Nga Dilaver GoxhajSë pari, të faleminderit Sadik Halitja për fyerjet me të cilat më drejtoheni. Por, bazuar në përmbajtjen e gjithë avokaturës tuaj, në mbrojtje të Besim Qeriqit, dal në përfundimin se, me këtë nivel intelektual që po prezantoheni në këtë shkrim, nuk ka pse t’ua marr edhe shumë për keq. U falet.
Gjithashtu, qysh në paragrafin e parë të mbrojtjes tuaj për Besim Qeriqin, kuptova se as që e keni marrë mundimin ta lexoni librin e Gjeneral Uesli Klark “Të bësh luftë moderne”, Prishtinë, 2003.
Përsa i përket z.Besim Qeriqi, në paragrafin e fundit të shkrimit të tij, ai përforcon me bindje të plotë se Ushtria Clirimtare e Kosovës paska qenë një tyrmë, dhe po e citoj: “Në kuadër të dëshmive të tyre, secili prej të sipërpërmendurve konfirmoi NJË FAKT TË NJOHUR mbi natyrën e funksionimit të UÇK-së: se ajo nuk kishte një organizim strikt hierarkik apo një strukturë komanduese të tipit ‘lart-poshtë’”.
Si mund ta kuptosh ty Sadik tog-fjalëshin e Besimit: “NJË FAKT TË NJOHUR”, që do të thotë se edhe ky i mbrojturi nga ju e ka pas dhe e ka ende këtë bindje, se “UCK-ja nuk kishte një organizim strikt hierarkik”.
Për këtë arsye pak më lart u shpreha: “bazuar në përmbajtjen e gjithë avokaturës tuaj në mbrojtje të Besim Qeriqit, nxjerr përfundimin se me këtë nivel intelektual që prezantoheni, nuk ka pse t’ua marr edhe shumë për keq. U falet.”
Së dyti, më vjen keq që, edhe pse ju jeni ushtarak dhe, për fat keq, nuk jeni në gjendje të dalloni termin “zinxhir komandues” nga “piramidë komanduese”, prandaj dhe i merrni për sinonime. Ushtria Clirimtare e Kosovës, I nderuar Sadik, ishte ushtri me PIRAMIDË KOMANDUESE dhe jo me ZINXHIR KOMANDUES. Hallkat e një Zinxhiri janë të barabarta e të njëllojta, ndërsa Piramida ka Hierarki. Për këtë, më del për detyrë t’u citoj Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe: “ZINXHIR. Varg rrathësh, hallkash e pjesësh të njëllojta e të kapura njëra me tjetrën.”
Ndërsa PIRAMIDË: “Një figurë që pjesët vendosen njëra mbi tjetrën, duke u ngushtuar sipër”, që në terminologjinë ushtarake quhet HIERARKI, dhe që Fjalori i Gjuhës Shqipe e shpjegon: “Hierarki. Rend i titujve, i gradave ose i përgjegjësive në administratën civile, ushtarake e fetare, nga më të ultat deri te më të lartat, sipas lidhjeve dhe vartësive që kanë ndërmjet tyre.”
Dhe, meqenë se njohuritë në këtë drejtim nuk i ke të plota dhe, si rrjedhojë, prandaj dhe nuk dini se cili ka qenë funksioni kryesor që mua m’u besua nga Shtabi i Përgjithdhëm i UCK-së, më del për detyrë t’ua them: Mbajtja e bashkëveprimit të Ushtrisë Clirimtare e Kosovës me Aviacionin Luftarak të NATO-s. Mësoje gjithashtu se, po të mos ekzistonte kjo Piramidë Komanduese, (Hierarkia ushtarake në UCK), por të ishim “një varg komanduesish të njëllojtë”, si hallkat e zinxhirit, unë nuk do të kisha mundësi t’i raportoja Komandës së Aviacionit të NATO-s çdo 2-3 orë të dhënat që m’u theksuan në ora 16.00 të 23 Marsit 1999, nga përfaqësuesi I NATO-s: ku ndodheshin forcat serbe dhe forcat tona, sa larg ishte froni ynë me frontin e armikut të çdo formacioni të UCK-së, sa larg do të duhej të largoheshin forcat tona nga armiku kur ne do të na tregohej se ku do godiste aviacioni, ku ishte pozicionuar Artileria e Armikut, ku ishin pozicionet e Artilerisë Kundërajrore të armiku dhe çfarë kalibri ishin, si dhe mundësitë e tyre luftarake në lartësi. I gjithë ky informacion hidhej në hartën topografike 1:100.000, të cilën dizinjatori Mustafa Gashi e hidhte në letër kalk, ndërsa kompjuteristja Shqipe Ahmei në kompjuter, printoheshin dhe i faksoheshin Komandës së Aviacionit të NATO-s.
