Dje shumëkush m’i uroi Pashkët, e unë u lumtunova dhe e çela derën e zemrës për çdo njeri që din me u gëzue me pak.
– E pakta e ban të shumtën, – shkrova në fletën e bardhë të zemrës, e derën s’e mbylla tan ditën e lume.
Edhe ato pak miza që i zgjoi ky diell pranveror, u futën në dhomën e jetës teme, si me qenë mysafire të padukshme të kujtesës, që të kujtojnë se jeta lëviz edhe në heshtje.
“A i ke ba me shara vezët?” – m’kishte shkrue nji malësor prej Detroitit.
E unë u gëzova. Jo për vezët, por pse ai s’më kishte harrue.
Se nganjëherë mjafton dikush me të kujtue, që ti me e kuptue se s’je krejt i humbun në harresë.
E nganjëherë edhe me t’ofendue asht mirë, se të kujton se njerëzit s’janë të njajtë: mendojnë ndryshe, duen ndryshe, e jetojnë ndryshe.
Jeta asht e bukur, nëse ti e sheh të bukur.
E bukuria s’asht ajo që shkëlqen, por ajo që të rri pranë pa të djegë sytë.
Prandaj, ruhu prej ngjyrave që vezullojnë shumë – se ato shpesh janë dritë e rrejshme.
Shmangu prej ngjyrave të errëta – se e zeza i ka hije veç korbit.
Ti gjeje ngjyrën që s’ta mbulon nurin e fytyrës sate, atë që s’të ban tjetërkush, por të le me qenë vetja.
Se njeriu nuk humb kur varfërohet, por kur tjetërsohet.
Mundohu me e gjetë qetësinë në atë që hala t’ka mbetë e paprekun prej njerëzve që s’të duen.
Po flisja me vetveten… Ndoshta mizave po u flisja. Ndoshta derës që e lëvizte flladi pranveror.
Por po flisja – e kjo asht e randësishme. Se ka ardhë nji kohë kur të paktët të shohin.
Edhe ata që e kanë ditë kush ishe, kur duhej me qenë, tash s’duen me t’pa.
Për ta je ba pluhun rruge që era e çon mbi bajga.
“Plak matuf… je shterrë… pije nji gotë ujë se s’të del zani ma…”
Këto janë fjalët e amla që më erdhën në ditën e Pashkëve.
Fjalë që s’vrasin trupin, por provojnë me lodhë shpirtin.
E megjithatë… unë s’jam Zef, s’jam Fran, jam djali i Alisë, që i due Pashkët si Bajramin, e u këndoj me zanin e shpirtit.
Nuk e di pse njerëzit ma helmojnë zemrën përditë, e pse fytyra ime duhet me u ndërrue si havaja.
Unë jetoj për veten time. Festoj si feston nji “plak matuf”,
këndoj si këndon nji “za i shterrun”, dhe eci pa e kthye kryet mbrapa.
06.04.2026
Burimi/Facebook


Leave a Reply