Çfarë po ndodh në PD Kurbin?
Sot, më shumë se kurrë, është e qartë se në degën e Partisë Demokratike në Kurbin, statuti nuk është thjesht shkelur, por është nëpërkëmbur me të dyja këmbët.
Ajo që po ndodh me përpilimin dhe “fryrjen” e listave në Fushë Kuqe, Laç, Milot e më gjerë, nuk është as garë, as organizim, por një deformim i qëllimshëm i vullnetit të demokratëve.
Kur listat mbushen me kushërinj, farefis dhe individë të emëruar sipas tekave personale të drejtuesve, atëherë nuk kemi më parti politike, por një strukturë private në shërbim të disa individëve.
Edhe më shqetësuese është zëvendësimi i anëtarëve të vjetër, kontribuues ndër vite, me të punësuar të bashkisë Kurbin, duke e kthyer partinë në një zgjatim të interesave të pushtetit lokal dhe jo në një alternativë të tij.
Kjo nuk është rruga e Partisë Demokratike. Kjo është rruga e humbjes.
Një parti që përjashton njerëzit e saj, që manipulon strukturat dhe që ndërton lista mbi baza klienteliste, nuk mund të kërkojë besimin e qytetarëve.
Sepse besimi nuk ndërtohet me mashtrim, por me meritë, transparencë dhe respekt për rregullat.
Nëse nuk reflektohet sot, nesër do të jetë vonë.
Sepse demokratët nuk harrojnë dhe as nuk falin.
Burimi/Facebook


Leave a Reply