shekuj më parë,
Ndroq, i njohur atëherë si Ndërrenje,
ishte një vendbanim i qetë buzë lumit Erzen,
në rrugën që lidhte Tiranën me Durrësin.
Ndërrenja e asaj kohe kishte disa dhjetëra shtëpi
të shpërndara në kodrat e fushat buzë lumit.
Diku në lagjen Pazar të Ndërrenjës jetonte familja
e Selman Agës, një derë e madhe për kohën dhe
e dëgjuar në gjithë krahinën.
Zoti i kishte dhënë Selmanit një vajzë të vetme,
që quhej Bukuri. Siç e kishte emrin, ashtu ishte edhe vetë. Sa më shumë rritej, aq më e bukur bëhej. Bukuria e saj ishte verbuese. Jeleku i ngushtë i rrinte ngjitur pas trupit, duke i theksuar me delikatesë hijeshinë e gjoksit dhe duke i lënë djemtë e fshatit pa mend.
Në një fshat pranë Ndërrenjës jetonte një djalë i varfër, por i pashëm dhe trim. Emrin e kishte Bardhi. Siç e kishte emrin, ashtu e kishte edhe zemrën, të pastër e të bardhë si bora.
Një ditë, teksa kalonte buzë lumit të Erzenit, sytë i vanë mbi një grup vajzash që lanin rrobat në lumë. Në një çast, njërës prej tyre, i rrëshqiti këmba dhe përfundoi në rrymën e fortë të ujit. Bardhi pa u zhveshur u hodh në lumë, arriti te vajza, e kapi për beli dhe e ngriti mbi ujë.
Vajza mbeti e shtangur, por edhe e lehtësuar që shpëtoi nga dallgët. Të dy të rinjtë, njëri si dielli e tjetra si hëna, u panë drejt në sy.
Djaloshi e nxori vajzën në breg. Ajo nuk tha asnjë fjalë, por, kur u ndanë, i shtrëngoi dorën në një mënyrë të pazakontë.
Ata folën me sy dhe me prekjen e duarve më shumë se me mijëra fjalë. Bardhi, fshehurazi e ndoqi Bukurinë deri te porta e shtëpisë së saj.
Në çastin që ajo po kalonte pragun, ktheu kokën edhe një herë dhe pa Bardhin që e ndiqte me sy.
As vetë nuk e kuptoi çfarë ndjenje të çuditshme i pushtoi zemrën në atë çast.
Bardhi vrapoi drejt saj dhe i tha se do ta priste përsëri të nesërmen buzë lumit, atje ku shelgjet lëshonin degët e tyre deri në tokë. Vajza nuk tha asnjë fjalë. Iu duk vetja si e zënë në faj.
Në fund të fundit, nuk dinte asgjë për atë djalë, megjithëse zemra i fliste krejt ndryshe.
Të nesërmen në mbrëmje, Bukuria u gjend mes
një dileme të tmerrshme. Mendja i thoshte se
nuk duhej të shkonte në atë takim, por zemra
dukej sikur i thoshte të mos e humbte atë rast.
Më në fund, zemra fitoi.
Bukuria u nis drejt lumit me zemrën që i rrihte
sikur do t’i dilte nga kraharori. Ecte ngadalë,
duke hedhur vështrime nga të gjitha anët,
nga frika se mos e shihte dikush.
Dhe ja, çasti i shumëpritur erdhi. Bardhi dhe Bukuria u takuan poshtë degëve të shelgjeve,
pa pasur frikë se mos i shihte dikush.
Ishte takimi i parë mes dy të dashuruarve.
Djali e kapi Bukurinë për duarsh, e tërhoqi pranë vetes dhe, me një zë të qetë, i tha se quhej Bardhi dhe ishte nga fshati fqinj. Unë jam Bukuria, bija e Selman Agës, u përgjigj ajo me një zë të ulët.
Bardhi e tërhoqi edhe më pranë dhe e përqafoi fort. Një ndjesi e veçantë përshkoi trupat e tyre.
Pas pak Bukuria kërkoi leje për t’u larguar.
Ajo ishte vajzë dhe çdo vonesë në mbrëmje ishte një shqetësim i madh për familjen.
Që nga ajo natë, takimet e tyre u bënë gjithnjë e
më të shpeshta, por edhe më të rrezikshme.
Çdo mbrëmje, kur errësira mbulonte fshatin,
dy të rinjtë e gjenin rrugën drejt njëri-tjetrit. Bukuria gjente një mijë mënyra për t’u larguar
nga shtëpia pa lënë gjurmë.
Ajo e dinte se po luante me zjarrin, por nuk mund ta ndalte veten.
Bardhi e priste gjithmonë në të njëjtin vend,
larg syve të botës, nën shelgjet që përkuleshin si për t’i mbrojtur. Takimet e tyre ishin të shkurtra,
por të mbushura plot dashuri. Minutat rridhnin si
të ishin sekonda, megjithatë mjaftonin për t’i premtuar njëri-tjetrit se vetëm vdekja mund t’i ndante.
