Në Shqipëri është krijuar tashmë një teatër absurd ku sa herë shpërthen një skandal i ri financiar, nga ata me shifra që e bëjnë edhe bankën botërore të mendojë dy herë, Bashkimi Europian shfaqet me deklarata të qeta, të buta dhe të buzëqeshura, sikur vendi ynë të kishte hyrë në epokën e artë të transparencës.
Ndërsa vidhen 400 milionë euro te inceneratorët, një aferë që solli arrestimin e ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka, hetimin dhe arrestimin e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj dhe përfshirjen e ish-deputetit Alqi Bllako Brukseli flet për “progres substancial në luftën kundër korrupsionit”, duke i bërë qytetarët të pyesin me ironi nëse vallë suksesi matet me numrin e milionave që avullojnë apo me numrin e zyrtarëve që hyjnë e dalin nga SPAK-u.
Ndërsa hemodializa përflitet për 180 milionë euro të dyshuara si kosto të fryra dhe qytetarët paguajnë shërbime që supozohej të ishin moderne, BE-ja raporton “përmirësim të sistemit shëndetësor”, sikur të ishte fjala për një vend skandinav e jo për koncesione që tërheqin vëmendjen e gjithë opinionit publik.
Ndërsa vjedhjet e përfolura në shëndetësi shkojnë në mbi 200 milionë euro nga sterilizimi te check-up-i Europa na thotë se kemi “rritur efikasitetin administrativ” ndoshta sepse një administratë që firmos shpejt kontrata të dyshimta konsiderohet e aftë.
Ndërsa skandalet e Unazës së Madhe, Unazës Loti i Parë dhe rrugës Thuman Kashar përfliten për tendera të manipuluar, kompani fantazmë dhe qindra miliona që ngrihen nga asfalti e fluturojnë si pluhur, BE-ja flet për “përparim të qëndrueshëm në infrastrukturë”, sikur përparim të quhej secila ditë kur zbulohet një aferë e re.
Ndërsa tuneli i Llogarasë, me rreth 50 milionë euro të dyshuara si abuzime, bëhet objekt hetimesh që çojnë deri në pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku, Europa flet për “investime strategjike që afrojnë Shqipërinë me standardet e BE-së”.
Ndoshta duke harruar të shtojë se standardet e vërteta nuk përfshijnë dyshime për rritje kostosh me ritme maratoniste, ndërsa aeroporti i Kukësit, i Vlorës dhe tuneli i Sarandës përfliten për tenderime të dyshimta, operatorë të privilegjuar dhe kosto që ngjiten si raketë, BE-ja i sheh si “iniciativa që rrisin konkurrueshmërinë dhe turizmin”.
Ndoshta sepse nga lartësia e Brukselit, përzierja e dyshimeve me propagandën duket si një panoramë ekzotike ballkanike; ndërkohë që kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj përballet me akuza për korrupsion dhe shkelje të tenderave, Brukseli vazhdon të flasë për “zhvillim urban të qëndrueshëm”, sikur zhvillimi të matet me numrin e aferave në të cilat një zyrtar përmendet.
Në këtë realitet plot ironi të hidhur, qytetarët shohin se sa herë një aferë 100 milionëshe del në media, BE-ja nxjerr një deklaratë për “vazhdimin e integrimit”, sa herë një aferë 200 milionëshe fut dikë në hetim, Europa flet për “kurajo institucionale”, sa herë 400 milionë marrin rrugën e padukshme, Brukseli na përgëzon për “stabilitet politik”, duke krijuar përshtypjen se në Shqipëri korrupsioni matet me milionat dhe integrimi me sa shumë korrupsion ekspozohet nga institucionet.
Dhe kështu lind pyetje dhe pikëpyetje të mëdha, a po mbështet BE zhvillimin e vendit apo po duket sikur mbron qeverinë që përballet me hetime një pas një? Ndërsa vetë BE këmbëngul se mbështet vetëm institucionet, qytetarëve u duket se mbështetja për zhvillimin dhe mbështetja që i jepet një qeverie të goditur nga skandalet po ndodhin me të njëjtën natyrshmëri si moti në Shqipëri mund të jetë krejt i çrregullt, por gjithmonë e justifikojnë si “normal”.
Burimi/Facebook


Leave a Reply