Asht afrue vera te dera, e mue m’kujtohet kanga e popullit:– “po blegërojnë shtjerrat te dera, dil e mjelni, moj syzeza”!
Populli i vujtun ka dijtë me lindë vepra të mëdha. Uria të fut n’vrimë t’gjylpanës, por edhe të nxjerr prej flakës së sulfurit. Uria të zhvesh prej gjithçkaje që s’asht e jotja e të len vetëm me veten – e aty fillon njohja.
Mue m’u kujtue koha pa shkollë e pa bukë, kur populli lumtunohej e knonte:
“vera vjen njiherë te dera”.
E vera, kur vjen, s’asht veç stinë – asht kujtesë për kohën që s’pret.
Sot, rrezeve ua çela derën se
gjithçka që vjen duhet me u pritë si dhuratë – si diçka që të takon, por që s’të pret gjatë.
Sepse jeta nuk asht ajo që na përket, por ajo që na jepet për pak.
Para derës u ula, si plakat që u gëzoheshin rrezeve të pranverës e me gërhanë i krehshin flokët e bardhë.
Unë s’kam flokë me i krehë. Kam kambë – e ato po i kruej.
Jo pse më kruhen,
por pse due me ju kallxue sa kanë vuejtë për fajet e kokës teme.
Sepse trupi gjithmonë paguen borxhet që mendja i ban pa mendue.
Po i kruej për ket krye që as prushi, as britma, as heshtja s’e shëroi.
Po i kruej që ta dinë se ato kanë qenë ma besnike se mendja.
Ato kurrë s’më kanë tretë rrugëve të botës.
Gjithmonë më kanë kthye në Dardani.
Sepse njeriu mundet me humbë në botë, por rruga e kambëve e din gjithmonë kah asht kthimi.
Nji mizë sillet rreth kambëve si helikopter lufte mbi nji fushë pa ushtarë.
Don me m’i pickue kambët e unë po luftoj me mizën.
Jo, nuk e vras. Se mizat janë shoqet e heshtuna të të burgosunve.
Janë dëshmitaret e vetme të jetës në nji qeli pa dritë, pa za, pa letër.
E kush e ka njohë vetminë, nuk e vret dëshmitarin e saj.
Sepse vetmia nuk asht mungesë e të tjerëve – asht prania e tepërt e vetvetes.
Sot po rri para derës sime si ato plakat me furka tue tjerrë lesh bardhokash.
Rri e flas me mizën, si me nji mendim që s’të len rehat.
Se edhe mendimet janë si mizat:
nëse i ndjek, të lodhin; nëse i kupton, të mësojnë.
E nëse i pranon, të lirojnë.
Sot dola n’qytet me i lodhë kambët, por e takova Fëllanzën, mërgimtaren prej Amerikës.
Më mori ngrykë e s’foli. Veç më shikoi gjatë.
Unë kujtova se ishte memece e m’u dhimt.
Por jo – ishte malli që ia kishte marrë fjalën.
Iu kishte kujtue baba që kishte luejt në film bashkë me mue.
Mërgimtarja i mori librat e mi.
Unë sot u lumtunova, sepse ndonjëherë mjafton dikush me të kujtue, që ti me e kuptue se nuk je krejt i harruem.
05.04.2026
Burimi/Facebook


Leave a Reply