Edhe sikur e gjithë bota të më dalë përballë, unë nuk do të të lë kurrë, i pëshpëriti Bardhi me zë të ulët. Bukuria e pa drejt në sy dhe, pa hezitim, iu përgjigj: Edhe unë jam e jotja për gjithë jetën.
Por, ndërsa ata u betuan për një dashuri të përjetshme, diku në errësirë, një palë sy të tjerë po i vëzhgonin vjedhurazi…
Babai i Bukurisë kishte filluar të dyshonte dhe kishte vënë një njeri të besuar ta ndiqte në çdo hap. Ai e vëzhgonte kudo, derisa atë natë pa gjithçka me sytë e tij. Që nga ai çast, dashuria e
dy të rinjve nuk ishte më sekret.
Kur babai i Bukurisë mësoi këtë të vërtetë,
u ligështua thellë. Sytë dhe zemra iu mbushën
me zemërim. Për të, nderi ishte mbi gjithçka.
I tronditur dhe i zemëruar, ia ndaloi vajzës të dilte nga shtëpia. Edhe nëse do të dilte, do të ishte gjithmonë e shoqëruar.
Pa e zgjatur, nëna dhe babai vendosën ta fejonin dhe ta martonin sa më shpejt.
Nuk kaluan shumë ditë dhe fati i saj u vulos: Bukuria do të martohej në Shijak,
në një derë të pasur.
Bardhi priste me ankth çdo natë në vendin e takimit, por Bukuria nuk erdhi më.
E kuptoi se diçka e keqe kishte ndodhur. Dalëngadalë nisi ta pranonte se ajo dashuri e madhe ishte kthyer në një dhimbje edhe më të madhe, një plagë që nuk do të shërohej kurrë.
Pas fejesës, gjithçka u përshpejtua. Të gjithë u vunë në lëvizje për përgatitjen e dasmës.
Një derë e madhe si ajo e Selman Agës duhej të nderohej edhe për një dasmë të madhe.
Dhe ja, dita e dasmës erdhi. Shtëpia u mbush plot me miq e të ftuar. Zëra gëzimi, këngë e të qeshura kumbonin në çdo cep, ndërsa oborri gumëzhinte nga gjallëria.
Të gjithë ishin të lumtur e të gëzuar… vetëm Bukuria vuante. Ajo qëndronte mes njerëzve e heshtur dhe me zemrën e copëtuar nga një dhimbje e thellë.
Kur e hipën në kalin e bardhë, asaj iu duk sikur iu rrotullua bota dhe duvaku i bardhë iu lag nga lotët. Karvani i krushqve u nis përgjatë luginës së
Erzenit në drejtim të Shijakut.
Ishte verë dhe bënte vapë.
Diku në mes të rrugës, në një lëndinë të bukur, krushqit vendosën të pushonin pak dhe të
shuanin etjen me ujin e ftohtë të një burimi.
Edhe nusen e zbritën nga kali, që të çlodhej pak, para se të merrnin sërish rrugën.
Bardhi e kishte ndjekur karvanin e krushqve
këmbë pas këmbe. Në një çast, kur dasmorët u shpërqendruan, ai doli nga shkurret dhe vrapoi drejt të dashurës së tij. Pa hezituar, ngriti alltinë dhe qëlloi. Nusja ra për tokë.
Të gjithë mbetën të shtangur.
Bardhi u hodh mbi trupin e saj të bardhë,
e përqafoi fort dhe me zë të dridhur i tha se,
që nga ai çast e tutje, do të ishin bashkë përgjithmonë.
Pastaj u ngrit në këmbë, me alltinë në dorë,
dhe iu drejtua të pranishmëve:
O njerëz të mirë, kjo nuse më përket vetëm mua! Kam vetëm një kërkesë: na varrosni bashkë në këtë lëndinë të bukur.
Pa pritur përgjigje, e drejtoi alltinë nga vetja
dhe qëlloi drejt në zemër.
Ra përmbi trupin e Bukurisë.
Një tragjedi e tillë nuk ishte parë e as dëgjuar ndonjëherë. Dasma u kthye në mort.
Dasmorët, me zemra të rënduara,
i varrosën të dy bashkë, aty në lëndinë.
Vite më vonë, mbi varrin e tyre u mboll një rrap,
i cili qëndron aty edhe sot e kësaj dite.
Kanë kaluar shekuj, por kushdo që kalon andej ndalet për një çast, në heshtje, për të nderuar dashurinë e tyre të madhe.
Në ato kohë në trojet arbërore nuk pati një Shekspir që ta përshkruante këtë dashuri tragjike, si atë të Romeos dhe Zhuljetës së Veronës…
Megjithatë, kjo histori u përcoll ndër shekuj e gjallë, si për të na kujtuar se kush vret një dashuri, mallkimi do ta ndjekë deri në varr e përtej varrit.
Burimi/Facebook


Leave a Reply