Ishin kohë të vështira, kohët kur meshkujt u takonin më shumë rrugëve të kurbetit sesa vatrave të tyre. Iknin me zemra të thyera dhe shpresën se do të ktheheshin shpejt, por vitet treteshin e treteshin deri në harresë. Nënat e gjora përcillnin bijtë e tyre duke menduar se kjo mund të ishte ndoshta edhe ndarja e fundit.
Edhe vashat e sapomartuara përcillnin të zotët e tyre duke e ditur se largimi ishte i sigurt, ndërsa kthimi vetëm një fije e hollë shprese, që mund të këputej në çdo çast rrugëve të botës. Krevatet mbeteshin bosh, ndërsa jastëkët lagëshin nga lotët.
Pas ndarjes fillonte pritja, një pritje që gërryente zemrat, ashtu sui dallgët e detit që gërryejnë pak e nga pak shkëmbinjtë. Aq e gjatë ishte pritja sa edhe pendët e korbit fillonin të thinjeshin pa le më flokët e njeriut. Çdo lajm i panjohur sillte frikën e zezë të humbjes.
Kështu ndodhi edhe me një djalë nga bregu, që sapo ishte martuar me një vajzë jetime të po atyre anëve. Ishte një çift i ri që ngjante më shumë me dy engjëj. Dukej sikur Zoti i kishte bërë vetëm për njëri-tjetrin. Hareja e dasmës, këngët e vallet, dollitë dhe krisma e pushkës kur erdhi nusja, ishin ende të freskëta.
Nuk kishi kaluar as dy javë. Ende pa u tretuar jehona e dasmës, lumturia e të sapomartuarve u shndërrua në trishtim. Djalin e prisnin rrugët e kurbetit ashtu siç kishin pritur breza të tërë burrash para tij. Shpresonte shumë që fati të ishte me të.
Ashtu, në heshtje, i premtuan njëri-tjetrit besnikëri. Djali u betua se, gjallë a vdekur, do të kthehej, ndërsa vajza i premtoi se deri në fund të jetës nuk do të pranonte tjetër mashkull në krahët e saj. Në ato vite, fjala e nderit ishte ligj, edhe pse i pashkruar.
Dhe erdhi ajo ditë. Anija me të cilën do të nisej drejt së panjohurës priste në limanin e vogël të qytëzës. Ishte një ditë ndryshe nga të tjerat, edhe deti dukej se kishte humbur qetësinë e tij.
U përqafuan gjatë buzë limanit, me shpresën se shumë shpejt do të ishin sërish bashkë. Por çastet e lumtura nuk zgjasin përgjithmonë. U ndanë. Vajza mbeti e ngrirë si statujë, duke ndjekur me shikim anijen që largohej. Sa më shumë ajo largohej, aq më e vogël dukej, derisa, atje larg në horizont, ku qielli dhe deti shkriheshin në një, u zhduk krejtësisht.
Edhe djaloshi, me kokën e kthyer pas, shikonte nga kuverta limanin dhe malet ku ishte rritur. Ndërsa anija përparonte, malet filluan të zbeheshin, derisa u tretën nga pamja.
Çfarë kohësh! Një nuse e re mbeti krejtësisht vetëm, e dënuar të jetonte mes ankthit dhe shpresës, duke pyetur veten nëse një ditë i shoqi i saj do të kthehej. Ditët, muajt e vitet kalonin, dhe ajo priste me padurim qoftë edhe dy rreshta letër prej tij. Por çdo pritje ishte e kotë. Asgjë nuk mbërriti.
E mjera vajzë dilte buzë detit, ulej mbi një shkëmb dhe vështronte horizontin, në pritje të ndonjë anijeje. Priste me orë të tëra, por asgjë. Të nesërmen bënte të njëjtën gjë. Për të, dimri dhe vera ishin njësoj. Çdo ditë shkonte në vendin e saj, ulej mbi gur dhe, me sytë nga deti, vetëm lotonte:
Mbi një gur anës detit
Qan e zeza, qan e mjera, qan e zeza qan.
Çfarë vargjesh, dhe çfarë dhimbjeje e derdhur brenda tyre! Kush ishte ajo dorë, ajo mendje e ndritur, që e gdhendi deri në përmasë legjende një dramë kaq të madhe?
Disa thonë se autor ishte populli i atyre anëve, që e lindi dhe e përcolli brez pas brezi. Të tjerë besojnë se krijuesi ishte një usta i këngës polifonike të bregut, Neço Muko, që i dha zë dhe e përjetësoi në këngën e famshme polifonike të Himarës e gjithë Bregut.
Sidoqoftë, kur u shkruan këto vargje, askush nuk e mbante mend më emrin e djalit, as të vajzës. Koha ua kishte fshirë emrat, por jo historinë. Ajo mbeti e madhe, e dhimbshme, e paharruar.
Autori i dha vajzës një emër të jashtëzakonshëm, duke e quajtur Vajza e Valëve. Ishte një emër perëndeshe, që i shkonte aq bukur një krijese që dukej sikur kishte lindur më shumë nga deti sesa nga toka.
