Këto ditë, Ambasada Britanike në Tiranë, në bashkëpunim me Këshillin Britanik, Ambasadën e Republikës së Kosovës, si dhe institucione të tjera të shtetit shqiptar, janë përfshirë në organizimin e Javës kulturore Shqiptaro–Britanike në vendin tonë.Duke e ndjekur me respekt këtë veprimtari, jam angazhuar në përkthimin dhe evidentimin e elementeve më të shquara që lidhin marrëdhëniet shqiptaro–britanike. Ndër ta spikat Fenomeni Aubrey Herbert.
Para disa ditësh, një mikesha ime, Nashi Brooker, më dërgoi nga Anglia imazhin e librit Eastern Songs (Këngët e Lindjes), shkruar nga Aubrey Herbert në vitin 1911 dhe kushtuar nënës së tij, Konteshës Carnarvon, për shkak se në të ndodhej një nga këngët “Shqiptari i Jemenit – për Qazim Beun.”
Me studimin e kësaj kënge është marrë edhe miku im, historiani dhe studiuesi Daut Dauti, një ndër intelektualët më të shquar të bashkësisë shqiptaro–britanike.
Duke i falënderuar të dy, dëshiroj t’i përshëndes pikërisht me këngën për shqiptarin Qazim Bej, shkruar nga miku më i madh anglez i shqiptarëve, kolonel Aubrey Herbert.
Lexim të kandshëm!
SHQIPTARI NË JEMEN
Kushtuar Qazim Beut
Shkruar nga Kolonel Aubrey Herbert
Shqipëroi nga anglishtja: Mal Berisha
A mund të pushojë i lumtur njeriu poshtë një palme, në hije,
ku shndrit rëra në atë diell përvëlues që mbi kokë të bie
Kur shtigjet e verdha, prej diellit nisin e zbardhojnë,
E për betejën e re atje, në ditën që sapo nis, të na ftojë?
Devetë e dinë vendin ku flejnë në gjunjë, dhe pëllumbat, degën ku pushojnë
Edhe pse rërat e Jemenit digjen dhe mua më përvëlojnë,
Unë kurrë nuk do të heq dorë prej marshimit, derisa të arrij aty ku dua,
Nën hijen e selvive të Prizrenit, ku të shlyej borxhin e urrejtjes që më mundon mua.
Në Jemen ka shqarthë, por jo shqiponja si në vendin tim.
Edhe aty çelin lule t’kuqe, por ato nuk kanë erë si tek ne, n’ agim.
Ato rriten nga dora e fortë e zonjës, dhe lejlekët ngrenë foletë përsëri,
Ata që do të doja t’u dëgjoja flatrat, tek i përplasin me furi.
Vallë, a do të kthehem sërish një mbrëmje, te lugina e Drinit bardhokan,
ta shoh si bie muzgu dhe i pulit sytë si vasha e bukur në një stan.
Bora zbardh malet dhe mbi to shndrit atje ylli Polar,
inshallah në mbrëmje, por… takdir tedbiri bozar? ²
Do të jepja jetën time para se të prehesha në atë botë i qetë,
të kundroja shpatet e maleve të mbuluara me pyllin e tyre të blertë,
dhe miqtë e mi të vjetër me takëmet e tregtarit Ferhan,
të kalonim mëngjeset e freskëta bashkë, duke pirë kafe dhe duhan.
Pas dritareve të mbyllura me gjergjef, prej nga asgjë nuk shikon,
por ndien fëshfërimën e selvive që era i ledhaton.
Pertev endaz, nuri i syve të mi, ajo me ndjenjën e dëshirës,
e vadit dashurinë time si shiu pas thatësirës.
Edhe nëse e gjej armiken time nga Dibra dhe të mos e shoh dot kurrë,
kam shumë miq në Prizren, aty kam ku t’i numëroj edhe me gurë.
E pra, shpirti im do të gjejë prehje, me kokën nën gurët e bardhë,
aty kur shkrin dëbora dhe mbush Drinin, plot ujëra valë-valë.
Oshëtima e tyre përplaset te shkëmbinjtë, në honet e tyre thelluar;
ajo është muzikë për shpirtin tim të mërguar,
që s’mund të durojë dot dunat e rërës së djegur e të shkretë,
as Detin e Kuq që zvarritet nën diellin përcëllues si don vetë.
Nashi Brooker
Daut Dauti
https://malberisha.com/shqiptari-ne-jemen-kushtuar-qazim…/
https://archive.org/…/shqiptari-ne-jemen-pdf…/mode/2up
Burimi/Facebook


Leave a Reply