Randë asht me jetue me dhimbjen e me buzëqeshë kinse je i lumtun. Por…askush s’e din pa e provue.
Dhimbja, ah dhimbja, ajo zgjohet përherë para teje, dhe e para asht që të përshëndet, si mik i vjetër:
— Edhe sot do t’jemi bashkë! — të thotë me za të butë, e ti e shikon qortueshëm e ajo buzëqesh.
N’heshtjen që dhemb, ti merr frymë thellë, e nga thellësia e dhimbjes del kanga e vrame.
Këndon për me mbijetue — e kanga t’bahet strehë.
Në fillim ke frikë, por me kohë kupton se kanga asht lutje, e lutja asht për ata që s’kanë tjetër me dhanë, veç za e shpirt.
“Ti je i çmendun,” më thoshin njerëzit, si mundesh me këndue, kur shpirti të dhemb?”
U flisja me sy – Ju s’e njihni dhimbjen, s’e dini sa e ambël bahet kanga, kur del prej plagës.
Kanga asht mjekim — s’asht festë.
Nji ditë, ecja sheshit t’qytetit, tuj knue për vetvetën. Binte shi, e shiu s’ma lagte kangën e vramë.
Nji djalosh, lypës evgjit, ndali para meje.
Kishte sytë e mëdhenj, t’pastër, si ujë currili.
— A je i lumtun? -me pyeti, se vetëm i lumtuni, ose i çmenduni këndon n’shi.
Unë qesha. Atij deshta me ia falë lumturinë që s’e pata e botës gjithë t’keqen që kisha.
— Jam, po aq sa edhe ti, — i thashë, sepse dhimbjen e kam ba mik, e ajo më mëson si me mbetë gjallë.
Lypësi i vogël iku tuj buzëqeshë, e unë vazhdova me knue nën pika shiu.
E kuptova se kanga nuk lind prej gëzimit, por prej durimit.
Prej atij flakërimi t’vogël që s’e sheh askush, por që s’ta len shpirtin me u shue.
Nuk e di a isha i çmendun, siç më thojshin, kur knojsha me sharki, por e di që shpëtova pak prej vetes.
Unë dhimbjeve kurrë s’ua mbylli dyert.
Hyni, u them:
— Sonte kena me këndue bashkë, si dy miq që s’kanë mbetë vetëm.
08.11.2025
Burimi/Facebook


Leave a Reply