Nga Ana Tepelena
Shpesh më pyesin: “Ana, si rriteshin fëmijët në kohën e monizmit në Shqipëri dhe si rriten sot fëmijët në emigrim?”
Kjo është një pyetje që më prek thellë, sepse kam jetuar të dyja realitetet dhe kam parë nga afër ndryshimet e mëdha mes tyre.
Unë u rrita në kohën e monizmit në Shqipëri, një periudhë me shumë kufizime, por edhe me vlera të forta familjare. Prindërit tanë punonin pa pushim për të siguruar jetesën. Në familje të mëdha, si e imja me pesë fëmijë – tre motra dhe dy vëllezër – sakrifica ishte pjesë e përditshmërisë. Fjala e babait ishte ligj. Disiplina ishte e fortë dhe respekti për prindërit, për të moshuarit dhe për komunitetin ishte i padiskutueshëm.
Nuk kishim pasuri materiale, por kishim dashuri, harmoni dhe ndjenjë përgjegjësie. Vendimet e rëndësishme merreshin nga prindërit. Martesat, fejesat dhe rruga e jetës shpesh ndikoheshin nga familja dhe fisi. Gruaja kujdesej për shtëpinë dhe fëmijët, ndërsa burri ishte figura kryesore vendimmarrëse. Liria ishte e kufizuar, por rregulli dhe struktura ishin të qarta.
Sot, situata është krejt ndryshe, sidomos për familjet shqiptare në emigrim, apo thënë më konkretisht këtu në SHBA, ku jetoj dhe e përjetoj çdo ditë këtë realitet.
Si rriten fëmijët sot në emigrim?
Prindërit në emigrim përballen me një realitet shumë më kompleks. Sistemi kërkon shumë: punë, pagesa, fatura dhe përgjegjësi të pafundme. Shpesh prindërit detyrohen të punojnë dy punë për të përballuar jetesën. Ngarkesa është jo vetëm financiare, por edhe emocionale.
Fëmija në emigrim rritet mes dy botëve: traditës shqiptare dhe kulturës së vendit ku jeton. Ai kërkon dhomën e vet, makinën, aktivitete jashtëshkollore, teatër, pushime, rroba firmato. Ai sheh shokët dhe dëshiron të jetë si ata. Por prindi vjen nga një realitet tjetër, nga një kulturë tjetër, ku jeta ishte më e thjeshtë dhe komuniteti më i mbyllur.
Në emigrim, prindi duhet të dijë me kë shoqërohet fëmija, ku shkon dhe çfarë bën. Bota është më e hapur, por edhe më e rrezikshme. Nëse fëmija nuk dërgohet herët në kopsht, mund të hasë vështirësi në integrim. Por edhe kopshti e shkolla sjellin sfida të tjera: kultura të ndryshme, mënyra të reja edukimi dhe rregulla të forta shtetërore.
Ekziston edhe një realitet tjetër që për ne shqiptarët është i vështirë për t’u pranuar: sistemi në shumë vende të emigrimit e pyet fëmijën si trajtohet në shtëpi. Nëse ai tregon për konflikte apo dhunë, institucionet ndërhyjnë. Kjo krijon frikë dhe pasiguri te shumë prindër që janë rritur me modele të tjera disipline.
Ndërkohë, në shumë vende perëndimore, fëmijët mësohen herët të punojnë, të bëhen të pavarur dhe të ndërtojnë jetën e tyre. Në moshën 18-vjeçare largohen nga shtëpia dhe krijojnë rrugën e tyre. Ndërsa ne shqiptarët shpesh i mbajmë fëmijët pranë për shumë kohë, madje edhe pas martesës, sepse kemi frikë nga “çfarë thotë bota” dhe e lidhim reputacionin me opinionin e të tjerëve.
Mes dy botëve
Dallimi mes së kaluarës dhe së sotmes është i madh. Atëherë kishim më pak liri, por më shumë kontroll dhe strukturë. Sot ka më shumë liri, por edhe më shumë sfida, presion dhe rrezik për humbje identiteti.
Fëmija sot ka nevojë për dashuri, por jo për përkëdhelje të tepruar. Ka nevojë për kufij, por edhe për dialog. Ka nevojë për prindër të pranishëm, jo vetëm financiarisht, por emocionalisht.
Shumë prindër më thonë: “Kemi probleme me fëmijët.”
Unë them: mbajini afër, dëgjojini, mos u jepni vetëm luks, por jepuni kohë dhe vëmendje. Mos e humbni lidhjen me ta, sepse emigrimi është një tronditje e madhe si për prindin ashtu edhe për fëmijën.
Ky është një rrëfim real, pa filtra – një përpjekje për të kuptuar ndryshimet mes brezave dhe për të mos humbur thelbin e familjes shqiptare, kudo që ajo jeton.
—————-
Pjesa e dytë e shkrimeve të Anës, ekskluzivisht për “Albanian News”
Burimi/Facebook/Albanian News


Leave a Reply