E ngrita çekanin e randë prej hekuri. Jo me ndërtue, po me shkatrrue. Isha gati me e ba thërrime nji orë me lavjerrës të shekullit të tetëmbëdhjetë, përmbi dyshemenë prej terrakote të punishtes teme.
Ishte nji e martë me shi në muejin nëntor. Punishtja jeme, e mshefun në nji rrugicë të Firences, mbante erë druni të vjetër, llaku e kafeje të ndejun.
Emni jem asht Giuseppe. Për pesëdhjetë vjet, isha “Mjeshtri”. Bujaria e Toskanës m’i kanë sjellë thesaret e tyne, se siç thojshin, duert e mia ishin dhanti prej Zotit.
Ishin të forta, të sakta, të pagabueshme.
Pastaj, terr. Nji pikë në tru, gjashtë muej ma parë.
Mallkimi.
Më la gjallë, po, por më mori dinjitetin. Ana jeme e djathtë asht ba dembele, e randë. Dora jeme e djathtë, ajo që dikur niste ingranazhe të holla sa filli i flokut, tash dridhet.
Dridhet si gjethe kur fryn tramuntana.
Atë mëngjes, po provojshe me e shti nji vidë të vogël te ura e ekuilibrit. Provova nji herë. Dy herë. Mbas herës së dhetë, vida ra e kërcuri në dysheme. U ndjeva i poshtruem.
Nji zejtari jeton për artin e vet. Pa përsosmëni, na s’jemi kurgja. M’u rrit mllafi në fyt, i hidhët si tamthi.
E kapa çekanin. Dojshe me e fshi atë dëshmi të paaftësisë teme.
—Nëse e thoni, Giuseppe, a keni me i tregue zonjës Bianchi, se burri i saj ka dekë për kurgja?
Ngriva. Marco po rrinte te dera. Njizet e katër vjeç, me flokë kaçurrel të shpupuritun dhe me atë qëndrim të paturpshëm që e kanë vetëm të rinjtë e sodit.
Kishte nji vit që punonte me mue.
Nji “djalosh dyqani” i mirë, po shumë impulsiv.
Nuk e ula çekanin.
“Shko n’shpi, Marco!” bërtita, e zani më dridhej ma shumë se dora. “Mbaroi! Kqyrmë mue! Jam nji i pavlerë. Nji orëndreqës që s’mundet me vendosë nji vidë asht si nji tenor pa za.
Jam ba qesharak!”
Marco hyni brenda, tue mos ia vashue veshin tërbimit tem. I vuni dy kafe ekspres mbi banak, e lëvizi me delikatesë nji kaçavidë.
“Nuk je i pavlerë, Zotni. Je thjesht nji toskan i vjetër e kokëfortë,” tha me qetësi. “Koka jote asht plot me sekrete që unë s’i di. Unë i kam duert e forta. Më përdor mue. Apo je tepër krenar me e lanë nji “djalosh” si unë me të ndihmue?”
Ajo fjalë, krenaria, më ra si shuplakë. Ne jemi të brumun me krenari e pasion. Por në atë çast, e kuptova se krenaria po më mbyste.
E lëshova çekanin me nji zhurmë të mbytun.
“Laji duert,” murmurita, tue fshi djersët e ftohta prej ballit.
“Dhe për at’ Zot, mos e pi kafenë aty.”
Javët që erdhën ishin si në purgator. Isha kokëfortë. Marazi po më hante të gjallë. I ulun në stolin tem, e shtrëngojsha krahun e djathtë pas gjoksit me e ndalë dridhjen dhe jepshe urdhra me za të naltë.
“Kadale! Dreqi e mori, Marko! S’je tue ngjeshë brumë pice! Asht mekanizëm i hollë!
Duhet delikatesë!”
Marko e thithte çdo gja që i thojsha. Ndonjiherë e shihja tue shtrëngue dhambët, ndonjiherë pëshpiste ndonji mallkim nëpër dhambë, po nuk u largue. U bamë nji krijesë e çuditshme: truni jem dhe duert e tija.