Dhe ndoshta kishte të drejtë. Shpirti i saj ishte përpirë nga valët, ishte bërë një me to. Aty ulej, aty lutej, aty derdhte lotët, duke iu përgjëruar detit që një ditë t’ia kthente njeriun e zemrës. Valët u bënë dëshmitare të pritjes së saj, të shpresës që nuk vdiste dhe të dhimbjes që nuk shuhej:
Gjithë bota ven e vijnë
Por ai nuk vjen e mjera, por ai nuk vjen.
Por kë të pyeste Vajza e Valëve nëse i shoqi i saj ishte gjallë apo i vdekur? Pyeste detin, pyeste qiellin, por përgjigjja ishte veç një heshtje e gjatë, e rëndë si gur. Humbiste shikimin në horizontin e largët, atje ku bluja e detit përzihej me qiellin, dhe qante e qante pa pushim, sikur lotët të ishin e vetmja gjuhë që i kishte mbetur.
Një çast ngriti sytë dhe pa dallëndyshet që kishin mbritur. E kuptoi se kishte ardhur pranvera, megjithëse për të të gjitha stinët ishin bërë njësoj, një dimër i gjatë pritjeje. Dallëndyshet vinin nga larg, nga vende që ajo s’i njihte, dhe ndoshta mund t’i sillnin një lajm, një fjalë, një shenjë nga ai që deti ia kishte rrëmbyer.
Mos e patë ju?
Rron apo nuk rron?
Ndonjë lajm a ndonjë leter
Vallë a na kujton e mjera
Vallë a na kujton.
Por as dallëndyshet nuk kishin parë asgjë. E kujt mund t’i qahej e mjera Vajzë e Valëve? Kujt t’ia derdhte mallin dhe ankthin që i rëndonte në kraharor? Ishte e vetme në këtë botë. Nuk kishte as babë, as nënë, as motra e vëllezër ku të mbështeste kokën. Dhe atë që kishte zgjedhur me shpirt, atë që kishte bërë zot të zemrës së saj, nuk e kishte më:
Një jetime jam
Pa nënë e pa babë.
Një që kisha një që doja
Iku dhe më la e mjera
Iku dhe më la.
Vitet kalonin dhe në flokët e Vajzës së Valëve nisën të shfaqeshin thinjat e para. Pritja e gjatë po linte gjurmë në qenien e saj. Dhe një ditë të mallkuar, më në fund, erdhi ajo që kishte pritur për vite me radhë, dy gisht letër.
Nuk guxonte ta hapte. Mos vallë ishte lajm i mirë? Apo një nga ato fjalë që bien si rrufe dhe njoftojnë gjëmën? Zemra i rrihte fort, si të donte t’i dilte nga kraharori.
Me duar që i dridheshin, mblodhi gjithë guximin dhe e hapi. Fjalët e shkruara brenda ishin më të rënda se plumbi. Nuk ishte e thënë. Zoti i saj nuk do të kthehej më. Ai e kishte shkruar atë letër pak para se të largohej përgjithmonë nga kjo botë, si një amanet të fundit. Në atë çast, deti përballë saj dukej më i errët se kurrë, ndërsa qielli u nxi.
Një dhimbje therëse përshkoi gjithë qenien e Vajzës së Valëve. Fjalët e tij ishin si plagë që hapeshin sërish. Ai i kërkonte ta linte pas dashurinë e tyre dhe të martohej, të niste një jetë të re. Por si mund ta bënte këtë ajo? Si mund ta shkelte fjalën e dhënë atë ditë buzë limanit, kur ishin ndarë me lot në sy dhe me besën si dëshmitare?
Ajo nuk e fajësoi. E dinte se fjalët e tij ishin shkruar në gjendje të rënduar, dhe se nuk donte ta mbante peng të një pritjeje të pa pafund. Dhe poeti shkroi…
O i dashur djalë që shkove dhe më le
S’pate faj as ti as unë ashtu qe për ne!
Ne u ndamë këtu qielli atje lart
Do të na bashkojë o djalë, prit se vij për pak!
Që nga ajo ditë, Vasha e Valëve nuk doli më te guri i saj buzë detit. Aq shumë lot kishte derdhur aty, sa dukej sikur faqja e atij guri ishte gërryer nga dhimbja. Dhe thonë se ato gjurmë ruhen ende, si dëshmi e heshtur e kësaj legjende të hershme.
Por ajo që e bëri të pavdekshme këtë histori dhimbjeje ishte kënga polifonike e Neço Mukos. Është e vështirë të gjesh një këngë tjetër në Himarë e në gjithë fshatrat e Bregut që të rrënqeth shpirtin si “Vajza e Valëve”. Ajo nuk është thjesht një këngë, është himni i atyre anëve, jehona e një pritjeje të pafund dhe e një dashurie që nuk u shua kurrë.
Burimi/Facebook


Leave a Reply