Aktivistja shqiptare në Kanada, Bedrije Rexhepi, ka ndarë një artikull të gazetës The Chronicle Herald të vitit 1999, ku shihet me vajzën e saj të vogël Tringën. Artikulli sjell rrëfimin e ndjerë të një nëne shqiptare që u detyrua të ikte nga lufta në Kosovë dhe të fillonte gjithçka nga e para në një vend të huaj.
“Një mëngjes, paramilitarët erdhën në shtëpinë tonë. Mora vetëm fëmijët dhe ikëm. Nuk kishim asgjë me vete, vetëm rrobat e trupit,” kujton ajo. Pas disa javësh të vështira në kampin e refugjatëve në Maqedoni, familja Rexhepi u përfshi në programin e Kombeve të Bashkuara dhe u zhvendos në Halifax, Kanada.
Në fillim jeta nuk ishte e lehtë. Gjuha, kultura dhe largësia nga familjarët në Kosovë e bënin çdo ditë të vështirë. Por Bedrija dhe vajza e saj Tringa nuk u dorëzuan.
“Fëmijët u përshtatën më shpejt se unë. Tringa më mësonte anglisht. Sot ajo flet rrjedhshëm dhe më ndihmon me përkthime,” thotë ajo me krenari.
Në Kanada, Tringa nisi të shkëlqejë në shkollë dhe të shprehej përmes artit. “Kur ishim në kamp, një mësues i dhuroi një kuti ngjyrash. Ajo e mbante si thesar. Tani vizaton shtëpinë tonë të re, me diell e dritë,” rrëfen nëna me buzëqeshje.
Sot, familja Rexhepi është pjesë aktive e komunitetit shqiptar në Kanada. Bedrija ndjek kurse gjuhe dhe ëndërron të rikthehet në profesionin e saj të dikurshëm, rrobaqepëse.
“Kur erdhëm këtu, Tringa më pyeti: ‘Mami, jemi tani kanadezë?’ – I thashë: ‘Po, tani jemi të sigurt.’”
Pavarësisht dhimbjes që mban për atdheun e lënë pas, Bedrija e di se ka fituar diçka të çmuar.
“Ne kemi humbur shumë,” thotë ajo, “por kemi gjetur atë që na mungonte për vite me radhë — paqen, sigurinë dhe shpresën për të ardhmen.
Burimi/Facebook


Leave a Reply