Mbështetje nga BE pas rrezikut të pushtimit nga SHBA-të
Ky avion me ushtarë danezë zbriti vonë gjatë natës së të mërkurës në kryeqytetin e Groenlandës, Nuuk. Ulja e avionit të transportit ushtarak ndodhi pasi kryediplomatët e Danimarkës dhe Groenlandës, pjesë e një delegacioni të përbashkët, përmbyllën pa rezultat takimin në Shtëpinë e Bardhë me zv/presidentin amerikan dhe Sekretarin e Shtetit.
Ndërsa mësohet se edhe Franca ka dërguar një grup ushtarakësh në Groenlandë. Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se në ditët në vijim do të ketë përforcim me forca ushtarake detare dhe tokësore. Edhe shtete të tjera evropiane anëtare të NATO-s si Franca, Suedia, Gjermania e Norvegjia do të dërgojnë trupat e tyre ushtarake.
Ky hap ndërmerret pas paralajmërimeve të presidentit amerikan Donald Trump se mund të dërgojë edhe ushtrinë për të marrë kontrollin e ishullit arktik, që e konsideroi si tepër të rëndësishëm për sigurinë e Shteteve të Bashkuara, për të mos rënë në duart e Rusisë dhe Kinës.
Ndaj këtyre deklaratave reagoi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, e cila tha se Perëndimi duhet t’i ndalë të tilla qëndrime. Ajo theksoi se Rusia është në solidaritet me qëndrimin e Kinës se referencat për aktivitete të caktuara ruse dhe kineze rreth Groenlandës janë të papranueshme si arsye për përshkallëzimin aktual.
Agjencia e lajmeve Reuters shkruan se NATO përballet me një provë kritike, ndërsa Presidenti Donald Trump intensifikon idenë e tij për pronësinë e Groenlandës nga SHBA-të, një veprim që ka dërguar valë tronditëse në të gjithë aleancën.
Udhëheqësit dhe diplomatët evropianë paralajmërojnë se një marrje me forcë e territorit danez nga Shtetet e Bashkuara do të ishte e pashembullt, duke kërcënuar vetë themelin e sigurisë kolektive të NATO-s.
Burimi/Tv Klan


Leave a Reply