Po të ishim sikundër shkruan Besim Qeriqi dhe Ty avokati i tij, “zinxhir komandues”, as që nuk do të mund t’i siguroja kurrë ato të dhëna në të gjithë hapësirën ku kryehshin luftime në Kosovë, sepse nuk do të kish varësi mes hallkave të rendimeve luftarake të UCK-së, që të bindeshin.
Duke qenë se nuk ishim Ushtri e ngjashme me hallkat e një Zinxhiri, por Piramidë Hierarkike, unë ia kërkoja të dhënat Komandatit të Zonës, ai ua kërkonte të dhënat komandave vartëse: Komandtëve të brigadave, ata ua këkonin komandtëve të batalioneve, këta të fundit ua kërkonin komandantëve të kompanive, dhe këta komandantëve të togave dhe skuadrave, dhe gjithë ky informacion më merrte në çdo rast jo më pak se një orë. Dhe ngaqë UCK-ja kish këtë Hieraki Komanduese, prandaj gjenerali Uesli Klark, të nesërmen e mbarimit të luftës, na falënderoi, duke u shprehur: “Bashkëveprimi më i mirë në historinë 50-vjeçare të NATO-“
Nëse nuk do të ekzistonte kjo “piramidë komanduese”, por “zinxhir komandues”, do të ishim të gjithë si këmbët e dhisë, dhe as që nuk do të kishte shenjëtregim për aviacionin e NATO-s. Prandaj dhe Gjenerali Klark shkruan në librin e tij: “Së pari, ne nuk ishim në gjendje të bënim në mënyrë efektive planet e vërteta për veprim në tokë… neve nuk na lejohej të shpenzonim fonde për përgatitjen e stacionimit. U përpoqëm ta anashkalonim këtë problem, duke shfrytëzuar personelin amerikan, i cili tashmë gjendej në Shkup, por këtyre njerëzve u mungonte kualifikimi i nevojshëm për të kryer gjyrmimin” (f 237) Dhe këtë gjurmim e kryente ekzistenca e Hierarkisë (piramidës) Komanduese e UCK-së, që ma kish besuar mua. Gjithashu Gjenerali Klark shkruan: “UCK-ja shpesh i detyronte forcat serbe të dilnin në terren te hapur, ku kishim mundësi t’i sulmonim ato” (f.372)I nxirrnin nga strofullat forcat e UCK, dhe aviacioni ynë godiste.”(Shih: Ueli K.Clark “Të bësh luftë moderne”, Prishtinë, 2003, f.237 dhe f.372)
Faleminderit që më sqaruat se: “Besim Qeriqi nuk asht i familjes Qeriqi as ndonjë i njohur për këtë familje, që ju ta sulmoni si familjar!”
Së pari, unë nuk e sulmoj, por e kritikoj, për atë që ai flet në vetën e parë dhe që e theksova: “Është NJË FAKT I NJOHUR, UÇK-ja nuk kishte një organizim strikt hierarkik apo një strukturë komanduese të tipit lart-poshtë”. Pra ai i del vetë për zot ketij mohimi të një realiteti historik . Apo nuk jeni në gjendje ta kuptoni?
Gjithashtu, të besoj ty Sadik Halitjaha që Besim Qeriqi mund të mos jetë pjesë e fisit Qeriqi, por mbiemri i njëjtë , Qeriqi, dhe botimi prej vajzës së Ahmet Qeriqit, i këtij shkrimi me përmbajtje antihistorike, që nuk ka ndodhur kurrë deri sot që RKL të ketë botuar shkrim me një të pavërtetë historike për UCK-në si kjo, prandaj mua më jepet e drejta të besoj se kemi të bëjmë me NEPOTIZËM, duke u bazuar te mbiemri i tij. Dhe besoj se duhet të ketë një lloj nepotizmi. Dhe Nepotizëm do të thotë: “Shfrytëzim i postit që ka një njeri, për të favorizuar e ndihmuar të afërmit e tij.” Mirëpo, Nepotizmi ka rëzuar shtete, e jo më ndërmarje shtetërore dhe institucione shtetërore. Dhe, që të mos të bëhen shtrembërime të tilla historike nga ai institucion mediatik me biografi të shkëlqyer, dola në përfundimin se Radio “Kosova e Lirë”, nuk duhet të jetë pronë private e një familjeje, por të jetë radio shtetërore dhe Qeveria të ngarkoi me përgjegjësi, që ajo Radio të menaxhohet nga struktura pasardhëse e UCK-së, Organizata e Veteranëve të saj, ngaqë kjo organizatë financohet nga shteti.