Po belaja po priste. Kishin mbetë edhe dy ditë prej dorëzimit të orës. Duhej me drejtue boshtin e rrotës së lavjerrësit.
Nji ndërhymje kirurgjikale. Marko hezitoi. Unë e humba durimin. “Lëviz!” i bërtita. “Kam me e ba vetë! Duhet me qenë i zoti me ba diçka!”
I mora pincat me dorën e djathtë. U përqendrova. Djersa më pikonte në sy. Pastaj, nji spazmë. Nji lëvizje e pavullnetshme, e kotë, mizore.
Nji kërcitje. Boshti u thye.
Heshtja në punishte ishte e tmerrshme. E këqyra atë copë metali të thyer. Ishte fundi.
“Dil jashtë,” pëshpërita. “Ik, Marko. Mbyllja dyert krejtve. Jam nji dështim.”
Ai iku pa thanë asnji fjalë. Unë mbeta aty, në terr, tue kja si fëmijë.
Kjava për dorën teme, për punën teme, për jetën teme që s’kishte me qenë ma kurrë e njajta.
Të nesërmen në mëngjes, u ktheva vetëm me mbledhë plaçkat e mia. Kur e hapa derën, dëgjova nji zhurmë ritmike.
Scrr, scrr, scrr. Marco ishte aty. S’kishte shkue fare në shpi. Këmisha i ishte ba me tallash e sytë i kishte të kuq prej pagjumësisë.
Po punonte në morsë.
“Çka dreqin po ban?” e pyeta.
Marco u kthye. Kishte nji buzëqeshje të lodhun në fytyrë, po triumfuese.
“S’munda me e gjetë pjesën me e ndërrue, Giuseppe. Askush s’i prodhon ma. Kështu që… e bana vetë. Me dorë. Tanë natën.”
Më dha nji bosht të vogël çeliku. E mora me dorën e majtë. E këqyra me thjerrëz. Nuk ishte e përsosun si ato të fabrikës. Kishte shenja lime.
Po përmasat… ishin të sakta në fije të flokut.
E këqyra Markon. Gishtat i kishte të mbuluem me pluhun metali. E kishte ba këtë për mue. Për me ma ruejtë nderin.
Zemra m’u drodh.
“Kandi i ngritjes asht pak i vrazhdë,” thashë, tue u mundue me u tregue i rreptë, po zani m’u kput.
“E di, Zotni…”
“Pushoni,” e ndërpreva. “Asht… asht e bukur.”
E afrova stolin tem te i tiji.
“Më jep letrën zmerile. Kam me e mbajtë copën palëvizë me dorën e majtë. Ti lustroje. Ta bajmë bashkë. Si nji valle.”
Dhe ashtu e bamë. Nji i gjymtuem i vjetër dhe nji djalë kokëfortë, të bashkuem prej të njajtit pasion.
Kur erdhi zonja Bianchi me marrë orën, e dëgjoi tik-takun e saj.
“Giuseppe,” tha ajo me lot në sy, “ka nji za tjetër. Ma… ma të thellë.”
“Sepse ka pak ma shumë shpirt brenda, Zonjë,” iu përgjigja, tue tregue nga Marco, i cili bante sikur po fshinte dyshemenë, mos me iu pa fytyra e skuqun.
Atë ditë e mësova msimin ma të madh të jetës teme.
Na besojmë se duhet me qenë të fortë si mermeri i Carrarës.
Po edhe mermeri çahet.
Forca e vërtetë nuk asht me mos u thye kurrë.
Forca e vërtetë asht me e lanë dikë me të ndihmue me i ngjitë copat përsëri.
Dora jeme ende dridhet. Ka me u dridhë gjithmonë.
Po punishtja mbeti e hapët.
Dhe nesër… nesër kam me i mësue Marcos si me rregullue nji kuti muzikore.
—Marco!
Vene mokën në zjarr.
Kemi punë me ba…
Përktheu: Fatmir Shqarri…
Burimi/Facebook/GEGNISHT


Leave a Reply