Ndonjëherë një ngjarje të tregon më shumë për një shtet sesa gjithë vitet e propagandës. Kjo ndodhi sapo Gjykata Kushtetuese, me një shpejtësi që do ta kishin zili edhe institucionet e vendeve me drejtwsinw më të avancuar. Gjyjkata Kushtetuese caktoi brenda javës datën e gjykimit të kërkesës së Kryeministrit për të shfuqizuar vendimin e GjKKO-së që pezulloi nga detyra zv.kryeministren Belinda Balluku.
Nw një vend ku drejtësia për nënat që presin vendime ushqimore zgjat me vite, për një pensionist të sëmurë ngjan si maratonë pa fund, por për një zyrtare të lartë pavarësisht se çfarë mendojnë njerëzit për të shndërrohet në garë sprinti. Çfarë mesazhi duhet të marrë një qytetar nga kjo? Që ligji lëviz vetëm kur pasoja politike është e madhe. Që radhat janë për popullin, përjashtimet për pushtetin. Që dosjet e qytetarëve vlejnë aq pak, sa mund të shtyhen pa frikë, ndërsa dosja e një zyrtareje të rëndësishme duhet të trajtohet me kujdes, urgjencë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm.
Nuk ka nevojë të gërmosh në teori juridike. Mjafton të shohësh kronologjinë. GjKKO daljen e Ballukut nga detyra e cilësoi si pjesë të kufizimeve procedurale të hetimit dhe kjo, në çdo vend normal, do të trajtohej përmes rrugës gjyqësore me ritmin e zakonshëm. Por jo në Shqipëri. Kryeministri reagoi me një vrull të paparë dhe kërkesa e tij u shfaq para Gjykatës Kushtetuese si një dokument që duhej trajtuar “urgjent”. Dhe mrekullia ndodhi, institucioni që zakonisht merr muaj për të lexuar një ankim qytetari, papritur paska kapacitet të caktojë seancë brenda shtatë ditësh. Ironia është se askush nuk e beson se kjo ndodhi rastësisht. Dhe akoma më ironike është se as vetë institucioni nuk mundohet të bindë njeri për të kundërtën.
Perceptimi publik është i qartë, kur trajtohet njw çwshtje pushteti, drejtësia jonë ka prioritet. Kur trajtohet njw çwshtje me nw focus qytetarin, ka pritje. Dhe ky perceptim, edhe nëse institucionet do ta mohonin me qetësi, është i pamundur të hiqet nga mendjet e njerëzve. Sepse njerëzit nuk janë të verbër. Ata shohin se si çështje thelbësore të përditshme si ato për pensione, ndihmë ekonomike, për kujdestari fëmijësh apo për çështje pronash ngelen pa datë, pa ritëm dhe pa shpresë. Dhe ndërkohë, një çështje që prek zyrtaren nr. 2 të qeverisë merr flamurin e kuq të urgjencës institucionale.
Është e dhimbshme ta thuash, por kjo ngjarje i ka bërë njerëzit të pyesin veten, a kemi drejtësi apo kemi një ndërmarrje shërbimi për elitën politike? Sepse mënyra si u trajtua çështja e Ballukut, e nderlidhur me reagimin e menjëhershëm të Kryeministrit, ngjan me një skenë ku pushteti thërret dhe institucioni përgjigjet. Njerëzit e shohin këtë dhe e ndjejnë si fyerje. Fyerje për inteligjencën e tyre. Fyerje për mundin e tyre. Fyerje për çdo trokitje që kanë bërë në dyert e gjykatave pa marrë përgjigje.
Kemi një vend ku mijëra njerëz braktisin çdo vit sistemin gjyqësor dhe ikin jashtë për një jetë më të drejtë. Jo më të pasur, jo më të rehatshme më të drejtë. Vetëm më të drejtë. Sepse drejtësia këtu shpesh të bën të ndihesh i padukshëm, i pavlefshëm, i parëndësishëm. Por, çuditërisht, të njëjtët institucione që harrojnë qytetarin, nuk harrojnë kurrë kur një zyrtare e lartë e humb postin e saj. Atëherë shteti zgjidhet, oraret ndryshojnë, kalendari hapet, çdo mekanizëm vihet në lëvizje.
Këtu qëndron dhimbja e vërtetë, drejtësia jonë nuk është më çështje ligji, por çështje posti. Nuk është më çështje të drejtash, por çështje emrash. Nuk është më institucion, por refleks i politikës. Dhe çështja e Ballukut, me gjithë shpejtësinë e pazakontë që mori, na tregoi pikërisht këtë, në Shqipëri, ligji nuk ka fuqi të mjaftueshme për të mbrojtur të dobëtit, por ka një aftësi të pabesueshme për të mbrojtur imazhin e pushtetit.
Është e dhimbshme, por e vërtetë, sa herë që një politikan bie në telashe, institucionet bëhen të gjallë; sa herë që bie një qytetar në hall, institucionet bëhen të shurdhër. Në këtë vend, drejtësia nuk funksionon më si barazi, por si hierarki. Dhe hierarkia e ka majën shumë të qartë.
Burimi/Facebook/Avokat Arben Llangozi


Leave a Reply