🔴 Shtetet e Bashkuara janë molepsur nga logjika perandorake: kush nuk komandon është vasal!!
Me largimin e dhunshëm të diktatorit venezuelian Maduro dhe me kërcënimin e përsëritur për të aneksuar brenda dy muajsh Groenlandën, duke ia hequr Danimarkës dhe Bashkimit Evropian, Donald Trump e ka zyrtarizuar konkretisht “politikën e më të fortit”, theksuar brutalisht nga këshilltari i tij i besuar, Stephen Miller.
“Bota reale qeveriset nga forca, nga pushteti. Këto janë ligjet e hekurta të botës që prej agut të kohërave”.
🔴 Pa pikën e respektit për institucionet ndërkombëtare dhe pa mësuar asgjë prej dy luftërave botërore.
🔴 “Aneksimi i Groenlandës do të ndodhë”, parashikon politologu Ian Bremmer.
“Ka shumë gjasa të mos ketë ndërhyrje ushtarake, por një presion shumë i fortë ekonomik dhe politik”.
🔴 Nuuk, aktualisht një tokë praktikisht e virgër, ruan rreth 20% të rezervave botërore të atyre tokave të rralla që Kina, prodhuesi dhe përpunuesi kryesor botëror, i përdor si armë shantazhi, përveç naftës, arit dhe diamanteve.
🔴 Por jo vetëm kaq. Groenlanda është vend i lakmueshëm edhe nga perspektiva e sigurisë kombëtare, tani që zona Arktike është shndërruar në territor strategjik.
🔴 Së fundi, ajo nuk është e aftë të mbrohet as vetë, as me ndihmën e Danimarkës. Të paktën jo përderisa Evropa vazhdon ta mendojë veten si vasale të një Uashingtoni që e përçmon hapur dhe të mos reagojë ndaj veprimeve armiqësore, duke shpresuar që stuhia të kalojë dhe gjithçka të kthehet si më parë.
🔴 Në rastin e Venezuelës, nuk është aq largimi i një diktatori brutal si Maduro ajo që ka alarmuar si hemisferën perëndimore, ashtu edhe atë lindore. Janë zgjedhja e objektivit, mënyrat e largimit të tij dhe pasojat për pjesën tjetër të botës, nga Pekini në Bruksel.
🔴 Trump ka zgjedhur Venezuelën si një objektiv të lehtë nga pikëpamja politike dhe ushtarake, shumë fitimprurës nga ana ekonomike dhe emblematik për sigurinë kombëtare. Ashtu si Groenlanda, është një objektiv i përsosur.
🔴 Ajo që i intereson Trump-it janë fitimet nga nafta e vendit dhe lëndët e tij të para, sidomos tokat e rralla. Dhe pastaj mundësia për ta përdorur këtë vend për të kufizuar jo aq tregtinë, sa ndikimin strategjik të Kinës në Amerikën e Jugut, ku ajo ka depërtuar thellë prej vitesh me “Rrugën e Mëndafshit”, dhe atë të Rusisë, aleate e Kinës, e cila me Karakas dhe Havanën ka marrëdhënie shumë të ngushta.
🔴 Si do ta qeverisin SHBA-të Venezuelën nga distanca ende nuk është e qartë. Por është e dukshme se operacioni i kryer në mënyrë kirurgjikale për një orë e gjysmë nuk duhet t’i ketë shpëtuar vëmendjes së Vladimir Putinit, si një standard i pamëshirshëm krahasimi me operacionin e tij “rrufe” në Ukrainë, i shndërruar në një kasaphanë shumëvjeçare, e aq më pak Xi Jinping-ut, shërbimet sekrete të të cilit u zunë të papërgatitura.
Federica Bianchi, “L’Espresso”

Burimi/Facebook


Leave a Reply