Ty Sadik, mes të tjerave shprehesh: “RKL u mbrojt me luftë, me gjakun e dëshmorëve të ZOP, njësoj do të mbrohet nga të njëjtit luftëtarë të kësaj Zone deri sa të jemi gjallë!”. Edhe kjo shprehje e juaj ma përforcon atë që shpreha më lart, për nivelin tuaj intelektual. RKL-në e krijoi dhe e mori në mbrojtje Ushtria Clirimtare e Kosovës, dhe SHP i saj e vendosi në afërsi të saj, por atë luftë nuk e bëri vetëm Z2Op, dhe se në Mal të Berishës ishin të gjitha institucionet e drejtimit të Luftës Clirimtare, dhe ishte SHP ai që ia ngarkoi mbrojtjen e RKL Z2Op, dhe nuk është se RKL-ja kish mbetur jetimi dhe i doli për zot Br.121 e Z2Op, por ju vu detyrë nga SHP që ta mbronte. Apo edhe këtë detyrë luftarake kërkoni t’ia atriboni inisiativës tuaj si Br.121.
Mes të tjerave, ty Sadik, kërkon të më fyesh,kur shkruan: “Konstatoj se reagimi, shkrimi yt, më shumë ishte shprehje e një mllefi dhe një përbuzje e RKL-së, me thirrje të çuditshme sikur RKL, na qenka anti-kombëtare, si dhe je thirrur në të ndjerin Ahmet Qeriqi ish-drejtor i RKL-së, edhe aq veç që e ke përmendur shumë e ke fyer.”
Përsëri më del detyrë që t’u sqaroj se çfarë kuptohet me fjalën FYERJE, ngaqë duket qartë që ju gjuhën shqipe nuk e dini me themel; kjo varet nga arsimimi që keni. “Fyerje. Prekje në nder a në sedër, poshtërim”. A mund të gjeni qoftë edhe një fjalë të vetme të këtij karakteri në shkrimin tim reagues?
Nuk do bënit keq që para se të vendosni të shkruani publikisht, të hapeni fjalorin e Gjuhës Shqipe, dhe këtë këshillë ua them si bashkluftëtar, se nuk më vjen mirë që një ish-kuadër i piramidës komanduese të UCK të shfaqi të tillë nonsense.
Ty Sadik e shkruan këtë fjali fyese ndaj meje ngaqë nuk duhet të jini në dijeni të vlerësimeve të mia, si për ekipin e Radio “Kosova e Lirë”, ashtu edhe për të ndjerin Ahmet Qeriqi. Është po kjo Radio, që ka botuar shumë shkrime vlerësuese të miat për RKL, dhe më i fundit është ai i datës 16 mars 2025, me titull: “Radio “Kosova e lirë” – udhëheqja de fakto e lufës çlirimtare në Kosovë”, dhe në vijim të saj, mes të tjerave, shprehem: “Ishte fat që në krye të këtij institucioni propagandistik u gjet njeriu më adekuat për udhëheqjen e atij institucioni që mori përsipër një detyrë me rëndësi kombëtare. Dhe Shtabi i Përgjitshëm i UÇK, drejtimin e këtij institucioni ia besoi intelektualit Ahmet Qeriqi, njëkohësisht anëtar i Shtabit të Përgjithshëm…Dhe stafi i Radio Kosova e Lirë, me në krye Ahmet Qeriqin, e justifikuan atë besim, duke e shndërruar atë institucion propagandistik në udhëheqje politike de fakto të Luftës për Clirimin e Kosovës. Ishte fat për luftën në Kosovë që i tërë stafi i Radio Kosova e Lirë, me në krye Ahmet Qeriqin, ishin të gjithë intelektualë me ndjenjë të lartë kombëtare.”
Megjithatë më ngelet enigmë se nga u buron kjo urrejtje e akumuluar ndaj meje, prandaj dhe nuk heziton aspak me fyerje. Nuk po zgjatem më tej, veçse po të uroj: Të jetoni sa më gjatë siç jeni, e mos u ndryshofshi!
Tiranë, 19 Nëntor 2025
Burimi/Derguar nga vete Autori


Leave a Reply