Ne Pozderke, mahallen ku jam rritun dhe ne tane vendin, Festa qe festohej me bujen me te madhe ishte viti i ri.
Festat fetare nuk kishin tretman te festave zyrtare – shtetnore, ato festoheshin ne ambiente familjare.
Deri ne mes te viteve 60-a, radioja ishte gjithçka, informim, dritare nga e cila e shifshe boten, komunikim, relaksim, ishte pandan i internetit sot.
Familja ime kishte radio nga viti 1958. Nata e vitit te ri ishte festa ma e madhe e vitit, te cilen e festonin te gjithe, pa dallim. Sidomos per femijet, kjo feste ishte shume e deshirueshme dhe ngazellyese. Perpos ushqimit te begatshem, femijet perfitonin shume dhurata, ne veçanti nga musafiret qe ishin prezent ne naten ma festive te vitit.
Naten e ndrimit te moteve radio programi ishte i larmishem me muzike e humor dhe e gjithe familja me musafir grumbulloheshim pran radios, duke ndigjue e festue.
Babi im ka qene nder njerezit e rralle te asaj kohe, qe e ndegjonte ma me andje muziken e vjeter qytetare, se sa ate folklorike. Babi ishte nji Bohem i vertet. Kur fillonin kanget e vjetra qytetare, ja leshonte zanin deri ne maksimum radios dhe “dehej” nga tingujt dhe tekstet e kangeve arshikije, qe i interpretonte me zanin e tij melankolik, mjeshtri i ketij zhanri muzikor – Qamili i Vogel, si dhe Mazllum Myezini, Nexhmije Pagarusha, Adem Ejupi etj.
Ajo muzike dhe ato vargje te bukura qe i kushtohen ndjesise hyjnore – dashnise, edhe sot e ngritin adrenalinen te njerezve qe i kane shijue ndjenjat e dashnise.
Ka qene tradite ne ate kohe qe ne oren 24, ne çastin e ardhjes se vitit te ri, te ndalej rryma(dritat) per pak sekonda. Ndalja e dritave ishte shenje qe kemi hy ne vitin e ri, me ç’rast fillonin te shtenat me arme zjarri ne te gjitha anet e mahalles dhe ne gjithe qytetin.
Per ne femijet kjo ishte nji ndjenje e veçant dhe kete moment e pritnim me padurim duke numerue dhe llogaritun se cili nga fqinjet, apo nga ne, po gjuan ma shume me arme. Per disa minuta u krijonte nji atmosfere lufte me ere te barutit qe ta zinte frymen.
Dy fqinjet tane, qe i kishin marredhenjet e tensionueme, benin gara se cili prej tyne kishin armatim ma te sofistikuem dhe kush po gjuante ma shume(budallaki e trashegueme qe ende nuk âsht zhdukun).
Mua me vinte inati pse nga shtepia jone shkrepeshin pak pushke, axha shtinte zakonisht nji apo dy rafale me revolen qe e kishte te fshehun ne nji vend ku askush nuk do ta gjente dhe me “llovaçken” (pushke gjuetie dyshe), me te cilen shtinte me fisheket qe i kishte mbushun posaçerisht per naten e vitit te ri, te cilet nuk kishin sfera metalike, por vetem barut dhe leter te presueme, e cila ushtonte si topi i Mic Sokolit.
Vetetimat dhe krismat e kanonadave dhe rafaleve te armeve, shiheshin dhe ndegjoheshin ne te gjitha anet. Babi im, i cili nuk i pelqente gjuajtjet me arme, deri sa nuk pushonin krismat e armeve, nuk na linte me dal n’oborr, nga frika se do t’na godet ndonji plumb qorr.
Televizioni ne Prishtine, ka ardhun dikun rreth vitit 1962. Bile, me kujtohet kur fqiu Hafiz i tha axhes tim: “eja t’shkojme n’kafe t’pensionereve, se kish ardhun nji radi, qe perpos zanit, po e shifshe njeriun e gjalle t’u fole e t’u lujt’ si n’bioskop”(kinema).
Televizioni ishte shume i rralle ne familjet shqiptare, andaj kush blente tv perballej me fluks te madh te musafireve, per te cilet duhej pergatitun pije e ushqim. Nga kjo perspektive kur e analizoj, tham; shyqyr qe gruaja ime nuk i ka perjetue “vuajtjet” e nanes time me gjithe ata musafire.
Pak para vitit te ri 1967, me insistimin tim kambengules, baba e bleu televizionin, perkunder asaj qe gjyshi e kundershtonte, shkaku qe ishte i ndikuem me thashethana te pleqve te mahalles, qe i ndegjente ne xhami.
Festa e ndrimit te moteve per here te pare me aparatin televiziv ishte per ne femijet shume ngazellyese. I numeronim oret e minutat deri te fillimi i programit. Une deshiroja te jem sa ma afer “kutise magjike”, por sa ma shume qe afrohej koha e fillimit te festes, dhoma mbushej me musafire, te cilet ftue e pa ftue vinin per ta shique televizionin.
Ishte hera e pare ne jete qe une nuk deshiroja qe te kemi shume musafir, kete e mendoja me veten time, se perndryshe, po t’a shprehja kete opinion kundra musafireve, kisha hanger dajak sidomos nga gjyshi dhe isha perjashtue fare prej odes.
Ardhja e tre kusherive, pak para ores 20, oden tone e mbushi perplote musafir dhe ne femijet mbetem te strukun afer deres, por edhe kjo mjaftonte per neve.
Edhe ajo kohe e ka pas lezetin e vet!

Burimi/Facebook


Leave a Reply