Pashë bukën e kallamoqit, — merre lahutën e knoje kangën e Bylykbashit, i pata thanë nji herë, mbasi atij i vdiq grueja e mua nana.
Merre lahutën e grrithja penin, se zemra po më gërrithet kur po më kujtohet saçi, lagraça e ofshama e saj; — pse m’bane moj nanë, he, mos bafsh ma!
I pata thanë pa u ba motmoti, e sytë i çova te flaka e oxhakut.
Ai kurrë nuk mbante zi. Kurrë nuk ligështohej prej vdekjes.
Atë kurrë s’e rrembente gëzimi.
Idhnim e gëzim i kishte vu n’ tel të lahutës; dekë e dasmë ishte kanga, ishte vaji i burrit.
Zemrën e kishte ba gur që kur u ngujue n’ shpellë të gurit n’ Dragobi.
Pashë bukën e qerepit, — merre lahutën e knoma kangën për Ajkunën, se m’ka marrë malli për nanën, i thashë tue mu dridhë zani.
Ai më kqyri gjatë e gjatë.
Zgjati dorën, e hoqi prej çengelit lahutën e nxime nga tymi i votrës dhe e vuni n’prehën.
Nji shekull m’u duk heshtja e tij.
Sa i gjatë m’u duk shikimi e sa e vonshme fjala!
— T’kam thanë njiherë e po ta përseris edhe sot:
kurrë mos u dëshpëro e kurrë mos u gëzo, se as njena as tjetra nuk janë t’përjetshme.
Me turr vinë, po pak zgjasin, nëse je i zoti me ua ba vendin njanës e tjetrës aty ku s’djegin shumë e aty ku s’nxejnë shumë.
Atyne që vinë prajshëm, atyne duhesh me iu ruejtë, se ato kurrë s’largohen.
Tha, dhe, e afroi lahutën te zjarmi i oxhakut.
Ai që kurrë s’ma nxeu cullën te flaka e votrës, ia nxeu lëkurën lahutës.
Ai që kurrë s’më vuni n’prehën, e mbështeti lahutën për gjyksin e plakun
dhe me gishta ia preku penin.
Fijet e bishtit të kalit u gërrithën, doli zani dhe u përzie me kangën e gërrithun të fytit të tim et.
Heu, sa shumë Krajla preu kur ra n’ Kotorr me marrë Ajkunën!
Heu sa shumë mall për nanën zbraza tue kqyrë babën me lahutën e drunit n’prehën!
Tash që u plaka, i thashë djalit: — Kur t’jesh fort i mërzitun,
vene lahutën n’prehën e grrithja penin, se mërzia t’hiqet.
Kështu më thoshte im at, e kështu po ta them edhe unë.
Sot që lahuta bani vend n’ UNESCO, m’u kthye nji mendim:
atje do t’jenë edhe malësorët lahutarët, edhe pak rugovas, e mes tyne edhe im at…
e ndoshta edhe unë, tue kqyrë i heshtun, ulun mbas derës.
10.12.2025
Burimi/Facebook


Leave a Reply