Sa herë jam mysafire në shtëpinë e shenjtë të Allahut vështroj me vëmendje miliona fytyrat e ndryshme, miliona sjelljet, shprehitë, reagimet dhe zakonet kulturore të qindra popujve të botës.
Gjithmonë gdhend në memorien time një imazh të veçantë që befason duke u përpjekur ta përjetoj më pas atë imazh, atë copëz jete, si një copëz histori të historisë së njerëzimit.
Këtë umre të mrekullueshme të muajit Ramadan 1447 hixhri, pata rastin të njihem me shumë kultura të ndryshme si perendimore dhe lindore, ku gjithësecila prej tyre ruan me forcë unikalitetin e saj, por një gjë që më mbetet në mendje nga çfarë pashë atje dhe ishte në unison me të gjitha kulturat si pasuri e ndërtuar dhe kthyer në institucion nga islami ishte devotshmëria e umrexhive ndaj prindërve të tyre.
Sa e sa bij e bija mbanin përkrah, tërhiqnin në karroca, apo bartnin në kurriz prindërit e tyre në moshë të thyer për të performuar ritualet e umres në një pasarelë të sabrit(durimit) dhe vështirësisë që e karakterizon umren e Ramazanit.
Kishte kaq shumë pamje të tilla ngado ku hidhje këmbët, ngado ku hidhje sytë dhe ngado tek mundoheshe të depërtoje në mes njerëzve, sa dukej se epoka moderne në familjet islame si në lindje dhe perendim përsa i takon prindërve mbetet e pandryshuar, mbetet e njëjta, mbetet po ajo marrëdhënie e shenjtë ndërmjet prindërve dhe fëmijëve siç edhe iu urdhërua njerëzimit që nga profeti i parë i njerëzimit Ademi a.s.
Histori të tilla kishte shumë, por unë sot do ju tregoj për një afresk humanizmi të jashtëzakonshëm që pikasa në një moment pas faljes së namazit të akshamit në Qabe.
Gjatë muajit Ramazan në Qabe ka një axhendë të tillë që ndiqet çdo vit:
Agjëruesve të cilët e kalojnë kohën në ambientet e brendshme të Qabes ju ofrohet çelja e iftarit nga autoritet saudite, kështu çdo herë unë përzihem mes popujve të botës dhe çel iftar me ta në shtëpinë e Allahut. Me vete nuk marr asgjë, pasi ha atë që hanë miliona pelegrinë nga e mbarë bota, si i pasuri dhe i varfri, në sofrën e bekuar të Allahut. Pasi shpërndahet ushqimi dhe thirret ezani i akshamit që lajmëron thyerjen e agjërimit për atë ditë, agjëruesit hanë pak sa për të shuar etjen dhe urinë, falin namazin e akshamit nën udhëheqjen e imamit të Qabes dhe menjëherë më pas i rikthehen dhe njëherë ushqimit.
Pikëtisht, pasi u fal namazi i akshamit dhe po pija një nga ato kafet tritol saudite të cilat e shpërndanin vajzat dhe gratë saudite për të huajt, gjatë iftarit më zënë sytë tek hyrja e seksionit të grave ku po qëndroja një burrë i moshës së mesme diku tek 60 apo 65 vjeç, që ishte ulur në gjunjë pranë një gruaje të moshuar në karrocë dhe po e ushqente si fëmijë. Gruan e moshuar(nënën e tij) e kisha me kurriz, por dukej që ishte në moshë tejet të thyer. Ai i ofronte lugën me kujdes, më pas i fshinte buzët me një pecetë dhe herë-herë i fërkonte kokën tek priste që ajo të kapërcente ushqimin.
Imazhe të tilla kishte me qindra-mijra në Qabe, por përse më bëri përshtypje pikërisht ky moment?
E vëreja me vëmendje fytyrën e djalit të gruas së moshuar dhe përgjatë të gjithë kohës që ai e ushqente nënën e tij, në fytyrën e tij nuk u shua për asnjë moment buzëqeshja, sikur edhe për një moment të vetëm.
Ka raste ku dhe vetë nënat tek ushqejnë fëmijët e tyre në fytyrë tregojnë shenja lodhje, apo ka raste dhe mërzie të pavullnetshme, pasi në fund të fundit njeriu lodhet dhe mërzitet sado që ti e do pafund fëmijën tënd, por në rastin konkret për asnjë minutë të vetëm, ore qoftë edhe një sekond si nuk pashë një kontraktim të pavullnetshëm të fytyrës së burrit që të shprehte lodhje, mërzi apo bezdi. Muskujt e fytyrës shpesh reagojnë në mënyrë të pavullnetshme dhe shprehin atë që njeriu e fsheh me mundim, por në rastin konkret ai bir i asaj nëne të bekuar, kurrë nuk e hoqi buzëqeshjen nga fytyra tek ushqente nënën e tij si një fëmijë 2 vjeç!
Kjo është bukuria e islamit, këto janë vlerat që unë i dua dhe i përçoj. Kjo është arsyeja që unë flas kaq shumë për këto vlera, pasi këto janë pasuria e vërtetë e trashëguar e njerëzimit nëpërmjet besimit.
Unë mbi të gjitha dua humanizmin si vyrtyt i paçmuar i shoqërisë njerëzore dhe natyrisht dashuria, respekti, devocioni ndaj prindërve qëndron në majën e atributeve të shoqërisë njerëzore.
Ndaj, për të promovuar këto vlera unë punoj natë e ditë falas, pa u paguar nga askush, pasi kjo i dallon njerëzit e mirë nga të këqinjtë.
Njeriu i mirë lufton fort për ndërtimin e një shoqërie që e ka sjelljen, edukatën, respektin dhe empatinë ndaj tjetrit, pjesë të kulturës së saj të trashëguar brez pas brezi.
AlmaAutor
Burimi/Facebook


Leave a Reply