Pa dashur të lë pa punë teoritë konspirative le të sjell për fundjavë një ilustrim praktik dhe zyrtar, – pjesën e parë të relacionit mbi treguesit e MPB/ Sigurimit të Shtetit 1987-1988 për kontingjentet e mundshme të agjenturave. Shikoni këtë pjesë (vijon në 7-8 fletë e tabela të tjetra të detajuara) informacioni zyrtar të kohës, – ec e kuptoje që sipas Sigurimit sovjetikët kishin agjentura në Fier, apo se Durrësi ishte kryeqendra e spiunazhit amerikan e jugosllav, Lushnja kishte 67 agjentë grekë, etj. Në total shkresa e plotë raporton për më shumë se 1 mijë agjentë jugosllavë, mbi 100 agjentë italianë, mbi 200 agjentë nga vende revizioniste dhe 80 amerikanë, etj, etj. Shumica e tyre rezultojnë punëtorë, të papunë, kooperativistë, ushtarë, kulakë, punonjës në tregti etj. Mungojnë kryesisht intelektualët dhe studentët!
Kur e përballim dokumentin me të dhëna të tjera zyrtare të kohës rezulton se ndonëse më vonë pranohet se në pothuajse asnjë rast nuk u gjetën prova bindëse, por ndjekja apo dënimet u bënë kryesisht në dyshime dhe denoncime fiktive ose nën presion, – gjithsesi disa drejtues rrethesh të Sigurimit u dekoruan për arritje të larta dhe u graduan në poste më të rëndësishme politike dhe zyrtare. Tejkalimi i planit dhe zbulimi i grupeve armiqësore ishte biznes popullor dhe i sigurt për karrierë.
Tani (duket se) jetojmë në kohë tjetër. Brezi i sotëm qesh me të dhëna të tilla dhe nuk e beson se kemi qenë të tillë. As nuk i kushtojmë rëndësi, duket si film i vjetër bardh e zi diku tej nesh dhe pa ne. Njëjtë siç do të qeshin brezat e ardhshëm me të dhënat zyrtare të sotme dhe retorikat armiqësore ndaj 15-21 vjeçarëve.
Ne vijmë nga e kaluara, e sotmja është produkt i kulturës politike e shtetërore të saj, por gjithsesi duhet të kishim mësuar e reflektuar prej saj. Së paku të mos bënim të njëjtat gabime. Sepse e ardhmja do të jetë produkt i kulturës politike të së sotmes.
Mësimi? Ndaj edhe një intervistë, deklarim, revoltë paqësore, fjalë apo zë i lartë studenti apo gjimnazisti të sotëm që kërkon më shumë liri, barazi shansesh, sistem meritor, cilësi demokracie dhe shteti të së drejtës është pasuri kombëtare, është akt ndryshimi, është akt qytetarie.
Jo duke iu përgjigjur me denigrim, injorim, gjyq publik as me shkopinj gome, ujë apo gaz, pra me gjuhën e 1988-1989, por duke i dëgjuar, kuptuar, falënderuar dhe ofruar zgjidhjet reale, që krahas të sotmes kultura e të kaluarës të mos ua marrë peng as të ardhmen e tyre dhe që midis modelit të kulturës së vjetër dhunuese a militante dhe rinisë, të zgjedhim atë që zgjedh çdy shoqëri e qytetëruar, rininë dhe dijen.
Burimi/Facebook


Leave a Reply