
“Në gjuhë të tjera edhe mund të flas, por kur më dhemb shpirti, vetëm shqip bërtas!”
Më ka perlotur protesta e studentëve të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut për të drejtën e tyre për t’u testuar në gjuhën amtare, në shqip. Për shumëkënd, numri 385 është i vogël, i papërfillshëm. Për mua, është ekzistencial: 385 qenie që trashëgojnë shqipen.
Shpesh e kam zënë veten duke zëvendësuar fjalë shqipe me të huaja. Gabim i madh.
“Çdo katundar shqiptar flet si filozof, vetëm se ai nuk e di këtë”, thoshte Petro Zheji.
Një nga gjërat që vlerësoj më shumë te pjesa jonë dardane është këmbëngulja për t’u vendosur fëmijëve emra shqip — një zakon i bukur dhe një detyrë e heshtur kombëtare.
Sot, diktimi nuk është më pjesë e rëndësishme e kurikulave mësimore. Me çdo brez, politikat arsimore bëhen më dorëlëshuese ndaj detyrës sonë për ta ruajtur dhe zhvilluar gjuhën shqipe. Është e trishtë që shumë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Shqipëri e shkruajnë shqipen me gabime drejtshkrimore.
Është edhe më e dhimbshme që fëmijët tanë mësojnë anglishten përpara gjuhës amtare. Kjo lajthitje duhet të ndalet. Gjuha e një kombi është shumë e rëndësishme për t’ua lënë vetëm gjuhëtarëve.
“Gjuha është uniteti i një kombi”, thoshte Konica. Dhe gjuha ruhet aty ku shkruhet.
E gjithçka nis nga familja — burimi i ekzistencës së njeriut. Por familja shqiptare shpesh është dorëzuar përballë dëshirës për t’u “europianizuar” apo “amerikanizuar”. Shtypi dhe mediat e thellojnë këtë prirje. Fëmijët rriten me filma vizatimorë në anglisht, ndërsa prindërit heshtin në emër të një “tolerance” të gabuar.
Dhe kështu, duke e harruar familja, e harron edhe shoqëria: shtypi, televizionet, mësuesit, artistët, institucionet. Kemi harruar se mbrojtja e gjuhës është detyrë dhe peng nderi për çdo shqiptar.
Nuk ka zhvillim pa vetëdije kombëtare, pasi neglizhenca e qytetarevë i bën ata mercenarë të politikave antishqiptare (pra thjeshtë numra).
Ndërsa neglizhenca institucionale prej më shumë se 30 vitesh është një krim kombëtar.
Gjuha është institucion mbi të gjitha institucionet.
Dhe për mua, gjuha shqipe është institucioni ynë burimor.
Një institucion që duhet ta mbrojmë të gjithë — qoftë edhe duke folur për të.
“Unë jam zonjë e randë veç kur flas shqip. Të gjitha versionet e tjera janë të huaja!”
Kambanat bien për ne.
Pyetja është: kush ka veshë ti dëgjojë?
Burimi/Facebook


Leave a Reply